23.10.2026Moti në Fier
Fieri Sot
⌕
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

Nuk gjejnë portën dhe heqin golashënuesit. Zero gola, zero logjikë, Apolonia eksperiment për vetëshkatërrimim

admin · 05.02.2026 · 3 min lexim

Nga Panorama Sport: Apolonia e edicionit 2025–2026 është shndërruar në një rast unik dhe alarmant në futbollin shqiptar, një eksperiment i pashpjegueshëm që vetëm drejtuesit e klubit mund të tentojnë ta arsyetojnë.

Ajo që po ndodh në Fier nuk është më thjesht krizë sportive, por pasojë direkte e një politike të gabuar, kokëfortë dhe thellësisht problematike në menaxhim. 

Klubi fierak ka zgjedhur një rrugë të çuditshme: Jo vetëm që nuk bën afrime në merkato, por shfaq hapur “alergji” ndaj lojtarëve me eksperiencë, duke u fshehur pas justifikimit të promovimit të të rinjve.

Në letër, filozofia e “fidanishteve” mund të tingëllojë bukur, por në praktikë Apolonia po paguan një faturë të rëndë. Pasojat pasqyrohen qartë në rezultatet e fundit, të cilat janë alarmuese.

Në 7 ndeshjet e fundit në kampionat dhe Kupë, Apolonia ka regjistruar një statistikë që flet vetë dhe që e vendos Apoloninë jo më në orbitën e “play off”-it, por në prag të zonës së ftohtë, aty ku rreziku i rënies bëhet real dhe konkret.

Mungesa e golit nuk është më thjesht problem, por është kthyer në një “institucion” brenda klubit.

Ajo që e bën situatën edhe më të pakuptueshme është mënyra se si kanë vepruar drejtuesit me golashënuesit. Në fillim të tetorit, klubi vendosi të pezullojë Antoni Umejiego, në atë kohë golashënuesi më i mirë i kampionatit me 5 gola.

Një vendim kapriçioz dhe i pashpjegueshëm sportivisht, pasi sulmuesi nigerian u “degdis” në ekipin B në Kategorinë e Tretë, vetëm sepse nuk pranoi të rinovonte kontratën dhe pas katër vitesh bashkëpunim kërkoi një aventurë të re dhe më fitimprurëse. Por “lufta” e klubit ndaj golashënuesve nuk u ndal me kaq.

Në fund të merkatos dimërore, Apolonia largoi edhe Xhovalin Trifonin, një tjetër pikë reference në sulm, i cili tashmë do të vazhdojë karrierën në Superiore me Teutën. Dy golashënuesit më të mirë jashtë organikës, ndërsa ekipi nuk shënon prej shtatë ndeshjesh, një paradoks i pastër.

Sot, golat e Apolonisë i janë besuar disa adoleshentëve, ku e vetmja pikë referimi mbetet 16-vjeçari Alvi Mahmutaj, një talent me perspektivë, por i lënë krejtësisht i vetëm. Aktivizimi i tij si titullar justifikohet me dëshirën për promovim, por në realitet po kthehet në një barrë të rrezikshme.

Pa shokë ekipi me eksperiencë pranë, presioni mbi supet e një fëmije shtohet ndjeshëm. Me largimin e Trifonit, përgjegjësia mbi Mahmutajn rritet edhe më shumë, duke rrezikuar jo vetëm zhvillimin e lojtarit, por edhe fatin e skuadrës.

Në këtë mënyrë, Apolonia nuk po ndërton të ardhmen, por po rrezikon të dëmtojë talentin dhe të fundosë të tashmen. Ky është një rast i paprecedentë në futbollin shqiptar, që hyn pa diskutim në listën e çudirave dhe absurditeteve tona sportive.

Mbetet për t’u parë nëse kemi të bëjmë me një projekt të keqkuptuar apo me një politikë të pastër vetëshkatërrimi, ku vendimet e drejtuesve po e çojnë Apoloninë drejt një rruge pa kthim.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *