Një 18-vjeçar nga Nigeria “ngroh” merkaton e Apolonisë, largohet mesfushori vlonjat
Nga Hilmi Saliu/ Apolonia u rikthehet përgatitjeve me ritëm më të lartë, ndërsa trajneri Mërgjyshi do të vazhdojë testimet. Pavarësisht temperaturave të larta, që në Fier kapin 38 gradë celsius, Mërgjyshi dhe stafi i tij vijojnë përgatitjet me ngarkesë të lartë.
Stafi po përpiqet t’i zhvillojë seancat stërvitore pasdite në një orar të përshtatshëm. Në fundjavën që lamë pas ka dalë në stërvitje, si dhe luajti në miqësore ndaj Tiranës, mbrojtësi Mathias Namdi Zhosef. Ai ka ardhur për provë te fierakët, nga Akademia Osario në Nigeri. Bëhet fjalë për një 18-vjeçar, i cili luan në dy role në prapavijë, si qendërmbrojtës dhe si mbrojtës i djathtë. “Panorama Sport” mëson se palët i kanë kryer bisedat e para, por më parë drejtuesit kanë vendosur që si mbrojtësi Mathias Namdi Zhosef, por edhe ata që do të bëhen pjesë e Apolonisë do t’i nënshtrohen fillimisht fazës së testimit. 18-vjeçari nigerian ka dhënë sinjale pozitive dhe ka treguar një nivel të kënaqshëm.
Nga lojtarët që janë në provë ai ka bindur më shumë dhe gjasat janë që në ditët në vazhdim të ketë një zyrtarizim të nigerianit. Portieri Leonard Kaçaj dhe mbrojtësi nigerian janë dy lojtarët e parë në provë tek Apolonia. Ata janë të dy lojtarë të rinj në moshë, që klubi fierak i sheh si pjesë të rëndësishme të strategjisë për të ardhmen. Fierakët në këto momente janë më të zbrazur se kurrë dhe nevojat më të mëdha Apolonia i ka në repartin e prapavijës, ku ka në dispozicion Repajn, Asllanajn dhe Ndubuisin, si dhe të riun Kofi. Kështu që Zhosef konsiderohet si një alternativë e mirë për prapavijën.
Klark Kalus- Para nisjes së javës së tretë së përgatitjeve vjen një tjetër largim nga Apolonia. Bëhet fjalë për mesfushorin 20-vjeçar, Klark Kalus, i cili ka mbyllur me konsensus marrëveshjen me klubin. Gjatë sezonit të fundit, Kalus luajti vetëm 165 minuta me Apoloninë dhe kuptohet që hapësirat e pakta bënë që mesfushori difensiv të largohet. Deri tani nga Apolonia janë larguar shtatë lojtarë.