Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) zhvilloi sot mbledhjen për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u zgjodh Klodian Braho, i cili mori 7 vota.
Të katër kandidatët, Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, paraqiten përpara anëtarëve të KLP-së platformat dhe vizionin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Mbledhja u organizua në praninë e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.
Shtegto mes ullinjve të moçëm të vendit tonë. Sa vjeçar është një ulli dhe ku gjenden më të vjetrit në Shqipëri?
Gjergj Kota
Jo larg Tiranës, në Ndroq, një fshat ku gojëdhënat shtrihen që nga kohët mesjetare, shkëputemi për një ditë ndryshe, larg qytetit, në shtigjet e hiking-ut, mes ullinjve të lashtë, shekullorë e ndoshta mijëvjeçarë.
Shpatet kodrinore me tarraca guri, aroma e ullirit dhe hijet e trungjeve madhështorë krijojnë një peizazh tipik mesdhetar. Këtu, në mbretërinë e ullinjve të moçëm, e shikon qartë se koha matet me trungje dhe rrënjë.
Peizazh nga ullinjtë e vjetër në kodrat e Ndroqit. Foto: Autori.
Por sa vjeçar mund të jetë vërtet një ulli dhe ku gjenden më të vjetrit ullinj në Shqipëri? Legjendat flasin për mijëvjeçarë, ndërsa shkenca kërkon prova. Si matet mosha e një peme që shpesh s’ka më “zemër druri” dhe çfarë na tregojnë metodat moderne për këta “pleq të gjelbër”?
Ullinjtë mesdhetarë: midis legjendës dhe shkencës
Ulliri është një emblemë e rajonit mesdhetar dhe simbolizon paqen, mençurinë dhe harmoninë që nga lashtësia. Origjina e ullirit të kultivuar lidhet me Lindjen e Afërt; nga lindja u përhap përgjatë brigjeve të Mesdheut.
Në shumë vende mesdhetare gjenden ullinj mijëravjeçarë të cilët vazhdojnë të prodhojnë fruta, por datimi i saktë i moshës së tyre mbetet sfidues.
Pse është i vështirë datimi tek ulliri? Ndryshe nga drurët e tjerë, ulliri rritet në mënyrë jo të rregullt. Shpesh i mungojnë unaza vjetore të plota dhe trungjet e vjetër bëhen të zbrazët nga brenda.
Kjo do të thotë se metodat e zakonshme si numërimi i unazave të trungut nuk japin rezultate të besueshme.
Metoda alternative si datimi me karbon-14 përdoret për pjesët e mbetura të drurit.
Shkencëtarët vlerësojnë se me kombinim metodash, mosha maksimale e konfirmuar e ullinjve zakonisht arrin 300–500 vjet (disa studime e zgjerojnë deri rreth 700 vjet). Megjithatë, traditat dhe gojëdhënat vendore dhe analiza indirekte shpesh pretendojnë se disa ullinj janë mijëravjeçarë.
Për shembull, Ulliri i Vouves në Kretë vlerësohet të ketë 2,000–4,000 vjet jetë; në Portugali, ulliri i Mouchão mendohet ~3,350-vjeçar; ndërsa “Stara Maslina” pranë qytetit Tivar të Malit të Zi është datuar diku midis 2,014 dhe 2,480 vjeç.
Gjithashtu, Libani dikur pretendonte pemë 4,000-vjeçare, por një studim i vitit 2024 tregoi se më e vjetra prej tyre ishte rreth 1,100 vjeç, kurse shumica ~500-vjeçare. Këta shembuj nxjerrin në pah se legjendat e moshës shpesh i tejkalojnë provat shkencore.
Pavarësisht kësaj, ullinj të lashtë mbi 1,000 vjeç ekzistojnë dhe janë monumente të gjalla: p.sh., ullinjtë Bidni në Maltë janë konfirmuar me karbon-14 rreth 2,000-vjeçarë dhe mbrohen që prej vitit 1933.
UNESCO e ka shpallur 26 nëntorin “World Olive Tree Day”, me synim ruajtjen e ullishtave dhe biodiversitetit, dialogun kulturor dhe rolin socio-ekonomik të ullirit; një kujtesë se ulliri është pjesë e identitetit dhe trashëgimisë mesdhetare.
Shqipëria: pasuria dhe boshllëku
Shqipëria, një vend mesdhetar me traditë mijëravjeçare në ullishtari, krenohet me pasuri të jashtëzakonshme të ullinjve të vjetër, por njëkohësisht vuan nga boshllëqe në dokumentimin dhe mbrojtjen e tyre.
Sipas një studimi agronomik, nga ekspertët H. Ismaili dhe B. Gixhari, në 53 fshatra të Shqipërisë numëroheshin rreth 136 mijë rrënjë ullinj të vjetër (shumëshekullorë).
Nga njëra anë, kemi trashëgimi natyrore mbresëlënëse. Ullinj që përbëjnë jo vetëm kultivarë autoktonë me vlerë, por edhe destinacione potenciale turistike. Nga ana tjetër, nevojitet një regjistrim shkencor pemë-më-pemë dhe një regjistër digjital publik me ID, koordinata dhe datim laboratorik për të certifikuar këta ullinj.
Ku rriten legjendat?
