Home Blog Page 104

Fier, 36 vite më parë: Nëna 64-vjeçare kërkon ende të birin që beson se i është marrë në maternitet (Video)

0
Fier, 36 vite më parë: Nëna 64-vjeçare kërkon ende të birin që beson se i është marrë në maternitet (Video)

Rasti qe do te trajtohet ditën e sotme ka te beje me një 64-vjeçare e cila është nënë e dy fëmijëve të rritur sot.

Në një lidhje live në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, me autore Evis Ahmeti, gruaja tregon se para disa vitesh bashkëshorti i ka ndërruar jetë.

64-vjeçarja ka rrëfyer kalvarin për gjetjen e të birit, ndërsa bën apel për këdo që ka të dhëna në lidhje me ngjarjen që ta ndihmojë të zbulojë të vërtetën.

“Jam 64 vjeçe, nënë e dy fëmijëve. Historia ime fillon në janar të vitit 1989, në maternitetin e Fierit. Ishte lindja ime e dytë. Djali im i parë ishte vetëm 3 vjeç, por përvoja e parë e lindjes kishte lënë gjurmë të thella tek unë, një traumë që më ndiqte ende. Kur shkova për të lindur fëmijën e dytë, gjeta të njëjtën mami si në lindjen e parë. U frikësova. Nuk mund ta përballoja. U largova nga ai maternitet dhe shkova në spitalin e Fierit. Atje gjithçka shkoi mirë. E ndjeva dhimbjen, por edhe shpresën. E dëgjova beben time të qante. E pashë me sytë e mi që ishte i gjallë. Ishte një djalë i shëndetshëm, me peshë normale. Por pak më vonë, gjithçka ndryshoi. Mjekja njoftoi familjarët e mi se fëmija kishte lindur i vdekur. I thanë vjerrës time se fëmijën e nxorrën nga trupi im copa copa, por një gjë e tillë nukë shtë e vërtetë pasi unë e pashë që fëmija doli në rregull, madje edhe e peshuan ne peshore, ishte 3.5-3.6 kg.


Më thanë se unë kisha kryer një abort, një gjë që nuk ishte e vërtetë. Unë e di çfarë kam parë. Ai fëmijë qau. Ai ishte gjallë. Që prej asaj dite, nuk kam reshtur së kërkuari të vërtetën. Asnjëherë nuk më është dhënë një përgjigje. Unë besoj që ai fëmijë nuk ka vdekur. Unë e ndjej që ai është diku, gjallë. Dhe unë dua ta gjej. Kam jetuar me këtë dhimbje për dekada. Nuk dua më heshtje. Dua drejtësi. Dua djalin tim”, shprehet ajo.

18-vjeçarja italiane u përdhunua nga i riu shqiptar në plazh/ Vajza jep dëshminë e saj: M’u afrua dhe më sulmoi! 

0
18-vjeçarja italiane u përdhunua nga i riu shqiptar në plazh/ Vajza jep dëshminë e saj: M’u afrua dhe më sulmoi! 

Një ngjarje e rëndë është duke u hetuar nga autoritetet në Durrës, pas kallëzimit të bërë nga një vajzë 18-vjeçare me shtetësi italiane, e cila ka deklaruar se është përdhunuar nga një 26-vjeçar shqiptar në orët e para të mëngjesit të 5 shtatorit, në një zonë plazhi përballë një hoteli në lagjen nr. 13 të qytetit.

Në dëshminë e saj, e dhënë në prani të një psikologeje dhe oficerëve të policisë, vajza ka rrëfyer:

“Gjatë natës kemi qenë me shoqërinë dhe kemi konsumuar edhe alkool. Për një çast unë jam larguar prej grupit dhe jam ulur në një shezlong që gjendej disa metra larg hotelit. Kjo ka ndodhur rreth orës 05:30 afërsisht të mëngjesit të 5 shtatorit. Gjatë kësaj kohe më është afruar një person i cili më ka sulmuar dhe me gjithë tentativat e mia për t’u mbrojtur, më ka përdhunuar pas rezistencës time. Më pas ai është larguar. Unë erdha te juve për të bërë kallëzim lidhur me këtë ngjarje”, ka deklaruar 18-vjeçarja italiane

Raportohet se vajza ka shfaqur edhe shenja të dukshme lëndimesh, të cilat janë dokumentuar nga mjekësia ligjore.

Nga ana tjetër, Leonardo Preza, 26 vjeç, person me precedent penalë për vepra të mëparshme si armëmbajtje pa leje dhe vjedhje, u arrestua në flagrancë pas identifikimit nga policia.

Në dëshminë e tij të dhënë në komisariat, Preza ka pohuar se ka kryer marrëdhënie me vajzën, por sipas tij gjithçka ka qenë konsensuale.

