Në vitin 1912, Fieri, do të shndërrohej në një prej qendrave të kryengritjes së përgjithshme për Jugun e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe në këtë qytet dhe rrethinat e tij do të zhvillonte një veprimtari të gjerë politike edhe Ismail Qemali, nën drejtimin e të cilit u realizua shpallja e Pavarësisë.
Në 12 gusht 1912, ai, do të drejtonte Mbledhjen e Fierit, e cila e ngarkoi me mision drejt Stambollit, për të ndikuar pranë qeverisë osmane për realizimin e autonomisë së Shqipërisë.1) Ndërkohë, fillimi i Luftës së Parë Ballkanike dhe thyerja e Perandorisë Osmane në të gjitha frontet e detyruan Ismail Qemali, Luigj Gurakuqin dhe njerëzit që e shoqëronin, të ktheheshin në Shqipëri. Kështu, gjatë udhëtimit të tyre historik për të realizuar shpalljen e pavarësisë ata do të ndiqnin itinerarin Stamboll-Bukuresht-Vjenë-Trieste-Durrës, duke mbërritur në atdhe më 21 nëntor 1912.2)
Nga njoftimi i konsullit austro-hungarez në Durrës, dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, mësojmë se grupi i tyre u nis drejt Vlorës në datën 23 nëntor.3) Udhëtimi u bë në një mot të ftohtë, të rënduar nga reshjet e shumta, ku lumenjtë kishin dalë nga shtrati dhe kishin përmbytur fushat. Pasi la Durrësin, grupi i drejtuar nga Ismail Qemali u fut në Kavajë, i shoqërua nga patrioti Qazim Merhori, i cili i vuri në shërbim edhe kuajt e vet, ndërsa lumin Shkumbin e kaluan në lundrën e vaut në fshatin Çermë-Biçak. Këtu u strehuan gjatë natës në shtëpinë e Dervish Biçakut.4) Për këtë na informon edhe telegrami që Qemal Karaosmani, një prej pjesëmarrësve në këtë udhëtim i dërgoi nga Durrësi më 23 nëntor, vëllait të tij, Behxhet Beut.
“Sot po nisemi dhe po vijmë aty, jemi më tepër se njizet vetë. Pra, pregatituni dhe na bani vend ke Dervish beu ose në shpie tuaj. Në dashtë Zoti mbrama jemi aty’’5) Ndërkohë, të nesërmen gjatë udhëtimit, grupi i patriotëve, u njoftua se në Lushnje, xhandarmëria, kishte marrë urdhër nga komandanti i ushtrise turke me qendër në Janinë që të arrestonte Ismail Qemalin. Për këtë qëllim u dërgua edhe një repart xhandarësh në fshatin Gramsh përgjat rrugës Rrogozhinë-Lushnje.6) Në pamundësi për të vazhduar në drejtim të Lushnjes, grupi u kthye përsëri ne Çermë-Biçak dhe vazhdoi udhëtimin përgjatë fushës së Myzeqesë. Pasi përshkoi itinerarin Çermë-Biçak, Çermë-Proshek, Çermë-Pasha, Çermë-Çiflik, Sulzotaj, Divjakë, Xeng, Mizë, Kryekuq dhe Babunjë, Ismail Qemali dhe patriotët që e shoqëronin, mbrritën në mbrëmjen e datës 24 nëntor, në Libofshë.7) Në shënimin që i bën telegramit të mësipërm të Qemal Karaosmanit, Lef Nosi, botuesi i dokumentave të Pavarësisë Kombëtare dhe ish ministër i Post-Telegrafit në qeverinë e Ismail Qemalit, shkruan se:
“Më 10 Ismail Beu me gjithë shokë, fjeti në Çermë e më 11 në Libofshë”. Sqarojmë se me kalendarin e vjetër, datat 10 dhe 11 nëntor, korrespondojnë me datat 23 dhe 24 nëntor, të kalendarit e ri, Gregorian. Këtë gjë e pohon edhe historiani Kristo Frashëri në veprën e tij, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”, kur thekson se: “Nga Çerma kuvendarët u nisën me rrugë të gjarpëruar për në Fier. Por, ngaqë rruga zgjati, ata në mbrëmjen e 24 nëntorit fjetën, sipas një shënimi të Lef Nosit, në fshatin Libofshë, larg, vëzhgimit të xhandarmërisë’’8)
Ndërsa në kujtimet e tij të publikuara në shkrimin: “Një udhëtim historik në nëntor 1912”, botuar në gazetën Arbëria të datës 28 nëntor 1936, Qemal Karaosmani, shkruan midis të tjerave:
“U nisëm në rrugën e Karatoprakut dhe mbrritëm në rremën e Sulzotajt, që ishte e mbushur me ujë. Kaluam, po me vështirësi të madhe, duke u lagur, por mjaft që nuk kishte rrymë. Si kaluam prej andej, vajtëm në Libofshë atë natë, në konak të vaktit që kishte gatitur i ndjeri Nedin Bej Leskoviku kur ishte si drejtor i vakëfeve “Valide Sulltane”. Të nesërmen u nisëm herët për të ngrënë drekën në Fier dhe darkën në Vlorë. Posa mbrritëm tek lundra e Petovës, mbasi në atë kohë nuk ekzistonin ura nëpër lumenj, u takuam me delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës: Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Salih Gjuka dhe Bedri Pejani”9)
Po kështu, Ferit Vokopola, një tjetër firmëtar i Aktit të Pavarësisë, në shkrimin e tij “Atë unë e njoha”, botuar në gazetën “Njeriu” ne 8 shkurt 1944, midis të tjerave thekson: “Njeriu i madh me apostujt e vet, arriti në Durrës duke kapërcyer njëmijë pengime. Ai kur do të kalonte Shkumbinin fuqitë ushtarake osmane u orvatën ta zënë: Shqiptarët që e prisnin si shpëtimtar të Atdheut iu përveshën masave të luftimit kundra tyre. Kalorija otomane detyrohet të ndalet pjesërisht në katundin Zhamë e tjetra në Gramsh të N/Prefekturës të Lushnjes. Ismail Qemali me shokë në bazë të planit të vendosur prej Çermës të zotni Dervish Bej Biçakut, i cili vuni të gjithë fuqitë e tij në dispozicion u nis për në Fier në rrugën Karatoprak-Libofshë, drejt të cilës ishin marrë tërë masat e sigurimit nga Lushnja’’10).

Ndërkohë që në hyrje të Libofshës, grupi, u prit nga çeta e priftit dhe mësuesit patriot, Ikonom Kozma Dhimës. Atë natë, Ismail Qemali, u strehua në konakët e Nedin Bej Leskovikut, ish kujdestarit të çifligjeve shtetërore turke të Myzeqesë. Të nesërmen, udhëtimi nisi përsëri drejt qytetit të Fierit. Te Lundra e Petovës, në breg të lumit Seman, grupit do t’i bashkoheshin edhe delegatët e Elbasanit dhe të Kosovës. Ndërsa në Fier, patriotët, do të priteshin në shtëpinë e Omer Pashë Vrionit, në prani të krerëve të vendit.11) Po atë pasdite përpara nisjes drejt Vlorës, Ismail Qemali, do të ndalej edhe në zyrën e post-telegrafit, si dhe do të fliste përpara popullit në një miting spontan.12) “Prej andej mbrritëm në Fier, tek Ymer Vrioni, ku hëngrëm drekën. Për darkë nuk qëndruam sepse Ismail Qemali tha se duhej të shkonim një orë e ma parë në Vlorë…
Mbas orës tre u nisëm nga Fieri dhe vajtëm në lundrën e Vjosës dhe si kaluam, hymë në rajonin e Vlorës…’’, vijon rrëfimin e tij në këtë rast Qemal Karaosmani.13) Ndërkohë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, delegatë të Prefekturës së Beratit për Mallakastrën dhe Fierin do të ishin edhe Hajredin Cakrani dhe Sami Vrioni. I pari do të ishte firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ndërsa i dyti do të zgjidhej anëtar i Pleqësisë.14). Këtë kontekst do ta mbyllte akti i Tonç Kilicës, i cili si kryetar i bashkisë së Fierit, së bashku popullin dhe patriotët vendas, do të zhvillonin në 29 nëntor 1912 ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit.15) Kështu edhe Fieri iu bashkua shtetit të ri shqiptar dhe qeverisë së Ismail Qemalit të dalë nga vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës.