Ku ndodhen ullinjtë më të lashtë të Shqipërisë? Studime vendase dhe vëzhgime lokale tregojnë se dy vatrat kryesore janë rajoni i Tiranës dhe rajoni i Vlorës, pa përjashtuar edhe Beratin, Lezhën e Krujën.
Në zonat e Tiranës (Petrelë, Lanabregas, Tufinë, Ndroq, Prezë, Brar, Tujan) ka ullinj që mendohet të kenë moshë rreth 2,000 – 3,000 vjet.
“Ullinjtë kurrë nuk mund të vdesin”. Kjo hiperbolë vendase lidhet me aftësinë e ullirit për të rilindur. Edhe kur trungjet shekullorë thahen ose digjen, nga rrënjët nëntokë shpërthejnë fidanë të rinj, duke vijuar jetën e pemës potencialisht pafundësisht. Prandaj vendasit thonë se ulliri “jeton përgjithmonë”.
“Shtegu i Kalasë – Ndroq” kalon përmes ullishtave të vjetër, si dhe në kalanë mesjetare të Varoshit. Gjatë ecjes, me Fisnik Muçën, një zë i rëndësishëm në komunitetin e udhërrëfyesve malor (President i Albanian Mountain Leaders), gjendemi përmes qindra ullinjve të përkulur nga shekujt.
Fisniku na tregon se disa nga ullinjtë rreth Ndroqit mund të jenë 2,000–2,500 vjeç, ndërsa edhe më të vjetër ndodhen në afërsi të Malit të Dajtit dhe fshatit Tujan. Këta gjigantë të gjelbër kanë përballuar ndryshime klimatike të shumta ndër shekuj.
Por duhet theksuar se ende nuk ka një projekt të mirëfilltë, në mënyrë që këto pemë të kenë datimin dhe certifikimin e tyre.
Përtej Tiranës, Berati është një tjetër vatër historike e ullirit. Jo rastësisht, varieteti kryesor autokton quhet “Ulliri i Beratit”. Në fshatin Drobonik ndodhet një ulli monumental, i cili njihet si “Ulliri i Palikështit (Drobonikut)”.
Kjo pemë është shpallur Monument Natyror dhe pretendohet se është mbi 2000-vjeçare. Media lokale e ka quajtur madje “ulliri më i vjetër në Ballkan” (2,000-vjeçar).
Kjo mund të jetë e diskutueshme, por gjithsesi tregon reputacionin që ka Berati për ullinjtë antikë. Në kalanë e Beratit dhe përreth saj ka qindra ullinj të moçëm, disa ndoshta të mbjellë që në kohën e Bizantit.
Gjithashtu, brigjet e Vlorës dhe Himarës janë të njohura për ullishta të stërlashta. Në Kaninë (fshat mbi qytetin e Vlorës) thuhet se ullishtat datojnë nga koha e Pirros së Epirit. Në Qeparo e Borsh, në bregdetin e Himarës, tarracat e gurta janë ende të mbuluara me ullinj shekullorë të trashëguar brez pas brezi.
Në Krujë e Lezhë, klima më e butë mesdhetare në shpatet kodrinore ka favorizuar po ashtu ullinj të vjetër. Në Kurbin (Laç) përmenden disa pemë ulliri me moshë të madhe, zona e Laçit mund të ketë ullinj mbi 2000-vjeçarë, ndonëse dhe kjo kërkon verifikim.
Hartë orientuese e zonave me ullinj të vjetër në Shqipëri. Pikat shënojnë zonat me ullinj të vjetër pretendentë dhe/ose monumente natyre. Vendndodhjet janë të përafërta.
Disa guida dhe entuziastë pohojnë se në Shqipëri ka rreth 16 000 ullinj mbi 1500 vjeç; shpesh thuhet se shumë prej tyre kanë qenë tashmë të vjetër edhe në kohën e Skënderbeut (shek. XV).
Ndonëse kjo shifër duhet konfirmuar, fakti është që shumë ullinj të Shqipërisë i kanë rrënjët në antikitetin e vonë dhe mesjetën e hershme.
Këto pemë janë dëshmitarë të heshtur të historisë. Kanë përballuar luftërat osmane, kanë ushqyer kryengritësit me vajin e tyre dhe kanë vazhduar ciklin stinë pas stine, pavarësisht ndryshimeve të kufijve dhe popullsive.
Fisniku vë në dukje se publiku dhe turistët vuajnë nga mungesa e informacionit për këta ullinj monumentalë. Ai thekson se shumë prej këtyre pemëve gjenden në prona private ose komunitete të vogla dhe nuk kanë tabela apo të dhëna informuese.
“Vizitorët kalojnë pranë një ulliri 2000-vjeçar dhe nuk e marrin vesh kurrë”.
Po ashtu, Muça nënvizon se ndryshimet klimatike aktuale, thatësirat e zgjatura, verat më të nxehta, janë sfida të reja për këta “pleq të gjelbër”, por fakti që ata kanë mbijetuar ndryshime të mëdha klimatike në të kaluarën i bën relativisht të qëndrueshëm.
Këto pemë duket sikur kanë “imunitet historik”, por pa mbrojtje ligjore dhe pa kujdesin e duhur, edhe ato mund të pësojnë dëme nga aktiviteti njerëzor.
Nga ligjet te realiteti: sa funksionon mbrojtja?
Mbrojtja e ullinjve shekullorë në vendin tonë mbështetet kryesisht te koncepti “Monument Natyror”. Sipas ligjit për zonat e mbrojtura, një pemë me rëndësi të veçantë shkencore ose estetike mund të shpallet monument natyre me vendim të Këshillit të Ministrave.
Aktualisht, disa ullinj individualë gëzojnë këtë status (p.sh. Ulliri i Qejfit në Elbasan, Ulliri i Drobonikut në Berat). Por listimi është i pjesshëm, udhëzimet teknike mungojnë dhe nuk ka ligj të posaçëm për drurë të vjetër (mbrojtje automatike sipas moshës/dimensionit).
Politikat bujqësore, përmes subvencioneve, nxisin mbjelljet e reja; megjithatë, nuk parashikohet kompensim kur hiqen ullinj të vjetër jo të listuar si “Monument Natyror”. Statistikat kombëtare raportojnë miliona rrënjë në prodhim pa dalluar mbjelljet e reja nga ekzemplarët shekullorë.
Në Greqi, tradita e ruajtjes është e thellë që nga antikiteti, ndërsa theksi është te ruajtja e pemëve ekzistuese dhe lejet strikte për ndërhyrje.
Ruajtja dhe menaxhimi i ullinjve vlerësohen si pjesë e identitetit kulturor dhe peizazhit në këtë shtet. Në ishullin e Kretës, disa pemë ulliri mijëravjeçare kanë status të ngjashëm me monumentet kulturore dhe mbrohen nga autoritetet vendore.
Ndërsa në Ulqin, Mal i Zi, ullishta e Valdanosit është simbol i trashëgimisë për Ulqinin, me rreth 18 mijë rrënjë ulliri.
Megjithëse zona ka statusin e peizazhit kulturor, shembujt e lejeve të kufizuara brenda ullishtës tregojnë se statusi formal nuk mjafton pa rregulla të qarta zbatimi dhe kontroll real në terren. Në Ulqin, reagimi i komunitetit lokal ka qenë thelbësor për të frenuar betonizimin.
Ekonomia dhe “Made in Albania”
Shqipëria ka miliona pemë ulliri në prodhim. Sipas INSTAT, prodhimi kombëtar ka pasur një trend rritës afatgjatë që prej fundviteve ’90, me nivel shumë të lartë në 2023 – 2024.
Kjo bazë prodhuese, e konsoliduar vitet e fundit, ka mbështetur një ritëm të ri zhvillimi në tregti.
Për shembull, në 2017, Shqipëria eksportoi vetëm 113 tonë vaj ulliri, ndërsa në 8-mujorin e parë 2023 u eksportuan rreth 4,400 tonë (kryesisht drejt Italisë).
Rritja e eksporteve po ecën krah për krah me përpjekjet për përmirësim cilësie. Prodhuesit shqiptarë historikisht kanë nxjerrë vaj të mirë (i përmendur që në kohët e Apolonisë), por shpesh u mungonte standardizimi dhe certifikimi.
Tani, falë kooperativave të grumbullimit dhe investimeve në minifabrika moderne (p.sh. në Zadrimë, Berat, Vlorë) që plotësojnë standardet e BE-së, shumë marka lokale kanë marrë certifikata BIO/organike, sidomos për varietete autoktone si Kalinjoti (Vlora) dhe Krypsi i Beratit.
Një hap i arsyeshëm përtej teknologjive të larta është krijimi i markave kolektive rajonale, p.sh. “Made in Berat” ose “Ulliri i Zadrimës”. Këto diferencime cilësore e gjeografike mund të rrisin çmimin mesatar të vajit shqiptar, historikisht i ulët për shkak të marketingut të dobët.
Edhe pse jo shumë produktivë, ullinjtë e moçëm kanë vlerë ekonomike përmes turizmit dhe markës. Në Maltë, vaji nga ullinjtë 2000-vjeçarë “Bidni” shitet si suvenir unik me çmim shumë të lartë dhe të ardhurat shkojnë pjesërisht për mirëmbajtjen e pemëve.
Shembull ky i një agroturizmi të qëndrueshëm. Në Greqi e Itali përdoret gjurmueshmëria “nga pema në shishe”. Një stampë “Made in Albania” me QR në etiketë mund të lidhë lotin me ullishtën, varietetin dhe parametrat e cilësisë.
Turizmi i ullirit
Turizmi i qëndrueshëm në Shqipëri ka nisur të diversifikohet. Përveç plazheve dhe alpeve, tani flitet edhe për turizmin agrar dhe kulturor.
Krahas vizitave në kantina vere dhe ferma, tani edhe ullishtat e vjetra po tërheqin vëmendjen. Në këtë kontekst, ulliri po shndërrohet në një atraksion më vete.
Shtegu tematik i Ndroqit, ngjitet drejt kalasë së Varoshit. Udhërrëfyesit (shpesh nga grupet e guidave malore) e kanë integruar historinë e ullinjve në tregimet e tyre. Vizitorët informohen se do t’i shoqërojnë pemë ulliri shumëshekullore gjatë ngjitjes.
Disa prej ullinjve këtu vlerësohen rreth 500–600-vjeçarë (bazuar në trashësinë dhe gojëdhënat lokale). Për shembull, pranë rrënojave të kalasë së Varoshit, gjendet një trio ullinjsh të mëdhenj, që sipas banorëve datojnë nga koha e princërve Topiaj (shek. XIV).
Krahas Ndroqit, në zonën e Tiranës, një tjetër shteg tematik është në fshatin Marikaj, ku ndodhet edhe ullishta shekullore e Subashëve. Në Marikaj, Fabrika e Vajit “Subashi” është një impiant modern që u lehtëson fshatarëve përpunimin e vajit.
Ajo funksionon gjithashtu edhe si qendër vizitore dhe edukative, ku vizitorët mund të informohen për ullinjtë e vjetër të zonës, të ndjekin procesin e nxjerrjes së vajit dhe të bëjnë degustim të vajit.
Po ashtu, mund të vizitohen fshatrat nën malin e Dajtit (p.sh. Tujan, Brar), ku gjenden disa nga ullinjtë më të lashtë pranë Tiranës, si dhe punishte tradicionale vaji.
Në ullishtat e Marikajt takojmë Mehdiun, banor i zonës, që na tregon ullirin e moçëm ~2 500-vjeçar. Foto: Autori.
Në Berat mund të vizitohen ullinjtë monumentalë të Palikështit/Drobonikut (5 km nga qyteti), ku turistët mund të shohin ullirin 2000-vjeçar dhe të mësojnë mbi legjendat lokale.
Gjithashtu, edhe ullishtat e vjetra në fshatin Kapinovë, janë tërheqës për vizitorët.
Një vizitë në një kooperativë vaji ku mund të shpjegohet procesi i përpunimit modern dhe historik shoqëruar me degustim “vaj ekstra i virgjër Berati” dhe produkte të tjera lokale, mund të plotësojë më së miri një tur tematik në këtë zonë.
Vlora dhe “Riviera e Ullirit” ofrojnë një itinerar tërheqës nga Kanina në Himarë. Duke filluar nga kalaja e Kaninës me ullishta të lashta përreth, vazhdohet më tej nëpër bregdetin e jugut, ku mund të përshkruhen shtigjet që kalojnë mes ullishtave të vjetra përmes fshatrave Dhërmi, Vuno, Himarë e Qeparo, me qindra ullinj të vjetër.
Ndërsa në Borsh mund të vizitohen punishtet e vajit. Edhe zona e Sarandës, nga Delvina e deri në Butrint, ofron një kombinim të ullinjve të moçëm me kulturën e lashtë.
Këto itinerare promovojnë idenë se Riviera Shqiptare krahas detit, ofron edhe kodrina ullinjsh mijëravjeçarë.
Në veri të Shqipërisë mund të vizitohen ullishtat e moçme rrëzë malit të Krujës, përreth kalasë, që zënë fill shumë kohë para periudhës së Skënderbeut. Shumëkush mendon se veriu i Shqipërisë nuk lidhet me ullirin.
Por zona e Kurbinit, Lezhës e deri në Zadrimë, ka një klimë mesdhetare përgjatë Drinit që e mundëson rritjen e tij. Dhe këtu ndodhen disa prej ullishtave më të vjetra të veriut, të cilat mund të vizitohen së bashku me agroturizmet e zonës.
“Ulliri më i vjetër në Shqipëri?”
Me Fisnikun, në shtegun tematik të ullinjve në kodrat e Ndroqit, teksa kalojmë pranë fshatit Kërçukje, vizitojmë një pemë ulliri mjaft të moçme, në pronësi të familjes Hasa, e cila mendohet të jetë 2000-2500-vjeçare. Iu deshën 11 personave nga grupi ynë, që ta rrethonim trungun e saj duke mbajtur duart të lidhura me njëri-tjetrin.
Dhe vetvetiu lind një pyetje që ngjall kureshtje. Cilët janë ullinjtë më të vjetër në vendin tonë? Për ta shpallur një pemë “më të vjetrën”, do të duhej kombinimi i disa kritereve si analiza dendrokronologjike, datimi me radiokarbon, madhësia e trungut (diametër/cirkumferencë) si dhe dokumente historike/triangulim.
Në praktikën vendase përdoret shpesh regresioni ortogonal, një përafrim statistikor që, mbi parimin “sa më i madh trungu, aq më e vjetër pema”, kalibron marrëdhënien madhësi-moshë duke korrigjuar pasaktësitë në të dyja matjet.
Prof. Hairi Ismaili, një nga studiuesit më të njohur të ullirit në Shqipëri, rendit, ndër të tjerë, disa grupe pretendente, si ullinjtë nga më të vjetrit në Shqipëri.
(1) Ullinjtë në Brret (Gërdec–Palaq), me moshë të vlerësuar rreth ~3 000 vjet;
(2) Ullinjtë e Tujanit (nën Dajt), ~2 500–3 000 vjet;
(3) Ullinjtë e Tufinës, ~2 500–3 000 vjet;
(4) Ullinjtë e Pulazeqinit (Vlorë), ~1 500–2 000+ vjet;
Datimi pemë-më-pemë, me kombinimin e këtyre kritereve dhe certifikimin individual, do të ishte i domosdoshëm. Deri atëherë, do të vazhdojmë të kemi disa “më të vjetër” dhe kjo s’është keq, sepse mban gjallë debatet dhe interesin.