Gazeta “Kathimerini”: 700 mijë grekë pushime në Rivierën Shqiptare

0
Gazeta “Kathimerini”: 700 mijë grekë pushime në Rivierën Shqiptare

Turistët grekë po zgjedhin gjithnjë e më shumë Shqipërinë për pushimet e tyre, duke e vlerësuar si një destinacion tërheqës, me çmime të përballueshme dhe mikpritje të ngrohtë.

Media greke, “Kathimerini”, në një shkrim të publikuar thekson se Riviera Shqiptare dhe qytetet kryesore ofrojnë hotele cilësore, restorante për çdo shije dhe standarde të ngjashme me ato greke.

Turistët vlerësojnë sidomos zhvillimin e shpejtë të Tiranës, pastërtinë dhe sigurinë, ndërsa plazhet e Durrësit krahasohen me ato të Halkidikisë.

Vizitorët grekë shprehen se Shqipëria është një alternativë më e lirë dhe me natyrë të bukur, e cila tashmë është konkurrente me destinacionet turistike të Greqisë.

Sipas të dhënave të Zyrës së Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare, në vitin 2024 kanë hyrë rreth 700 mijë vizitorë nga Greqia.

Më poshtë shkrimi i plotë i publikuar në gazetën “Kathimerini”:

Grekët që bëjnë pushime në “Rivierën Shqiptare”

Përshkruajnë tek “Kathimerini” një destinacion tërheqës, me çmime të përballueshme, ndërsa flasin edhe për ato që i habitën.

Një vend që pak vite më parë ishte “terra incognita” po e zbulojnë mijëra grekë, të cilët zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre. Tashmë askush nuk e mendon Shqipërinë si një vend misterioz e të mbyllur, ku shkonin vetëm udhëtarët e guximshëm, por si një destinacion tërheqës që ofron pushime cilësore dhe ekonomikisht të përballueshme për çdo shije.

Shifra 700 mijë flet vetë. Ky është, sipas të dhënave të Zyrës së Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare, numri i mbërritjeve turistike në Shqipëri nga Greqia për vitin 2024. Edhe pse në këtë shifër përfshihen edhe ata që e përdorin Shqipërinë si vendkalim për të udhëtuar drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm ata që e zgjedhin si destinacion kryesor, është një numër që deri pak vite më parë do të konsiderohej i paimagjinueshëm.

“Rindërtimi është i madh”

Ata që kanë bërë pushime në Shqipëri flasin për një vend me bregdet të bukur dhe të organizuar, hotele të shkëlqyera që ofrojnë shërbimet dhe komoditetet me të cilat janë mësuar nga pushimet në Greqi dhe restorante për çdo shije. Ata përmendin gjithashtu mikpritjen e banorëve shqiptarë dhe “ethet” ndërtimore në Tiranë dhe qytete të tjera, që tregojnë se vendi po modernizohet me ritme të shpejta, por edhe gjëra që i çuditën. Në pak fjalë, besojnë se Shqipëria është një vend që ia vlen të vizitohet.

Mihalis Tsakiris ka vizituar dy herë Shqipërinë. I pëlqeu Riviera Shqiptare, por më shumë i lanë mbresa qytetet dhe sidomos Tirana. Siç thotë për gazetën: “Në mendjen tonë Shqipëria ekziston siç ishte vite më parë, por nuk ka asnjë lidhje me pamjen e sotme të saj”.

Plazhet e Durrësit mund t’i krahasoj me ato të Halkidikit për sa i përket zhvillimit. Megjithëse i pëlqeu Riviera Shqiptare, më shumë e impresionuan qytetet, kryesisht Tirana.
“Rindërtimi është i madh në Tiranë. Po ndërtohen qiellgërvishtës me dizajn shumë modern. Njerëzit janë të këndshëm dhe mikpritës. Gjithçka ishte e pastër dhe çmimet më të ulëta se në Greqi. Gjithashtu, ndiheshe i sigurt sepse në qytet kishte një prani policore të rregullt dhe diskrete”, tregon ai.

11,7 milionë turistë

Mihalis Tsakiris flet edhe për plazhet e Durrësit, të cilat mbushen nga turistë italianë.
“Mund t’i krahasoj me ato të Halkidikit për sa i përket zhvillimit. Plazhi i qytetit është plot me kafene dhe restorante, por mbizotëron rendi absolut. Të gjitha karriget e lokaleve duhet të jenë në një vijë të drejtë dhe të mos dalin në trotuarin e parashikuar për këmbësorë. Policia vinte dhe bënte matje. Nëse konstatonte që lokali ishte shtrirë më tepër, i vendoste përsëri karriget në vijë të drejtë”, thotë ai.

Atij i bëri përshtypje edhe fakti se Shqipëria është shumë miqësore për kafshët shtëpiake.

“Kudo që shkuam gjetëm akomodim që pranonte qenin tonë. Na lejuan gjithashtu ta kishim me vete në një muze që vizituam në Gjirokastër”, thekson ai.

