Home Lajme nga Fieri U cilësua si “terroriste” në Egjipt/ Fotografja fierake rrëfen aventurat

U cilësua si “terroriste” në Egjipt/ Fotografja fierake rrëfen aventurat

481

Për shumë njerëz, udhëtimi është një pushim i planifikuar deri në detaje. Për fotografen fierake Evisa Kasaj, është një zhytje në të panjohurën, një kërkim pasioni që shpesh nis me një guxim të pazakontë: një biletë vetëm vajtje.​

Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, Evisa rrëfeu copëza nga ditari i saj i udhëtimeve, ku rreziku, adrenalina dhe bukuria njerëzore gërshetohen në çdo kilometër.​​

Një nga aventurat më mbresëlënëse të Evisës ishte rrugëtimi nëpër pesë shtete afrikane: Tanzani, Kenia, Ruanda, Uganda dhe Burundi. Për të, mjeti i transportit ishte thjesht një urë drejt tregimeve njerëzore.

“Shkuam në disa fshatra ku ata nuk kishin parë kurrë njerëz të bardhë dhe ishin të frikësuar”, kujton ajo. “Më kujtohet një fëmijë i vogël që vinte më prekte te dora dhe ikte me vrap se i dukej e çuditshme”.

​Përtej takimeve emocionale, Evisa përjetoi edhe atë që ajo e quan “shok kulturor”, siç ishte njohja me ritet e fisit Masai, ku djemtë në pubertet duhet të vrisnin një luan për t’u pagëzuar si burra.​​

Evisa dhe miqtë e saj nuk janë turistët e resorteve komode. Etja për adrenalinë ndonjëherë i ka përballur me situata të tensionuara. Një kalim kufitar me këmbë nga Izraeli drejt malit Sinai në Egjipt u shndërrua në një maratonë marrjeje në pyetje.

“Në kufi na vendosën në dhoma të ndryshme, na pyetën, na kontrolluan telefonat në thellësi, mesazhet, telefonatat dhe rrjetet sociale. Pas shumë kërkimesh për orë të tëra, na lanë të lirë”.

Pasioni për fotografinë i kushtoi shtrenjtë në Egjipt. “Para se të udhëtoj diku lexoj shumë. Disa thoshin që lejohej droni, e disa të tjerë jo. Vendosa ta marr dronin me vete. Nuk e ngrita kurrë në tempuj dhe piramida. E ngrita në shkretëtirë, në disa liqene kripore”.

Megjithëse e përdori dronin vetëm në shkretëtirë, në aeroport pajisja u cilësua si mjet për “akt terrorist”. “Tregova të gjitha fotot për të shpjeguar që nuk ka asgjë të rrezikshme, kam respektuar ligjet, nuk e kam ngritur dronin në zonat e banuara dhe historike. Më thanë: ‘Po deshe hap gjyq’”, tregon Evisa.

Rezultati? Droni u sekuestrua dhe avioni u humb mes plotësimit të formularëve të panumërt.

​Në vitin 2021, nën hijen e pandemisë, Evisa u nis nga Tirana me makinë drejt NordKapp, pikës më veriore të Evropës. Një udhëtim mes drerëve dhe natyrës “së vdekur”, por madhështore të Norvegjisë, i cili përfundoi me një dëbim policor drejt kufirit, pasi Shqipëria konsiderohej zonë e kuqe për Covid-19.

Megjithatë, nëse Islanda mbetet mbretëresha e diversitetit natyror në sytë e saj, Omani mbetet vendi ku ajo la zemrën. “Kur më pyesin se cili është vendi yt i preferuar, para se të shkoja në Kili, kam thënë gjithmonë që për bukuri natyrore është Islanda. Nuk ka vend në botë që ia merr për diversitetin dhe kontrastin e madh natyror që ka. Por për histori njerëzore dhe për mënyrën se si jam ndjerë e mikpritur, është Omani”.

Evisa tregon se bashkë me miqtë e saj fjetën në shtëpinë e një vendasi që punonte me Sulltanin. “Ai na ndihmoi të kthenim monedhat. Ky zotëri dukej shumë i thjeshtë dhe i dashur dhe na ofroi të shkonim në shtëpinë e tij. Ai punonte shumë ngushtë me Sulltanin e Omanit në Moskat. Bashkëshortja e tij nuk doli të takonte grupin, më takoi vetëm mua të nesërmen sepse doja të bëja këna në duart e mia. Kemi fjetur në tokë. Kishin një dhomë gjigante, rreth 60 metra katrorë, ku prisnin miqtë. Ushqimi ishte shumë i mirë, që nga pitet arabe, humus, çaj, kafe dhe hurmat e tyre. Mikpritja ishte shumë e lartë”.

​Evisa Kasaj nuk ndalet. Me sytë nga e ardhmja dhe aparatin gati, objektivat e saj të radhës janë tashmë të qarta: Argjentina dhe Japonia. Për të, bota nuk është thjesht një hartë, por një koleksion historish që presin të fotografohen