Home Lajme nga Fieri Çifti shqiptaro-amerikan, nga Filadelfia në Fier: Shqipëria, më e mirë për të...

Çifti shqiptaro-amerikan, nga Filadelfia në Fier: Shqipëria, më e mirë për të jetuar

1227

AJ, me origjinë nga Filadelfia, vendosi të linte Amerikën pasi njohu Besianën dhe së bashku zgjodhën të jetojnë në Fier, ku ndërtojnë jetën e tyre familjare dhe rrisin fëmijët.

Çifti janë njohur në universitet dhe kanë 10 vite bashkë. Besiana bën me dije se në SHBA ka shkuar e vogël ku ka jetuar për 28 vite. Ajo thekson se prej dy vitesh jetojnë në Shqipëri.

“Kam jetuar 28 vite në Amerikë, kam ikur shumë e vogël. Kemi ardhur këtu kur kishte një kushëri në një dasmë dhe u dashuruam. Vendosëm të jetojmë në Shqipëri dhe kemi dy vite që jetojmë këtu”, tha Besiana.

Aj nga ana tjetër thekson se ka vendosur të jetojë në Shqipëri teksa shton se i pëlqejnë njerëzit dhe vendi.

“Jam nga Filadelfia dhe kam ardhur në Shqipëri sepse doja që fëmijët të rriteshin këtu, të flisnin shqip dhe anglisht. Njerëzit këtu janë të mirë, malet dhe deti janë të bukur, dhe ka shumë histori për të zbuluar.

Unë jam softuer inxhinier dhe krijoj aplikacione. Kam krijuar “One Tap”, që ka 50,000 përdorues. Krijoj aplikacione për iPhone, iPad dhe Mac”, tha ai.

Aj shton se i pëlqen Fieri sepse nuk është qytet shumë i populluar dhe se njerëzit janë të mirë. Çifti kanë dy fëmijë të vegjël.

“Lorenco është 3 vjeç, është në kopësht dhe po mëson shqipen. Xhiani është 7 muaj dhe ai do të shkojë në kopësht. Familja ime është: babi, mami dhe vëllai në Amerikë; xhaxhin dhe hallën i kam këtu.

Ndihem gjithmonë shqiptare dhe kurrë nuk ndihesha kaq shqiptare në Amerikë. Po mësoj pak shqipen dhe po mësoj si jemi ne si njerëz. Është gjaku im, jam shqiptare”, u shpreh Besiana.

Aj thekson se ndihet shqiptar dhe se në Shqipëri kalohet shumë bukur.

“Ndihem shqiptar, kemi disa vlera këtu dhe të do familja. Për shqiptarët mendoj që ka gjithçka që të duhet dhe është një vend ku mund të kalosh shumë mirë”, tha ai.

euronews.al