“Ulliri më i vjetër”, përtej statistikave dhe rekordeve është simbol i lidhjes sonë me të shkuarën. Identifikimi dhe konfirmimi i vjetërsisë së këtyre pemëve krijon një urë të drejtpërdrejtë midis nesh dhe lashtësisë.
Ullinjtë e moçëm të Shqipërisë janë një pasuri e shumëfishtë: natyrore, kulturore, historike, ekonomike dhe shpirtërore dhe mund të bëhen shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm si destinacione, si markë kombëtare dhe si thesar historish të gjurmueshme.
Aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar këtë të enjte (11 dhjetor) për tre orë, nga ora 14:00 deri në 17:00 (me orën greke), për shkak të protestës që do të zhvillojnë sërish fermerët.
Gjatë orëve të bllokimit, qarkullimi do të lejohet vetëm për automjetet me emergjenca shëndetësore.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe u sugjeron të planifikojnë udhëtimet në orare të tjera të ditës për të shmangur vonesat.
Protesta e fermerëve në Greqi është pjesë e një seri aksionesh që ata zhvillojnë për të kërkuar përmirësimin e kushteve të punës dhe të subvencioneve bujqësore.
Qeveria synon të përfshijë në kurrikulat e arsimit parauniversitar, në formë më të zgjeruar Inteligjencën Artificiale.
Agjenda Digjitale Për Arsimin 2025-2030 rendit si një ndër pikat që do të ketë fokus të shtuar Inteligjencën Artificiale duke pasur parasysh praktikat që po ndjekin vende të tjera ku edukimi nis herët në bankat e shkollës.
“Përfshirja e Inteligjencës Artificiale në kurrikulën e TIK-ut në arsimin parauniversitar: Me rritjen e përdorimit të IA-së në jetën tonë të përditshme, edukimi rreth IA po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Konsensusi global i shprehur në dokumentin e UNESCO-s 6, “Konsensusi i Pekinit për IA-në dhe Arsimin” mbështet integrimin e IA në kurrikulat shkollore. Kjo masë synon të zhvillojë dhe integrojë Inteligjencën Artificiale (IA) në arsimin parauniversitar, duke e përfshirë brenda edhe në kurrikulën ekzistuese të TIK-ut, veçanërisht për nxënësit nga klasa IV deri në klasat më të larta” thuhet në dokument.
Ky i fundit sjell si shembuj vende të tjera si Kina, Koreja e Jugut apo Gjermania.
Sipas Agjencisë ndërsa IA bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në arsim, disa vende kanë filluar ta integrojnë atë në kurrikulat e tyre të TIK-ut ose në lëndë të ndryshme.
Qasjet e integrimit janë të ndryshme, duke përfshirë kurrikula të veçanta për IA-në si lëndë të pavarura, kurrikulat ndërdisiplinore që kombinojnë IA-në me mësimin e bazuar në projekte, kurrikula fleksibël, që shkollat i përshtatin në nivel lokal dhe kurrikula të integruara, që përfshijnë IA në lëndët ekzistuese, si TIK dhe matematika.
”Për shembull, Kina mbulon IA nga klasat I deri në XII brenda shkencës së informacionit, ndërsa edukimi mbi IA-në në Indi është i përfshirë në laboratorët STEM për klasat VI–XII.
Republika e Koresë përfshin IA-në në matematikë dhe në ekonomi shtëpiake për klasat IX–XII, ndërsa Gjermania lejon që rajonet të vendosin për integrimin e kurrikulës së IA-së në klasat I–XII.
Këto modele të ndryshme nxjerrin në pah tendencën globale të përfshirjes së IA-së në sistemet arsimore për të përgatitur nxënësit për të ardhmen” nënvizon dokumenti i publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Media greke i ka kushtuar një artikull projekteve të Jared Kushner në Shqipëri dhe Serbi si dhe “dashurinë” që Ivanka Trump ka shfaqur për vendin tonë. Sazani, dikur një bazë ushtarake sekrete dhe sot një nga zonat më të paprekura të Mesdheut, njihet për bukurinë e tij natyrore dhe biodiversitetin e pasur, nga shpendët e rrallë deri te breshkat e detit.
Protothema kujton se lidhja e Ivanka Trump me Shqipërinë nisi katër vite më parë, kur ajo dhe Kushner u impresionuan nga Sazani gjatë një vizite të organizuar posaçërisht nga autoritetet shqiptare. Që atëherë, Kushner ka sjellë arkitektë e këshilltarë dhe ka shprehur gatishmërinë për të investuar mbi 1 miliard dollarë në Sazan dhe zonën përreth.
Në të njëjtën kohë, dhëndri i ish-presidentit amerikan po planifikon ngritjen e një “Kulle Trump” në Beograd, në truallin e ish-komandës së ushtrisë serbe të bombarduar nga NATO në vitin 1999. Projekti ka shkaktuar reagime të forta në Serbi, sidomos pasi qeveria hoqi statusin e mbrojtur të godinës për t’i hapur rrugë ndërtimit, duke u akuzuar për mungesë transparence dhe favorizim të investitorëve të huaj.