Matina Birbili tregon fotografinë e saj në Beratin piktoresk, një qytet në Shqipërinë jugqendrore.

“Kur shkova në Sarandë, prisja të shihja një fshat, por pashë një qytet”, tregon ajo ndër të tjera.

Matina Birbili shkoi për herë të tretë në Shqipëri në shtator 2024. Dy herët e para kaloi thjesht për të shkuar drejt Bregut Dalmat, por ajo që pa, dhe kryesisht Durrësi, i pëlqeu dhe vendosi t’i kushtonte Shqipërisë disa ditë më shumë.

“Pashë një zhvillim shumë të madh, shumë hotele, shumë plazhe të organizuara dhe shumë ndërtesa të larta që më bënë përshtypje. Kur shkova në Sarandë, prisja të shihja një fshat, por pashë një qytet”, thotë ajo për «Kathimerini».

Ana e varfër të kujton Greqinë e viteve 1970

Ashtu si Tsakiris, edhe Birbili u impresionua nga zhvillimi i Tiranës me qiellgërvishtësit që po ndërtohen, por folën edhe për anën tjetër, “anën e varfër që të kujton Greqinë e viteve 1970”.

Ajo vlerëson gjithashtu se Shqipëria tashmë kërcënon të marrë turistë nga Greqia, pasi është zgjedhje për italianët dhe ballkanasit, por mendon se ka adoptuar edhe disa zakone të këqija greke.

“Shezlongët dhe çadrat janë kudo dhe kushtojnë 15-20 euro seti. Na përzunë nga plazhet kur shkuam me peshqirët tanë”, thotë ajo.

Nga njëra anë sheh lagje që të kujtojnë dekadat e tjera të vendit tonë, dhe pastaj sheh qendrën e Tiranës me qiellgërvishtës dhe pallate moderne

Jorgos Zotos vizitoi në shkurt Tiranën dhe konstatoi atë që vunë re të gjithë: zhvillim i madh, por edhe zona që mbeten dekada pas.

“Është sikur të kenë bërë një kërcim nga vitet 1980 në 2025 dhe të jetë zhdukur gjithçka ndërmjet. Nga njëra anë sheh lagje që të kujtojnë dekadat e tjera të vendit tonë dhe pastaj sheh qendrën e Tiranës ku rindërtimi është i madh me qiellgërvishtës dhe pallate moderne”, shprehet ai.

Zotos thotë se Shqipërisë i duhet kohë për të arritur cilësinë e produktit turistik të Greqisë. Megjithatë, ai mbeti i kënaqur si nga çmimet, ashtu edhe nga ajo që pa.

“Hoteli në qendër ishte shumë i mirë dhe kushtonte 40 euro me mëngjes. Do të doja të shkoja përsëri në ndonjë tjetër vend të Shqipërisë”, thekson ai.

«Nëse do të jetonim në Greqinë e Veriut, ndoshta do të shkonim përsëri. Shqipëria është më e lirë se vendi ynë dhe ka natyrë të bukur, që i ngjan asaj greke»

Dimitris Sakas dhe Maria Griza vendosën t’i bënin pushimet në Shqipëri pasi gjykuan se zgjedhja e tyre fillestare, Halkidiki, ishte shumë e shtrenjtë në periudhën e 15 gushtit. Qëndruan në një hotel me katër yje në Himarë, i cili u kushtoi 60 euro nata me mëngjes.

Pothuajse si Mykonos

Siç thonë për «Kathimerini», Himara iu pëlqeu shumë, Gjirokastra edhe më shumë, por Saranda nuk i kënaqi veçanërisht.

“Shumë qiellgërvishtës, shumë hotele, shumë beach bare dhe gjithçka për turistët italianë. Ishte përplot. Pothuajse si Mykonos”, treguan ata.

Të dy besojnë se ka gjëra që duhen përmirësuar, por përshtypja e vizitës së tyre ishte pozitive.

“Nëse do të jetonim në Greqinë e Veriut, ndoshta do të shkonim përsëri. Shqipëria është më e lirë se Greqia dhe ka natyrë të bukur, që i ngjan asaj greke. Gjithashtu, u rrëzua brenda nesh stereotipi se ekziston armiqësi mes shqiptarëve dhe grekëve”, thonë ata.

Ish-kapiteni i “Vlorës”: Si shpëtuan 20 mijë shqiptarë nga mbytja në Adriatik

0
Ish-kapiteni i “Vlorës”: Si shpëtuan 20 mijë shqiptarë nga mbytja në Adriatik

Ish-kapiteni i anijes tregtare “Vlora” Halim Milaqi kujton natën e paharrueshme të gushtit 1991, kur mbi 20 mijë shqiptarë hipën në bord për t’u larguar drejt Italisë. Ishte një udhëtim i improvizuar, i detyruar dhe mbi të gjitha i rrezikshëm: një lundrim që mund të përfundonte në tragjedi.

