Fieri përkujton 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë
80 vite me parë, më 15 tetor 1944 u shënua një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e qytetit të Fierit, dita e çlirimit të tij nga pushtuesit nazifashistë.
Në nder të kësaj dite historike, në Fier u zhvilluan homazhe, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe publike.
- Berisha: Me 26 nëntor, protesta tjetër kombëtare. Mosbindja civile, rruga e vetme
- Erion Braçe zbulon objektivin e PS për Qarkun Fier, por vetë a do të kandidojë më?
- Komedia e Leka Bungos “Ëndërr në papafingo” shfaqet me sukses në Teatrin “Bylis”
- Moti i keq, Mbrojtja Civile: Situata në vend drejt normalizimit
- Shisnin vajra të përzierë për vaj ulliri, zbulohet mashtrimi! Si e reklamonin në rrjetet sociale
Ndër të pranishmit ishin Zv. Kryeministrja Belinda Balluku, kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi, prefektja Mbarime Isufaj, drejtues të pushtetit lokal, anetare te LANÇ-it si dhe deputetë të qarkut të Fierit.
Aktivitetet përkujtimore për çlirimin e qytetit janë një vlerësim për sakrificën dhe trimërinë e heronjve të Fierit, të cilët luftuan për lirinë e atdheut.
15 TETOR 1944 – DITA E ÇLIRIMIT TË FIERIT
Populli i Fierit, Myzeqesë dhe Mallakastrës, ashtu si mbarë populli ynë liridashës është ballafaquar me fashizmin që në orët e para të pushtimit të vendit. 100 burra e djem vullnetarë fierak, u nisën më 7 prill të vitit 1939, në dy drejtime; Vlorë dhe Seman, për të pritur armikun me grykën e pushkës sapo ai të shkelte tokën shqiptare. Ata zhvilluan përpjekje të ashpra në kodrat e Bestrovës, ku mbeti i vrarë Hamdi Metaj nga fshati Peshtan duke shënuar kështu dëshmorin e parë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për rrethin e Fierit. Më 15 tetor 1944, është dita e çlirimit të qytetit të Fierit prej pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo datë, sjell çdo vit tek ne, përjetime të thella krenarie dhe dinjiteti të ligjshëm për heroizmin e pashembullt dhe gjakun e derdhur nga të parët tanë.
Mbas pushtimit të vendit, ashtu si kudo, edhe në Fier filloi organizimi ilegal i rezistencës popullore. Pak ditë më vonë dhe pikërisht më 26 maj 1939 shënohen fillesat e para të aksioneve popullore me thyerjen e izolatorëve të linjave telefonike Fier – Vlorë dhe Fier – Lushnje.
Pas pushtimit të Shqipërisë, Italia fashiste filloi të organizonte edhe pushtimin e Greqisë. Sipas këtij plani ajo instaloi në Fier një nga prapavijat e saj aktive, shtabi i së cilës u vendos në shtëpinë e Stavri Lakos në lagjen “Pasha”. Segmente të tjera ushtarake u vendosën në shtëpinë e Kallogjerëve dhe shtëpinë e Moçëve. Ky strehim në shtëpitë e banuara të qytetarëve fierak, u bë me qëllim që të përdorej popullsia civile e këtij qyteti si mburojë nga sulmet e aviacionit britanik. Pikërisht kjo manovër u shkaktoi fierakëve dëme të pallogaritshme në humbjen e jetës së njerëzve dhe shkatërrimin e pasurisë dhe shtëpive të tyre të banimit.