Media greke sjell edhe kritikat e aktivistëve shqiptarë e serbë, të cilët shprehen të shqetësuar për ndikimin mjedisor, prishjen e hapësirave të mbrojtura dhe përfshirjen e kompanive me rekorde të dyshimta. Për ta, projektet e Kushnerit në Ballkan mbeten më shumë çështje biznesi sesa zhvillimi të qëndrueshëm, ndërsa financimi i madh i ardhur nga Lindja e Mesme shton pikëpyetje për transparencën e investimeve.
Shkrimi i plotë i medias greke:
Sazani, një masë e vogël shkëmbore në mes të Adriatikut, kohët e fundit është bërë i njohur si “Ishulli Trump”: një copë tokë që qeveria shqiptare po përgatitet t’ia japë Jared Kushner për zhvillimin e turizmit.
Në të njëjtën kohë, dhëndri i presidentit amerikan po planifikon njëkohësisht një “Kullë Trump” në qendër të Beogradit, duke provokuar reagime të forta si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri.
Siç raporton francezja LePoint në homazhin e saj të gjerë , Sazani duket si parajsë në sipërfaqe. Një “xhevahir i vogël” në Adriatik, një mbretëri gjarpërinjsh, karkalecash, zogjsh dhe, siç thonë, madje edhe disa arinjsh që gjejnë strehë në bimësinë natyrore të livandos së egër dhe pishave treqindvjeçare.
Në verë, disa varka transportojnë turistë nga Vlora fqinje për një not dy-orësh në një plazh të madh, përpara se të shkojnë në shpellën e Haxhi Aliut, piratit të shekullit të 17-të i cili, sipas legjendës, fshehu atje arka me monedha ari. Ishulli është bërë gjithashtu një strehë për breshkat e detit.
Për gjashtëdhjetë vjet, Sazani ishte një bazë ushtarake sekrete, nga e cila sot kanë mbetur vetëm mitralozë të shkatërruar dhe mijëra mina.
Enver Hoxha ishte thellësisht dyshues. Diktatori komunist që sundoi Shqipërinë për gati katër dekada i frikësohej një zbarkimi nga italianët, jugosllavët, amerikanët dhe madje edhe rusët. Pas rënies së regjimit në fillim të viteve 1990, Sazani u bë tokë e askujt, ishulli i fundit i pabanuar në Adriatik.
Dashuria e Ivankës për Sazanin, ushqimet e detit dhe Ramën
“Lidhja e dashurisë” e Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner me Sazanin është tashmë pothuajse një histori lokale. Ndodhi katër vjet më parë, kur çifti po kalonte pushimet me fëmijët e tyre në Greqi. Në Tiranë, ku qeveria dhe biznesmenët ëndërrojnë të ndërtojnë hotele luksoze dhe numri i turistëve është trefishuar në një dekadë, vizita u pa si një mundësi.
Auron Tare, një ish-arkeolog i cili sapo kishte marrë detyrën si drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar Bregdetar të Shqipërisë, organizoi një vizitë të përshtatur për nevojat e Trump-Kushner dhe disa investitorëve të tjerë potencialë, përfshirë Nasser al-Khelaifi, kreu i Paris Saint-Germain, dhe një biznesmen nga Emiratet e Bashkuara Arabe. U sigurua një helikopter dhe një jaht luksoz.
Tare i njeh vendet më të mira në zonë. Ai i tregon grupit vilën spektakolare të ndërtuar nga George Tenet, djali i emigrantëve shqiptarë dhe ish-drejtor i CIA-s nën Bill Clinton dhe George Ë. Bush. Ai organizon një drekë në restorantin më të mirë me ushqime deti në zonë, të organizuar nga ish-shoku i tij i skuadrës në basketboll, vetë kryeministri Edi Rama. Në pushtet që nga viti 2013, Rama duket si një njeri i ngrohtë, mesdhetar, informal – dhe ai e njeh personalisht Donald Trumpin, të cilin e ka takuar në samite ndërkombëtare.
Operacioni konsiderohet i suksesshëm nga të gjitha anët. Ivanka Trump dhe Jared Kushner kanë filluar të flasin hapur për atë që mund të bëjnë me ishullin që Shqipëria është gati ta heqë dorë.
Ata po sjellin arkitektë dhe avokatë. Vitin pasardhës, Kushner kthehet në vend. Së bashku me partnerët e tij, ai deklaron gatishmërinë e tij për të investuar pak më shumë se 1 miliard dollarë, jo vetëm në Sazan, por edhe në gjirin e tij, në një rrip të madh toke në veri të Vlorës që aktualisht mbetet i pazhvilluar. Dhjetorin e kaluar, një muaj pasi Donald Trump u rizgjodh në president, Kushner nënshkruan një marrëveshje paraprake për një qira 99-vjeçare.
Entuziazmi i shpejtë i Ivankës për Sazanin ka gjithë shkëlqimin e një historie pushimesh ekzotike. Por, mbi të gjitha, është çështje parash të mëdha. Jared Kushner nuk është thjesht një investitor naiv. Grupi i tij me bazë në Miami menaxhon asete me vlerë disa miliardë dollarë në të gjithë botën, kryesisht në Lindjen e Mesme, ku investitorët sauditë janë partnerët dhe aksionarët e tij kryesorë.