“Anija ishte e mbingarkuar përtej çdo imagjinate. Në çdo hapësirë kishte njerëz, në ambarë, në urë, në shkallë, madje edhe mbi direkë. Çdo dallgë mund të na përmbyste. E dija që nëse humbisnim drejtimin, mbyteshin të gjithë,” kujton kapiteni.

Për orë të tëra, ai dhe ekuipazhi u përpoqën të mbanin kursin drejt brigjeve italiane. Pa asnjë pajisje moderne sigurie, vetëm me eksperiencën dhe vendosmërinë për të mos lejuar që Adriatiku të bëhej varri i mijëra shqiptarëve.

“Lundruam natën, në errësirë, mes britmave, frikës dhe dëshpërimit. Çdo vendim ishte jetik. Dhe arritëm,” thotë ai.

Në mëngjes, “Vlora” mbërriti në portin e Barit. Italia e dekoroi kapitenin për guximin dhe aftësinë që kishte treguar në atë natë të rrezikshme. Por nga Shqipëria nuk pati asnjë falënderim zyrtar.

“Asnjë institucion nuk më tha kurrë faleminderit. As shteti, as ndonjë qytetar. Dhe megjithatë, atë natë shpëtuam 20 mijë jetë. Sot, shumë prej tyre jetojnë në Itali e më gjerë, por askush nuk e kujtoi se mund të mos ishin gjallë nëse anija nuk do të mbërrinte,” thotë ai me dhimbje.

Eksodi i gushtit ’91 mbetet një nga episodet më dramatike të historisë moderne shqiptare. Një natë e errët, që mund të kishte përfunduar në tragjedi, por që u shndërrua në mbijetesë falë vendosmërisë së një kapiteni dhe disiplinës së ekuipazhit të tij.(dritare.net)

Ndryshon Kodi Etik për mësuesit. Ja rregullat e reja për veshjen dhe sjelljen

0
Ndryshon Kodi Etik për mësuesit. Ja rregullat e reja për veshjen dhe sjelljen

Të gjithë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar do të duhet të respektojnë një sërë rregullash të reja të sjelljes, si në mjediset e shkollës ashtu edhe jashtë saj. Ministria e Arsimit ka hartuar Kodin e ri të Etikës, i cili përcakton standarde të qarta për integritetin, përgjegjshmërinë dhe sjelljen e personelit mësimor, përfshirë edhe përdorimin e rrjeteve sociale.

Sipas këtij Kodi, mësuesit duhet të tregohen të kujdesshëm në paraqitjet e tyre publike, duke u siguruar që postimet, fotot apo videot të jenë në përputhje me etikën profesionale dhe të mos cënojnë imazhin e edukatorit.

“Praktikat më të mira evropiane tregojnë se një kornizë e qartë etike ndihmon mësuesit të përballen me sfidat profesionale me integritet, veçanërisht në një realitet arsimor që ndryshon me shpejtësi për shkak të teknologjisë. Mësuesi duhet të ruajë gjithmonë figurën e tij si model edukues, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës, të nxisë sjellje të përgjegjshme dhe të edukojë nxënësit për përdorimin e sigurt të platformave online”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Arsimit.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe veshjes në punë. Mësuesit duhet të paraqiten me pamje të rregullt, të pastër dhe profesionale, duke shmangur aksesoret që bien në sy apo shkaktojnë zhurmë.

“Stolitë dhe elementet shtesë në veshje duhet të jenë të thjeshta e të përshtatshme për mjedisin shkollor, duke evituar bizhuteritë e mëdha, me ngjyra të forta ose që prodhojnë tinguj, pasi mund të shpërqendrojnë nxënësit gjatë mësimit”, përcaktohet në Kodin e Etikës.

Po ashtu, neni 5 i dokumentit thekson se mësuesit duhet të respektojnë privatësinë dhe dinjitetin e nxënësve, duke shërbyer si model i sjelljes dhe i zgjidhjes paqësore të konflikteve. Mësuesit me përvojë, sipas këtij Kodi, kanë gjithashtu detyrimin të mbështesin dhe udhëzojnë kolegët e rinj në procesin arsimor./K.C/dritare.net

Naftëtarët e ‘Bankers’ protestojnë për paga dhe kushtet e punës, sindikata: Grevë urie nëse nuk plotësohen kërkesat

0
Naftëtarët e ‘Bankers’ protestojnë për paga dhe kushtet e punës, sindikata: Grevë urie nëse nuk plotësohen kërkesat

Me mbështetjen e sindikatës, dhjetra punonjës të “Bankers Petroleum” protestuan sot në Marinzë, duke kërkuar rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës. Nëse kërkesat nuk plotësohen, ata paralajmëruan greve urie.


Dhjetra punonjës të kompanisë Bankers Petroleum janë ngritur mesditën e sotme në një protestë të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur.

