Në prag të stinës së nxehtë, AKMC ka kërkuar nga bashkitë të marrin masa për menaxhimin e situatave, të cilat sipas kreut të AKMC-së, Haki Çako, priten të jenë të vështira, bazuar në parashikimet për një verë me temperatura ekstreme.

Nga Fieri, ku përfaqësuesit vendorë raportuan për masat e administrimit të zjarreve, Çako sqaroi se strukturat në terren janë përgatitur për të punuar me të gjitha kapacitetet dhe se flotës ajrore të mbrojtjes civile do t’i shtohen disa avionë “Air Tractor”, por kjo, sipas tij, nuk mjafton.
“Nuk mund të shpresojmë se zjarret do t’i fikim vetëm me avionë. Duhet të angazhohemi në terren me të gjitha kapacitetet”, tha Çako.
Stina e zjarreve mblodhi vendorët në nivel qarku në Fier edhe për të diskutuar, si masë parandaluese, asfaltimin e rrugëve rurale.
Me qindra hektarë pyje të djegura dhe mijëra rrënjë dru frutorë të dëmtuar, qarku i Fierit rezulton me risk të lartë ndaj fatkeqësive natyrore edhe këtë vit. Hapja e rrugëve malore dhe vendosja e hidranteve në zonat pyjore mbeten me rëndësi për menaxhimin e zjarreve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatave.
Mungesa e rrugëve të tilla, të quajtura edhe rrugë malore, ishte ndër faktorët që përkeqësuan situatën e zjarreve në zonat e mbrojtura të Darëzezës dhe Pishë-Poros dy vite më parë, me një bilanc prej 700 hektarësh pyje të djegura.
Në Fier, gjatë vitit 2025, bilanci i dëmeve nga zjarret ishte më i ulët se dy vite më parë. Megjithatë, me 300 hektarë pyje të djegura dhe 3,297 rrënjë dru frutorë të dëmtuara, situata vlerësohet ende e rëndë.
Bashkitë më të prekura gjatë vitit 2025 janë:
Fieri me 85 raste zjarri në pyje dhe objekte, Patosi me 72 raste, Roskoveci me 57 raste, dhe Mallakastra me vetëm 17 raste, por me sipërfaqen më të madhe të pyjeve të djegura, prej 224 hektarësh.
Në ekonomitë bujqësore, dëmet më të shumta në dru frutorë, si ullishta dhe vreshta, i pësuan: Fieri me 1,145 rrënjë të djegura, Patosi me 670, dhe Lushnja me 640 rrënjë drurësh frutorë të djegur.





