Në realitet e “Premtja e Madhe” ose e “Premtja e Zezë” është një nga kremtimet që kryhen në Kishën Ortodokse në vigjilje të festës së Pashkës.
Kështu, gjatë shërbesës që zhvillohet këtë mbëmje, bëhet edhe Proçesioni i Epitafit, ku ai nxiret në mënyrë ceremoniale rreth kishës për tu nderuar nga besimtarët dhe populli.
Por e “Premtja e Zezë”, që konsiderohet si një ditë zie për pësimet dhe vuajtjet e Krishtit, do të korrespondonte me 7 prillin e vitit 1939, pushtimin fashist të Shqipërisë.
Disa nga momentet e kësaj dite i përshkruan në shënimet e tij edhe Vangjel Lulja, psalt dhe sekretar i këshillit të kishës së “Shën Gjergjit” në Fier.
Pikërisht atmosfera e luftës që po zhvillohej tashmë ndihet edhe në këto rreshta, ku përshkruhet ceremoniali i kryer në një situatë jo të zakonshme në katedralen e “Shën Gjergjit”.
“E Premte e Madhe më 7/4/39 shërbesa e darkës filloj më ora 5:10 dhe Epitafi dolli rrotull kishës më ora 6 tue i thënë të gjitha me nxitim nga frika e luftës shqipt-italiane. Kur hyri Epitafi në kishë, nuk kishte popull për veç se 23 burra me gjithë djem psalti dhe epitrop dhe dy gra vetëm.
Vangjel Lulja 7/4/1939 Kisha mbaroj më ora 6:16”, ka shkruar me laps plumbi në ditarin e kësaj dite, mbi faqen e një libri kishtar, autori.
Pikërisht ky fakt, përbën një dëshmi të drejtëpërdrejtë e gjendjes që po kalonte Shqipëria, në një prej momenteve më të vështira dhe më dramatike të historisë së saj.
Pikërisht më 7 prill 1939, ushtria italiane do të sulmonte portet shqiptare dhe do të niste pushtimin e vendit.
Ndërkohë në Vlorë, kolona e tretë e trupave të pushtimit, do të zbarkonte në orën 6:30 të mëngjesit dhe pasi do të vendoste kontrollin në qytet, do të merrte drejtimin e Fierit. Gjatë rrugës automobilistike ajo do të ndalej në ullishtat e Bestrovës, nga qëndresa e një batalioni të Ushtrisë Kombëtare që mbërriti me shpejtësi nga Elbasani, i përforcuar edhe nga një grup patriotësh të ardhur nga Fieri dhe Vlora.
Vetëm të nesërmen pasi thyen mbrojtjen, trupat italiane do të hynin në orën 18:00 në qytetin e Fierit, në të cilin ekzistonte frika dhe paniku i një bombardimi të mundshëm. Pikërisht këtë atmosferë e përshkruan me “nota të gjalla” në shënimet e tij Vangjel Lulja.
Ndërkohë, ashtu si e “Premtja e Zezë” edhe 7 prilli i vitit 1939, do të konsiderohej një ditë zie për historinë e vendit tonë. Ky term do të përdorej gjerësisht më pas në botime dhe publikime të ndryshme, në të cilën trajtohej kjo ngjarje, ku Shqipëria humbi pavarësinë si një nga vendet e para të pushtuara prej agresionit fashist.
* Foto: pjesë nga shënimi i Vangjel Lules, Fondi i Dokumenteve të Muzeut Historik Fier