Me pankarta në duar ata janë mbledhur para zyrave të kompanisë në Marinzë, teksa kanë shfrytëzuar orarin e pushimit.

Kryetari i Sindikatës i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë dhe të fortë shoqërisë Bankers dhe drejtuesve të saj që të ndalojnë së injoruari zërin e punonjësve duke u ndalur në disa kërkesa kryesore, si respektimin e të drejtave të punëtorëve, rritjen e pagave, zbatimin e kontratës kolektive të punës, ndalimin e intimidimit dhe presionit psikologjik ndaj punonjësve, ndalimin e diskriminimit dhe pabarazisë në trajtim dhe përfitime, aplikimin e statusit të naftëtarit dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Ndërsa Sekretari i Sindikatës tha se nuk po kërkojnë lëmoshë por drejtësi sociale.

Kurse vetë punëtorët thanë se prej vitesh Bankers nuk merr në konsideratë kërkesën për rritjen e pagave.

Organizatorët paralajmëruan se protestat do të përshkallëzohen deri në grevë urie dhe pezullim të aktivitetit në kompaninë naftënxjerrëse.

Takimi në Vlorë mes Ardita Sinanit, Majlinda Bufit dhe Sokol Gugës në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës

0
Takimi në Vlorë mes Ardita Sinanit, Majlinda Bufit dhe Sokol Gugës në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës

Në qytetin e Vlorës, aty ku historia shqiptare mban gjurmë të pashlyeshme, u zhvillua një takim i ngrohtë dhe domethënës mes dy personaliteteve të njohura të botës politike, Ardita Sinani kryetare e komunës së Preshevës dhe Majlinda Bufi, kryetare e bashkisë Roskovec.

Dita e sotme nuk është e zakonshme për dy zonjat, pasi sot në mbrëmje ato janë pjesë e spektaklit “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” i cili këtë edicion është realizuar në Preshevë.


Takimi i tyre mbarti një simbolikë të veçantë. Dy gra të angazhuara, me kontribute të dukshme në bashkitë që drejtojnë, po shijojnë një drekë nën shoqërinë e stafit të tyre të ngushtë.


Shen Tereza është një urë që lidh shqiptarët kudo që janë, një frymëzim për t’u ngritur mbi përditshmërinë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më humane e më të barabartë.


Pjesë e takimit, ka qenë dhe prezantuesi dhe producenti Sokol Guga

Migena Agaraj, fierakja që po korr suksese në Amerikë

0
Migena Agaraj, fierakja që po korr suksese në Amerikë

Nga Eni Muça- Migena Agaraj është një nga ato histori frymëzuese që tregojnë fuqinë e rrënjëve, guximit dhe ëndrrave të mëdha. Një shqiptare nga Fieri, e cila sot jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara, ajo është një figurë e shumëdimensionuar: Ndërmjetëse globale, këshilltare biznesi, anëtare bordi, CEO, producente, autore e gjashtë librave, botuese, folëse ndërkombëtare, moderatore dhe organizatore eventesh. Përmes punës së saj, ajo ka krijuar ura mes sipërmarrësve, investitorëve dhe diasporës shqiptare, duke u bërë një zë i fuqishëm për bashkëpunime globale.

Historia e saj nis në Povelcë të Fierit (e njohur edhe si Hoxharë e Re), ku fëmijëria u shënua nga puna dhe sakrifica e familjes. Babai i saj ishte marangoz, një mjeshtër i punës me dorë që mishëronte ndershmërinë dhe qëndrueshmërinë e brezave të mëparshëm. Nëna e saj punonte në kafenë e vogël të familjes, ku Migena ndihmonte që e vogël.

Ishte pikërisht aty ku Migena mori mësimet më të vyera: sakrificën, dashurinë dhe mençurinë e nënës.Nëna e saj jo vetëm që i tregoi kuptimin e “djersës së ballit”, por gjithashtu e mësoi fjalën e parë të biznesit: fitim dhe humbje (profit and loss). Urtësia e saj ishte e thjeshtë dhe e përjetshme.

Një nga këshillat më të çmuara që Migena mban ende me vete është: “Ti ke dy emra. I pari është ai që të dhanë prindërit, Migena. I dyti është ai që ti e ndërtuar vetë në jetë. Dhe ky është emri që ti duhet ta nderosh.” Migena dhe vëllai i saj janë dy fëmijë të rritur me shumë sakrificë nga prindërit e tyre.

Përvoja e përbashkët i mësoi të vlerësojnë punën, dashurinë familjare dhe forcën për të përballuar sfidat. Ky udhëtim i dyfishtë i formoi si individë të fortë, të përkushtuar dhe të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin.

