Policia ka forcuar masat e sigurisë në zonën përreth Kuvendit, në kuadër të protestës së paralajmëruar nga qytetarët ditën e sotme, në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Përgjatë perimetrit të godinës së Parlamentit janë vendosur barriera metalike, ndërsa në terren është shtuar ndjeshëm prania e forcave të policisë.
Është bllokuar gjithashtu hyrja përballë Kalasë së Tiranës. Aty është vendosur një kordon policor, i shoqëruar me gardhe metalike, duke kufizuar lëvizjen në këtë pjesë të zonës.
Masat e shtuara vijnë në një kohë kur qytetarët kanë paralajmëruar protestë, ndërsa pritet që situata pranë Kuvendit të monitorohet gjatë zhvillimeve të ditës.