“Ju bëjmë të ditur me gëzim se të mbështetur në vendimet e Kongresit që na u komunikuan nga ana e kryesis së Beratit, me hir të Zotit e ngritëm edhe këtu flamurin kombëtar me nderime. Zoti na e pruftë mbarë”, shkruhet në telegramin që Tonç Kilica i dërgon kryesisë së Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.16) Telegrami së bashku me dokumente të tjera të periudhës së viteve 1912-1918, u publikuan nga nënshkruesi i Aktit të Pavarësisë dhe Ministri i Post-Telegrafit në Qeverinë e Vlorës, Lef Nosi. Ato u botuan në Elbasan gjatë viteve 1924-1925, në vëllimin me disa numra të titulluar: “Dokumente historike për t’i shërbyer historisë tonë kombëtare”17)
Më pas ai do të përfshihej edhe në botime të ndryshme së bashku me dokumente të tjera të qeverisë së Ismail Qemalit.18)
Bibliografia
1-Pirro Tako, Luigj Gurakuqi, ‘‘8 Nëntori’’, Tiranë 1980, f. 171-172
2- Historia e Shqipërisë, ASH-IH, Tiranë 1984, f. 496
3-Teuta Hoxha, Ismail Qemali-Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982, f. 220
4-Kol Nika, Një fshat i lashtë, Tiranë 1995, f. 43
5-Lef Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007, f. 76; K. Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 134
6-Koli Xoxi, Ismail Qemali, ‘‘8 Nëntori’’, Tiranë 1983, f. 245
7-Kol Nika, Një fshat i lashtë, Tiranë 1995, f. 43
8-Lef Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007, f. 76; K. Frashëri, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, ASHSH, Tiranë 2008, f. 87
9-Qemal Karaosmani, Një udhëtim historik në nëntor 1912, Gazeta Arbëria, 28 nëntor 1936
10-Ferit Vokopola, “Atë” unë e njoha, Gazeta Njeriu, 8 fruer 1944, f. 2
11-Po aty, f. 3
12-Lef Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007, f. 78
13-Qemal Karaosmani, Një udhëtim historik në nëntor 1912, Gazeta Arbëria, dt. 28 nëntor 1936; L. Dushku, Lef Nosi dhe historia e flamurit të Pavarësisë, Studime Historike, 1-2, Tiranë 2013, f. 239-246
14-Ligjvënësit Shqiptarë (1912-2017) dhe Firmëtarët e Aktit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2018, f. 29-30; Historia e Popullit Shqiptar, ASH-IH, Toena, Tiranë 2002, f. 510; K. Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar, 1912-2005, 55, Tiranë 2006, f. 22
15-Jakov Milaj, Ngritja e Flamurit në Fier, Dosja e Pavarësisë, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier; I. Gogaj, Shpallja e pavarësisë dhe veprimtaria e qeverisë së Vlorës në Fier, Dosja e Pavarësisë, Fondi i Dokumenteve, Muzeu Historik Fier
16-Lef Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007, f. 116; Teuta Hoxha, Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982, f. 214
17-Lef Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007, f. 5
18-Qeveria e përkohshme e Vlorës dhe veprimtarija e saj, DPA, Tiranë 1963; T. Hoxha, Ismail Qemali – Përmbledhje dokumentesh, DPASH, Tiranë 1982; T. Hoxha, Ismail Qemali: përmbledhje dokumentesh 1888-1919, Mësonjtorja e parë, Tiranë 2002; Lef Nosi, Dokumente Historike, IH, Tiranë 2007
Ilirjan Gjika