Në vitin 2003 ajo u shpërngul në New York, ku nisi një kapitull të ri. U diplomua për Ekonomi në Hunter College, me dy minorë në Italisht dhe Histori, dhe zotëroi pesë gjuhë të huaja. “Më pëlqen të them gjithmonë: u linda në Shqipëri dhe u rafinova në New York. Ky qytet i ka dhënë formë ëndrrave të mia dhe më ka bërë të shoh botën ndryshe,” – shprehet ajo.

Sot, jeta e saj është një mozaik takimesh, projektesh dhe bashkëpunimesh. Si themeluese e Eagles MA LLC, ajo punon ngushtë me investitorë, sipërmarrës dhe themelues startup-esh në fusha që variojnë nga teknologjia tek shëndetësia e qëndrueshmëria. Në të njëjtën kohë, ajo është themeluese e Legacy Eagles Press, e cila synon të fuqizojë zërat e autorëve të rinj dhe të ketë ndikim global.

Migena është gjithashtu autore e gjashtë librave, mes tyre Powerful Female Immigrants dhe Real Women in Real Estate. Përmes këtyre librave, ajo ka bashkuar histori frymëzuese grash nga e gjithë bota që kanë ndërtuar suksesin e tyre. Për më tepër, ka qenë Associate Producer për sezonin e parë të emisionit televiziv America’s Real Deal. Një rol tjetër i rëndësishëm i saj është si moderatore dhe organizatore eventesh. Migena ka organizuar dhe moderuar dhjetëra evente, ku ka mikpritur qindra gra dhe burra nga fusha e pasurive të paluajtshme, duke krijuar një hapësirë të fuqishme bashkëpunimi, lidhjeje dhe frymëzimi.Për të, lidershipi nuk është thjesht një titull, por një përgjegjësi.

“Suksesi fillon me njerëzillëk. Respekti, integriteti, empatia dhe aftësia për të parë botën nga këndvështrimi i tjetrit janë çelësat e një udhëheqësi të mirë. Dhe mbi të gjitha: ëndërroni. Nëse ëndrrat tuaja nuk ju frikësojnë, nuk po ëndërroni mjaftueshëm.”

Lidhja e saj me Shqipërinë mbetet e pashkëputur. Mesazhi i saj për të rinjtë është i qartë: “Dilni nga zona e rehatisë me guxim. Mos prisni momentin perfekt, sepse ai nuk ekziston. Nderoni rrënjët, por mos lejoni që ato t’ju kufizojnë. Zëri juaj ka vlerë. Dhe mbani mend gjithmonë: universi, jo qielli, është kufiri.

”Legacy Eagles Press nuk është thjesht një shtëpi botuese për të mbështetur zërat e rinj, por një platformë që fuqizon edhe sipërmarrës, biznesmenë, inovatorë dhe vizionarë nga çdo industri. Është një hapësirë ku bashkëpunimi shndërrohet në kapituj librash dhe ku zërat bëhen trashëgimi. Për Migena Agaraj, botimi është një mënyrë për të ndërtuar ura mes brezave dhe industrive, duke i dhënë zë çdo historie që meriton të dëgjohet.

Ajo është gjithashtu krijuesja e konceptit “The Art of Networking: From Limited Connecting to Limitless Connections”, një udhëtim praktik dhe frymëzues mbi fuqinë e lidhjeve autentike. Ky vizion i saj është shndërruar në libra, programe dhe evente që udhëzojnë njerëzit se si të shndërrojnë çdo kontakt në mundësi, çdo takim në një urë, dhe çdo bashkëpunim në një trashëgimi.

Migena Agaraj është gjithashtu një bashkëautore e tre vëllimeve të para të serisë ndërkombëtare “Powerful Female Immigrants”, një projekt që frymëzon madhështi dhe jep zë historive të grave emigrante që kanë ndërtuar suksesin e tyre përmes guximit, këmbënguljes dhe vizionit.

Përveç kësaj, ajo është bashkë-krijuese, themeluese dhe forcë lëvizëse e trilogjisë së veçantë “Real Women in Real Estate”, ku ka bashkuar mbi 65 gra të fuqishme nga e gjithë bota për të ndarë udhëtimet e tyre në pasuritë e paluajtshme. Kjo trilogji është bërë një trashëgimi kolektive, duke lidhur komunitete, duke hapur mundësi dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në industrinë e pasurive të paluajtshme dhe më gjerë.

Burimi: businessmag.al

Sot, 89 vjetori i lindjes së aktorit të madh fierak, Albert Vërria

0
Sot, 89 vjetori i lindjes së aktorit të madh fierak, Albert Vërria

Albert Verria erdhi në jetë në Fier, më 3 shtator 1936, në një familje të madhe tregtare. Shkollimin fillestar dhe të mesëm e kreu në Fier, ndërsa ndjenja për artin e përqafoi që në fëmijëri. I magjepsur nga gërmimet arkeologjike të profesor Hasan Cekës në Apoloni, ai shijoi qysh atëherë aromën e dramaturgjisë antike dhe u ngjit për herë të parë në skenë si fëmijë, me rolin e Shulkës te pjesa “Minçurini i vogël”. Ky ishte fillimi i një rruge që do ta çonte drejt një lavdie të pashlyeshme.