Bizneset në Serbi dhe reagimet
Kushner nuk e zbuloi Ballkanin nga udhëtimi në Sazan. Një nga “udhëzuesit” e tij kryesorë në rajon është Richard Grenell, një ish-ambasador i SHBA-së në Gjermani , të cilin Trump e emëroi si të dërguar të posaçëm në Serbi dhe Kosovë gjatë mandatit të tij të parë.
Grenell është gjithashtu njeriu që negocioi, në emër të Kushner, një marrëveshje të dytë të madhe në rajon: blerjen e një blloku të tërë ndërtesash në qendër të Beogradit.
Vendi, sot, duket si një grumbull rrënojash. Ishte selia e vjetër e ushtrisë serbe, e cila u bombardua në vitin 1999 nga forcat ajrore të NATO-s në luftën e Kosovës dhe që atëherë është braktisur pas rënies së Slobodan Millosheviçit. Për ata nostalgjikë për Jugosllavinë, është një simbol i shenjtë, ndërsa për brezin e ri, i cili ëndërron pranimin e vendit në BE, është një relike e mallkuar.
“Kulla Trump” e ardhshme, siç do të quhet, është planifikuar të strehojë një hotel luksoz, një qendër të madhe tregtare dhe rezidenca luksoze. Për shumë, ajo tashmë është bërë një simbol i biznesit ekstrem dhe praktikave të errëta qeveritare.
Për t’ia dhënë truallin Kushnerit, u miratua një ligj i posaçëm: statusi i ndërtesës si monument në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore duhej të hiqej.
Një punonjës i Ministrisë së Kulturës preferoi të jepte dorëheqjen sesa të nënshkruante planin. Avokatja Katarina Kostic deklaron me indinjatë: “Nëse na pëlqen apo jo stili i ndërtesës siç ishte para bombardimeve është një çështje. Por plani për “Kullën Trump” është një mohim i historisë sonë. Do të ia vlente të zhvillohej një dialog kuptimplotë rreth planifikimit urban të qytetit tonë.”
Në zyrën e tij, pranë presidencës dhe parlamentit serb, Radovan Kupres, themeluesi i organizatës CRTA që lufton për transparencë në politikë, është gjithashtu i zemëruar, por për arsye të ndryshme. “Problemi nuk është në të vërtetë familja Trump,” thotë ai . “Problemi është klasa jonë politike. Ne jemi një nga vendet më të korruptuara në botë dhe gjithçka u bë nën tavolinë.”
Ai është veçanërisht i shqetësuar për partnerin e Kushnerit, një investitor emiratian i cili mori përsipër rindërtimin e brigjeve të Savës, një degë e Danubit që kalon nëpër Beograd, dymbëdhjetë vjet më parë. “Është shumë e shëmtuar nga ana estetike”, vëren ai. “Ata dëbuan mijëra njerëz që kishin jetuar atje për dekada dhe, mbi të gjitha, u dhanë pjesë të tokës zyrtarëve të lartë përmes procedurave të çuditshme”.
Deputeti i të Gjelbërve, Robert Kozma, është edhe më i ashpër. Për të, “fundi i sundimit presidencial të Aleksandar Vuçiç është i mjerueshëm”. “Ai është një nacionalist i dukshëm”,shton ai. “Ai filloi nga e djathta ekstreme, bazuar në urrejtjen për Perëndimin që na bombardoi në vitin 1999, dhe tani po luan poker me asetet kombëtare.”
Sipas Kozmës, të gjithë po marrin një pjesë, përveç vetë serbëve. “Edhe Emmanuel Macron,” thotë ai. “Për të mbështetur dosjen tonë të pranimit në BE, Vuçiç i ofroi kontratën e metrosë një kompanie franceze. Javën e kaluar, ai i shtroi tapetin e kuq Xi Jinping me fjalët: ‘Merr çfarë të duash!’ Ai është në marrëdhënie të mira me rusët, nga të cilët blejmë naftë. Por pika kulmore është Donald Trump.”
Deputeti përshkruan me zhgënjim vizitën e njërit prej djemve të presidentit amerikan në Beograd në prill 2025 si pjesë e një serie fjalimesh të paguara të titulluara “Vizioni i Biznesit Trump 2025”. “Ofrimi i një parcele të mirë toke dhëndrit të Trump nuk pati asnjë dobi,” thotë ai. Si provë, ai citon vendimin e fundit të SHBA-së për të rritur tarifat për produktet serbe në 35%, si dhe sanksionet kundër vendit për shkak të pjesëmarrjes së kapitalit rus në kompaninë shtetërore të naftës.
Zhvillimi i pasurive të paluajtshme me Jared Kushnerin padyshim nuk është një opsion neutral, as për Serbinë dhe as për Shqipërinë. Ai u ofron atyre qasje në kapital si nga Lindja e Mesme ashtu edhe nga Uashingtoni. Ndryshe nga mandati i parë i vjehrrit të tij, kur ai kishte një rol zyrtar në Shtëpinë e Bardhë si këshilltar special dhe negocioi Marrëveshjet e Abrahamit të vitit 2020, të cilat çuan në normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe një numri vendesh arabe, Kushneri aktualisht nuk mban një pozicion institucional.