Më 26 shkurt 1941, anglezët bombarduan Fierin në një vijë zjarri intensive, e cila fillonte nga familja e Bitollarëve në Qenas, vazhdonte në shtëpinë e Gaq Papës (lokali i sotëm ALPAR), në vilën e Kallogjerëvë në lagjen “Pasha” dhe vazhdonte përgjatë drejtimit veri – lindor duke krijuar një vatër të gjerë pranë shkollës së muzikës dhe përtej rrugës në lagjet “Liri” dhe “Bishanakë”. Mbi banesat e popullsisë civile u hodhën 25 bomba të kalibrit të madh dhe 56 bomba të kalibrit të vogël. Si pasojë, nga popullsia civile mbetën të vdekur 18 persona dhe 28 të plagosur. Kjo masakër ishte tragjedia më e madhe civile e ndodhur ndonjëherë në këtë qytet dhe kjo e nxiti edhe më shumë urrejtjen popullore ndaj pushtuesve.
Më 26 maj të po këtij viti në Fier u ndërmor aksioni i parë për thyerjen e izolatorëve të linjave telefonike Fier –Vlorë dhe Fier – Lushnje.
Më 27 qershor 1941, nga Tirana dërgohet në Fier trakti i parë i cili denonconte sulmin e Gjermanisë hitleriane ndaj Bashkimit Sovjetik. Ky trakt u shoqërua me punë të gjithanëshme agjitativo – prapagandistike dhe po ato ditë, nëpër muret e dyqaneve, shtëpive dhe institucioneve shtetërore të qytetit, u shfaqën të shkruara, parrullat e para kundër armikut. Ky aksion bëri që Françesko Jakomoni, mëkëmbësi i Mbretit Viktor Emanueli III, të urdhëronte urgjent formimin e një komisioni për marrjen e masave të “internimit të disa njerëzve të rrezikshëm, që prishnin qetësinë në vend.”
Më 3 mars 1943, në Kraps u formua çeta partizane “Ismail Qemali”. Në fillim të qershorit, armiku ndërmori një operacion ndëshkimor në fshatrat Mbyet, Plyk, Kraps, Seman etj. U dogjën lagje të tëra, u rënuan shtëpi, të mbjella, u shfarosën bagëti dhe u kryen raprezalje të papara në popull. Por popullsia, këtyre masakrave iu përgjigj me shtimin e radhëve partizane me luftëtarë të rinj.
Më më 25 gusht 1943, në Suk formohet Batalioni “Tofik Lapani”, me komandant Hysen Velmishi dhe komisar Tako Baçi. Ky ishte batalioni i parë partizan në rrethin e Fierit. Më 23 shtator të këtij viti në pyllin e Lili Stefit në Seman u krijua batalioni “Semani”, me komandant Halit Kaçanollin dhe komisar Andon Profka.
Më 8 shtator Italia fashiste kapitullon në mënyrë të turpshme dhe më 10 shtator, në Fier, Lushnje dhe Berat futet ushtria gjermane. Më 13 shtator në përpjekje për t’u lidhur me pushtuesit e rinj vritet krimineli Isa Toska dhe popullsia fierake njohu masakrën e dytë civile nga ushtria gjermane ku ngelën të vrarë 13 qytetar të pafajshëm.
Të nesërmen e kësaj date, më 14 shtator 1943, në Fier ndodh një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj periudhe. Brenda një dite dualën partizane 68 vajza fierake. Me aktin e tyre heroik, këto vajza, i dhanë qytetit të tyre të lindjes një emër të nderuar, duke e konsoliduar atë në mënyrë të pashlyeshme në faqen historike të kësaj lufte.
Më 20 tetor në Symizë të Fratanit formohet Grupi i Tretë Fier – Mallakastër me komandant Ferrik Hado dhe më vonë Qamil Hamzo, ndërsa komisar Gjon Banushi e më vonë Bexhet Mema.
Më 4 nëntor në Zharrez krijohet një tjetër formacion luftarak, Batalioni “Petro Sota” me komandant Çelo Arrëza dhe komisar Josif Pogaçe. Ndërkohë, në 20 fshatra, u krijuan çetat territorial, të cilat përfshinin rreth 638 forca rezervë të prapavijës.
Pushtuesi gjerman erdhi me urën e zjarrit në dorë dhe dogji, vrau, internoi e masakroi qindra e mijra njerëz.