Pasi përfundoi gjimnazin, studioi për zooteknikë dhe për dy vjet punoi në Kukës, më pas si pedagog në shkollën bujqësore të Fierit. Por brenda tij pulsonte fort zëri i artit. Mjedisi intelektual, bisedat për opera, balet e teatër me pedagogë të kulturuar, e ushqyen atë zjarr të brendshëm që s’do të shuhej kurrë.

Në vitin 1959, kur u hap për herë të parë shkolla e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, Vërria konkurroi me nxitjen e regjisorit të njohur Viktor Stratobërdha dhe fitoi vendin e tij mes brezit të parë të aktorëve të kësaj akademie (1959–1963). Pas diplomimit, ai u emërua aktor në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës, duke vulosur një herë e përgjithmonë fatin e tij: artin e skenës dhe të ekranit.


Në vitin 1979, ai u nderua me titullin më të lartë “Artist i Popullit”, një vlerësim që thjesht konfirmoi atë që publiku e kishte shpallur prej kohësh me dashurinë e tij.


Albert Vërria nuk i ndau kurrë skenën dhe kinemanë. Ai vetë pohonte: “Teatri të jep kënaqësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me spektatorin, me emocionin dhe frymëmarrjen e tij. Ndërsa kinemaja të jep popullaritetin, sepse filmi mbetet, përsëritet dhe të bën pjesë e përjetshme e kujtesës së shikuesit.”


Nga viti 1963 e deri në daljen në pension më 1991, Vërria realizoi mbi 110 role në teatër, variete, seriale televizive dhe filma artistikë, duke u provuar edhe si regjisor. Në skenë spikati me Vehipin e “Familja e peshkatarit” (1963), me fajdexhiun e “Rrënjët” (1969) të Kujtim Spahivoglit, me Halil Shkozën e “Fytyra e dytë” të Dritëro Agollit, e shumë të tjera.


Se cili ishte ai, Albert Vërria, i madhi i roleve të vogla, vigani shtatshkurtër i traditës sonë të artit skenik, më shumë se rolet që ai jetësoi, personazhet, të cilët ai i bëri të pavdekshëm, jetën që i i frymoi me pasion dhe përkushtim.


Nga i dehuri te filmi “Përse bie kjo daulle” (1969), te monumentali “I teti në bronz” (1970) apo tek Bakalli në “Kur zbardhi një ditë” (1971), personazhet e Albert Vërrisë vijnë gjithmonë me një origjinalitet të papërsëritshëm dhe me një thellësi interpretimi që e bën të dallohet. Ai dinte ta ruante natyrën e veçantë të secilit karakter, duke e shkrirë në mënyrë organike me tematikën e veprës, me kohën e ngjarjeve dhe me ritmin dramatik të episodit.


Kjo aftësi e çoi natyrshëm drejt rolit ikonik të xha Sulos në “Kapedani” (1971), film i Muharrem Fejzos dhe Fehmi Hoshafit, mbi skenarin e bashkëpunimit të tyre. Personazhi i xha Sulos – një burrë i moshuar që mishëron ashpërsinë e normës patriarkale dhe mbart brenda vetes kontradiktat e shoqërisë tradicionale në përplasje me frymën e re – u bë jo vetëm një rol emblematik për Vërrinë, por edhe një figurë që mbeti e ngulitur në kujtesën kolektive të publikut shqiptar.


Më pas, ai vijoi me interpretimin e Hilukut në “Operacioni zjarri” (1973), të babait të Ademit në “Brazdat” (1973), apo të xha Kasemit në “Shpërthimi” (1974). Edhe pse jo gjithmonë role kryesore, ato u ngjitën në skenë me një përmbushje të plotë artistike falë lojës së matur, të peshuar dhe të besueshme të Albert Vërrisë. Secili personazh mbante vulën e tij: seriozitetin, finesën dhe përkushtimin e një aktori që nuk njihte role të vogla, por vetëm shfaqje të mëdha.


Nga Jani Ferra në “Shtigje të luftës” (1974), te Kaporal Pelegrini në “Në fillim të verës” (1975), apo Lec Kabashi në “Thirrja” (1976), e deri te Saliu në “I treti” (1978) dhe Ibishi në “Nga mesi i errësirës” (1978), loja e Albert Vërrisë shfaqet gjithnjë e më e konsoliduar, duke dëshmuar një impakt të fuqishëm interpretues. Ai arrinte të depërtonte në zemrën e çdo karakteri, duke e sjellë në ekran me atë madhështi që i jepte rrjedhshmëri e besueshmëri zhvillimit të ngjarjeve. Çdo figurë ishte një “Albert tjetër”: një tjetër shfaqje e aftësisë së tij për të përçuar lojë, emocion dhe përjetim të thellë tek publiku.