Në praktikë, megjithatë, ai mbetet shumë i fuqishëm. Për çështjen ukrainase, Steve Ëitkoff dhe Marco Rubio, negociatorët amerikanë, i referohen atij. Kushner po udhëheq drejtpërdrejt pjesën e “rindërtimit” të planit të paqes, nga i cili bizneset amerikane pritet të përfitojnë ndjeshëm. Gjatë luftës në Gaza, ai ishte gjithashtu në vijën e parë, duke shfrytëzuar rrjetin e tij në Lindjen e Mesme dhe në Izrael, babai i tij ka qenë një mik i ngushtë i Benjamin Netanyahut për vite me radhë.
Në këtë kontekst, ai bëri deklarata që shkaktuan një valë reagimesh, siç është fraza: “Pronat bregdetare në Gaza mund të kishin një vlerë të madhe nëse bota do të përqendrohej në ndërtimin e një të ardhmeje në vend që të shpenzonte para për ndërtimin e tuneleve”.
Një tjetër incident është regjistruar në burgun e Agios Stefanos në Patra të Greqisë.
Mediat greke raportojnë se një 43-vjeçar shqiptar plagosi një 32-vjeçar në dorë dhe këmbë me një objekt të mprehtë.
32-vjeçari u dërgua në spital dhe mori ndihmën mjekësore. Më pas ai u larguar nga spitali pasi plagët e tij nuk ishin serioze. Një padi është ngritur kundër autorit për shkelje të ligjit për armët dhe shkaktim të lëndimeve të rrezikshme trupore.
Ngjarja është regjistruar vetëm pak ditë pasi një i burgosur kërcënoi një oficer burgu me një thikë të improvizuar.
Pas incidentit 8 thika u gjetën pas një kontrolli nga oficerët.
Një aksident ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjteje (11 dhjetor) në aksin Fier- Levan në vendin e quajtur “ Kthesa e Azotikut.
Paraprakisht mësohet se një autobus që udhëtonte në drejtim të Vlorës është përplasur me një automjet tip “ Audi” i cili ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës, por fatmirësisht pa të lënduar.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti dhe disiplinimin e trafikut.
Qemal Isufaj, 99 vjeç, së bashku me të birin 66-vjeçar, të ardhur nga Mallakastra, na kujtojnë forcën e shëndetit publik dhe vlerën e kujdesit të specializuar. Ai mori shërbim cilësor në Spitali Rajonal Memorial Fier, ku falë përkushtimit të ekipit tonë mjekësor u krye me sukses stentimi i arteries karotide të djathtë, e cila paraqiste stenozë të rëndë preokluzive.
Udhëtimi i tij i gjatë i jetës është një rrëfim i forcës, mençurisë dhe qëndrueshmërisë — sfida të kapërcyera dhe gëzime të përqafuara. Ai mbetet një dëshmi e gjallë e vlerës së një jete të jetuar me dinjitet dhe një shembull shprese për të gjithë ata që vijnë pas. 🙏
Aktori i njohur Igli Zarka ka folur sot më shumë rreth profesionit të tij dhe eksperiencave të fundit në rol.
I ftuar sot në ‘Goca dhe Gra’, ai u ngacmua edhe për një nga temat e diskutuara pak më parë, OnlyFans-i, ku aktori u shpreh e i bënë çudi pse shqiptarët paguajnë kur në internet ka akses edhe pa para.
“Pse të paguaj. Interneti ka kaq shumë gjëra pa lek. Se kuptojë pse shqiptarët paguajnë. E kam harruar si të ngacmojë gocat në Tiranë. Jam distancuar pak nga jeta sociale.
Nuk dal në grupe të mëdha shoqërie. Arma më e fuqishme e njeriut është shpirti. Kam parë lloj lloj ngacmimesh për femrat, nga më të ulëtat tek më elitaret. ‘A e di çfarë arome ka gardenia’, është një lloj ngacmimi elitar. Niveli i tretë: Kush të ka lënë vetëm?”, ka thënë aktori Zarka.
Nuk duron dot t’i dëgjosh të tjerët në kinema kur hanë kokoshka apo patatina? A të zemëron personi pranë teje në autobus që po përtyp çamçakëz, deri në atë pikë sa ndërron vendin? Atëherë ndoshta vuani nga kjo gjendje.
Fenomeni, të cilin komuniteti shkencor tani e ka përcaktuar si mizofoni (një çrregullim i ndjeshmërisë ndaj tingujve), përshkruhet si shqetësimi që një person ndjen nga përmbajtja, në vend të intensitetit, e tingujve të tillë si gërhitja ose hapja e gojës.
Megjithatë, këto tinguj nuk janë vetëm bezdisës, por krijojnë edhe një reagim “lufto ose ik” tek individi, ndërsa në përgjithësi individi mund të tronditet emocionalisht dhe të tërhiqet nga mjedisi i tij shoqëror.
Shpesh njerëzit me mizofoni ndihen keq për veten që reagojnë në këtë mënyrë, veçanërisht kur u përgjigjen tingujve të bërë nga të dashurit.