Topi është gati për trajnerin Pajaziti, Apolonia me disa mungesa në Tropojë
Nga Hilmi Saliu/ Apoloninë e pret një ndeshje e vështirë në fundjavë, kur nesër do të ndeshet me Valbonën në Tropojë. Përpara kësaj ndeshje, trajneri Sedat Pajaziti merr një lajm të mirë. Enea Topi është plotësisht i gatshëm. Mesfushori pati probleme fizike në ndeshjen me Besën në Fier dhe u zëvendësua në minutën e 60-të.
Burime pranë klubit pohojnë për “Panorama Sport” se Topi i ka kaluar problemet fizike. Mesfushori po stërvitet me intensitet të lartë me grupin dhe është në një situatë shumë të mirë dhe i gatshëm për të bërë maksimumin kundër Valbonës. Rikthimi i Enea Topit është i vetmi lajm i mirë, pasi disa lojtarë të tjerë të rëndësishëm do të mungojnë të paktën edhe për nesër. Në një kohë që u mendua se do të riktheheshin, dy futbollistë të rëndësishëm nuk janë ende gati. Bëhet fjalë për Kevin Injehun dhe Serjan Repajn. I pari, është dëmtuar rëndë gjatë fazës përgatitore dhe vijon të jetë në fazë rikuperimi, ndërsa i dyti ka pësuar tërheqje në kofshë dhe është ende në fazën e riaftësimit.
Shpresohet që të paktën Repaj të kthehet pas dy javësh, nëse gjërat ecin sipas parashikimeve, por nuk mund të flitet me siguri. Ersildjo Asllanaj po e bën mjaft mirë detyrën në këto ndeshje që po aktivizohet si titullar në qendër të mbrojtjes. Në dispozicion është edhe mbrojtësi i ardhur në shtator, Omer Repaj. 100% gati nuk është as Abjel Bejzade. Mesfushori ka pasur probleme me gjurin e djathtë, por javën e shkuar iu bashkua grupit në stërvitje pas një periudhe shumë të gjatë. Bejzade luajti 30 minutat e fundit të ndeshjes me Besën
Formacioni- Trajneri Pajaziti do t’i qëndrojë besnik idesë së tij në lidhje me rreshtimin 4-3-3, me të cilin luajti në debutim ndaj Besës. Formacioni nuk pritet të ketë shumë ndryshime. Në portë pritet Kaçaj kësaj radhe dhe para tij do të jetë katërshja e mbrojtjes: Hebeja, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi. Një ndryshim pritet në mesfushë, ku Rakipaj mendohet titullar. Mesfusha do të plotësohet me Topin dhe Musan, ndërsa në sulm do të luajnë të përhershmit Trifoni, Maksuti dhe Umejiego. Duke përjashtuar ndonjë surprizë të minutës së fundit, kjo është skuadra me të cilën Apolonia do të kërkojë fitoren në Tropojë.