Kulmin e këtij konsolidimi e gjejmë te Nuri Beu në filmin e jashtëzakonshëm “Koncert në vitin 1936” (1978), një gur themeli i kinematografisë shqiptare nën regjinë e Saimir Kumbaros dhe mbi skenarin e Kiço Blushit e Dhimitër Shuteriqit. Ky rol i dha Vërrisë një tjetër përmasë artistike: atë të aktorit që përfaqëson jo vetëm individin, por edhe një epokë, një sistem mendësish, një realitet historik.


Më tej, ai spikati me figurën e Babait të Asimes në “Përtej mureve të gurta” (1979), ku mishëroi bindshëm profilin e një patriarku të zakoneve elbasanase, të ngurtësuar mes traditës dhe zakonit. Ai vijoi me Tasin në “Dëshmorët e monumenteve” (1980), Soll Lilin në “Agimet e stinës së madhe” (1981), e më pas me pjesëmarrje të denja në filmat televizivë si “Ditë të qytetit tim” (1982).


Në rolin e Bariut në “Melodi e pandërprerë” (1985), apo si shoku Kopi në “Rrethimi i vogël” (1986), dhe së fundi në “Në emër të lirisë” (1987), ai vazhdon të bartë të njëjtën forcë interpretuese, të njëjtën plastikë shprehëse dhe thellësi përjetimi. Çdo karakter që ai luajti, qoftë i vogël apo i madh në peshë narrative, mbartte shpirtin e tij, vulën e mjeshtërisë së një aktori që nuk e shihte rolin si rastësi, por si mision.
Albert Vërria nuk i jepte thjesht zë personazheve; ai i jepte shpirt. Ai nuk i vishte thjesht me gjeste e batuta; ai i ngjizte me energjinë e tij, duke i bërë të prekshëm, të afërt dhe të përjetshëm.


Dhe ja ku mbërrijmë te të tjerë role të mëdha, role të jashtëzakonshme, ku Albert Vërria sjell më së miri universin e tij shpirtëror dhe interpretues. Ana komike therëse dhe karakteri i ngjeshur i lëvizsshmërisë në një dinamikë të tendosur e bëjnë lojën një përkatësi identitare. Dionisis, Kepucari në “Misioni përtej detit” – (1988), edhe pse një rol episodik, e përçon reale pjesën e lojës. Historiani, “Historiani dhe kameleonët” (1988), për të ardhur te komedi “Trapi i Vjetër” (2005).


Me mbi 20 filma mbajnë gjurmën e tij të pashlyeshme. Ai nuk ishte vetëm një aktor, por një mjeshtër i shndërrimit, një alkimist i emocioneve që e kthente çdo rol në pjesë të shpirtit të tij dhe të shikuesve.


Ai e lidhte gjithmonë identitetin e tij me Vlorën, qytetin ku u bë artist: “Megjithëse jam nga Myzeqeja, kam marrë shumë nga Vlora. Aty mësova besën, krenarinë dhe dashurinë për artin. Vlonjatët i duan dhe i respektojnë artistët e tyre, dhe unë gjithë shpirtin tim të përkushtimit ia kam dhënë këtij publiku, që gjithmonë më ka pritur me dashuri. Për ta, gjithmonë kam dashur të jem në lartësinë e lojës më të bukur.”
Albert Vërria mbetet kështu vigani shtatshkurtër që u ngjit mbi podiumin e përjetësisë, duke i dhënë artit shqiptar një trashëgimi të pashlyeshme, të ngulitur thellë në kujtesën e brezave.

Nga Albert Vataj

Nga dasma, në spital/ Fier, shtohen rastet urgjente nga alkooli (Video)

0
Nga dasma, në spital/ Fier, shtohen rastet urgjente nga alkooli (Video)

Rasteve me shqetësimet shëndetësore tipike të stinës, iu shtuan edhe pacientët që kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të abuzimit me alkoolin në spitalin rajonal të Fierit.

Sipas mjekëve, fluksi ka qenë i lartë, ku kanë trajtuar deri në 200 pacientë në ditë. Pothuajse gjysma e tyre ishin qytetarë që e tepruan me alkoolin në festa të ndryshme familjare.

Më shumë me pijet alkoolike e kanë tepruar të rinjtë. Sipas mjekëve ndihma mjekësore kërkohet vetëm kur simptomat janë të rënda.

Kthimi i emigrantëve për pushime dhe dasmat që organizohen në këtë periudhë, shoqërohen çdo vit me fluks pacientësh në urgjencë. Sipas të dhënave nga bluzat e bardha, nuk janë shënuar raste të helmimit masiv nga ushqimi në dasma, por një numër i lartë qytetarësh përfunduan në urgjencë pasi konsumuan alkoolin me tepri./abc.com