Organizimi dhe sakrifica vetmohuese e forcave partizane u shfaq dukshëm në luftën e Kalasë së Margëlliçit dhe Kasnicës më 29 mars 1944. Në këtë betejë dhëmb për dhëmbë me armikun, mbetën të vrarë edhe katër Heronjtë e Popullit, komisarët e komandantët trima: Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Lefter Talo dhe Dino Kalenja.
Ndërkohë, pushtuesit nazistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ndërmarrin Operacionin e Qershorit 1944, i cili përfshiu në zjarrin e armëve teritore të tëra të kësaj krahine. Por forcat partizane ishin në aktivitet të vazhdueshëm e tepër intensiv.
Më 21 korrik 1944, Grupi i III Fier – Mallakastër, sulmoi bazën gjermano- balliste të lagjes “Shkozë” dhe i detyroi ata të tkurreshin në qendrën e fortifikuar të qytetit.
Kudo zhvilloheshin luftime të ashpra.
Ndërsa më 1 shtator nën prefekti i Fierit Zef Pepaj, njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se si pasojë e këtyre sulmeve, “ Forcat e Ballit thuajse janë larguar krejt dhe se çetat partizane rreth e qark Fierit janë jo më shumë se 3 kilometër.”
Por, vendi më strategjik në luftimet për çlirimin e qytetit të Fierit, u bë Qafa e Koshovicës. Këtu organizoheshin të gjitha pritat e autokolonave gjermane, që vinin nga Vlora e shkonin në drejtim të Tiranës. Për 45 ditë Koshovica u kthye në një pikë dominuese me vatër zjarri të pashuar që të kujtonte luftëtarët heroik të Spanjës, të cilët krijuan lajtmotivin e tyre trimëror: NO PASARAN! Thirrja “Këtej nuk kalohet”! ushtoi për 45 ditë edhe në Koshovicë duke e kthyer këtë vend në barrikadë të pakapërcyeshme dhe varr për nazizmin gjerman e bashkëpunëtorët e tyre. Nga këto sulme të furishme Koshovica, do të mbetet në kujtesën historike të kësaj lufte, si një nga përmendoret më të larta të heroizmit partizan.
Më datën 5 shtator, Shtabi i Grupit Tretë Fier – Mallakastër, njoftonte se forcat partizane goditën një autokolonë gjermane që përbëhej nga 5 automobila dhe një autoblindë. “Mbas një ore luftë të rreptë, duke lënë mjaft të vrarë etë plagosur, duke lënë edhe makinat edhe autoblindën të shpartalluar, u futën në Fier të ndjekur këmba këmbës nga partizanët trima.”, thuhej në komunikatë.
Ndërsa në aksin Fier – Lushnje forcat partizane të brigadës XVI sulmuese kryenin sulme të njëpasnjëshme mbi pozicionet e fortifikuara të armikut në lartësitë e kodrave të Ardenicës. Më 1 tetor, në një nga këto sulme të ashpra luftarake bije partizanja trime Feride Hakimi, (Bega) nga Gorishova, e cila arriti pozicionet e armikut fare afër. Po këtu plagoset rëndë edhe zëvendës komisari i batalionit, Sadush Myftari, i cili vdiq mbas 7 orësh.
Më 13 – 14 tetor, Grupi Tretë Fier – Mallakastër dhe Brigada XVI – S, kryen sulmin përfundimtar mbi armikun. Qafa e Koshovicës u bë varri i nazistëve gjermanë. Në këto luftime ranë heroikisht 13 dëshmorë, midis të cilëve Kili Daullja, Avni Muharremi, Ndin Vita, etj.
Më 15 tetor, ditën e dielë, forcat partizane të Grupit Tretë Fier – Mallakastrës dhe Brigadës së XVI –S, hyn fitimtarë në qytetin e Fierit. Në ikje e sipër gjermanët hodhën në erë dy urat e mëdha të këtij qyteti; Urën e gurtë të tipit venecian që lidhte qendrën e tij me lagjen “Shkozë”, ndërtuar në vitin 1777 dhe Urën e Sheqit.