Home Blog Page 109

A janë të nevojshme suplementet e vitaminave për një shëndet të mirë?

0
A janë të nevojshme suplementet e vitaminave për një shëndet të mirë?

Suplementet e vitaminave mund të jenë një mënyrë efikase për të shtuar vitaminat që mungojnë në dietën tonë. Por ato nuk janë gjithmonë një zgjidhje e shkëlqyer, sipas BBC.

Mbi 74% e amerikanëve dhe dy të tretat e britanikëve pranojnë se i përdorin ato në një përpjekje për të përmirësuar shëndetin e tyre.

Megjithatë, pilulat kanë ngritur polemika, pasi disa studime sugjerojnë se ato nuk kanë përfitime të dallueshme shëndetësore, dhe madje mund t’ju dëmtojnë.

A duhet të marrim të gjithë suplemente vitaminash, apo vetëm disa prej nesh?

Vitaminat dhe mineralet janë përbërës që trupat tanë nuk i prodhojnë, por që megjithatë janë thelbësore për shëndetin tonë.

Meqenëse nuk mund t’i prodhojmë, vitaminat dhe mineralet duhet t’i marrim nga ushqimi ynë.

Ato përfshijnë vitaminën A; e cila është jetike për shikim të mirë dhe ruajtjen e lëkurës së shëndetshme; vitaminën C, e cila është thelbësore për një sistem imunitar të shëndetshëm, dhe vitaminën K; e cila është e nevojshme për mpiksjen e gjakut.

Ndërkohë, mineralet thelbësore përfshijnë kalciumin, magnezin, selenin, kaliumin dhe të tjera.

Vitaminat dhe mineralet klasifikohen si mikronutrientë sepse na duhen vetëm në sasi të vogla krahasuar me makronutrientët si karbohidratet, proteinat dhe yndyrnat.

Është e drejtë të thuhet se asnjë suplement nuk zëvendëson dot kurrë një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar.

Prandaj, mënyra më e mirë për të përmbushur kërkesën e trupit për vitamina është përmes ngrënies së shumë perimeve me gjethe jeshile, frutave, drithërave, arrave, produkteve të qumështit dhe peshkut.

Megjithatë, hulumtimet tregojnë gjithashtu se shumë prej nesh nuk po arrijnë t’i përmbahen kësaj praktike.

Ushqimi i shpejtë, së bashku me produktet ultra të përpunuara, shpesh dominon kundrejt një vakti të freskët të gatuar në shtëpi.

Teoria – se doza e shtuar e vitaminës C – mund të ndihmojë në parandalimin e përhapjes së ftohjes së zakonshme në të gjithë botën perëndimore në vitet 1970 – falë njerëzve si Linus Pauling, një kimist fitues i çmimit Nobel – i cili pretendonte se marrja deri në 50 herë më shumë se doza e rekomanduar e vitaminës C mund të trajtonte çdo gjë – nga gripi, te sëmundjet kardiovaskulare, kataraktet dhe madje edhe kanceri.

Megjithëse ideja se mbidoza e vitaminës C mund të shëronte ftohjen është hedhur poshtë plotësisht, shumë individë ende i përmbahen këtij besimi.

“Mega-doza” e vitaminave dhe mineraleve mund të jetë e rrezikshme. Për shembull, ka pasur raste të njerëzve që janë dërguar në spital për shkak të marrjes së niveleve të rrezikshme të larta të vitaminës D.

Konsumimi i tepërt i vitaminës D mund të shkaktojë simptoma të lehta, të tilla si etja dhe nevoja për të urinuar më shpesh, por në raste të rënda mund të shkaktojë kriza, komë dhe vdekje.

Ndërkohë, sipas Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH) në SHBA, vitamina A në sasi të mëdha mund të shkaktojë “dhimbje të forta koke, shikim të turbullt, të përziera, marramendje, dhimbje muskujsh dhe probleme me koordinimin.

Në raste të rënda, marrja e tepërt e vitaminës A të parapërgatitur mund të çojë edhe në komë dhe vdekje.

Studimet klinike që janë bërë mbi vitaminat dhe mineralet kanë dhënë rezultate kontradiktore dhe sugjerojnë se nëse do të përfitoni nga marrja e suplementeve të vitaminave varet nga mikronutrienti i saktë që përmban suplementi.

Provat klinike të kryera mbi vitaminat dhe mineralet

Disa nga provat më të hershme u përqendruan në antioksidantë, molekula që neutralizojnë kimikatet e dëmshme të njohura si radikale të lira.

Radikalet e lira janë molekula të paqëndrueshme që reagojnë me qelizat dhe ADN-në dhe i copëtojnë ato.

Mund të duket e kuptueshme që rritja e konsumit të antioksidantëve do të ndihmonte në parandalimin e sëmundjeve, megjithatë studimet kanë treguar vazhdimisht se nuk është kështu.

JoAnn Manson, një profesoreshë e epidemiologjisë në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit, zbuloi se antioksidantët beta-karoten, vitamina C dhe vitamina E nuk kishin efekt në parandalimin e kancerit ose sëmundjeve kardiovaskulare.

Në fakt, disa studime sugjerojnë që dozat e mëdha të antioksidantëve në të vërtetë mund të dëmtojnë shëndetin.

Sipas provave klinike, marrja e sasive të mëdha të suplementeve të beta-karotenit mund të rrisë rrezikun e kancerit të mushkërive, veçanërisht nëse jeni duhanpirës.

Ndërkohë, dozat e mëdha të vitaminës E janë të lidhura me një rrezik në rritje të goditjes hemorragjike në tru.

Kur duhet të merrni një multivitaminë?

Çuditërisht, po fillojnë të shtohen provat se marrja e një multivitamine çdo ditë mund të jetë e dobishme për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit.

Studimi – i cili filloi më shumë se 20 vjet më parë, zbuloi se rreziku i diagnostikimit me kancer ishte 8% më i ulët tek njerëzit që morën një multivitaminë çdo ditë për 11 vjet.

Përfitimi më i madh ishte tek pjesëmarrësit më të vjetër që ishin mbi moshën 70 vjeç, të cilët kishin një ulje prej 18% të kancerit me caktimin e multivitaminës krahasuar me grupin “placebo” (një substancë që nuk ka efekt terapeutik, e përdorur si kontroll në testimin e barnave të reja).

Në vitin 2023, njerëzit që morën multivitamina çdo ditë kishin një ulje prej 60% të aftësive njohëse gjatë tre viteve krahasuar me grupin “placebo”. //a.i/

Trombektomia – ndërhyrja e avancuar që po shpëton jetë në Spitalin Memorial të Fierit

0
Trombektomia – ndërhyrja e avancuar që po shpëton jetë në Spitalin Memorial të Fierit

Spitali Rajonal “Memorial” në Fier, një nga institucionet më moderne publike të shëndetësisë në vend, është shndërruar në qendër referimi për trajtimin e avancuar të insultit ishemik, falë kryerjes së procedurës së trombektomisë – një ndërhyrje urgjente që mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes.


 
Ndërhyrja e parë me këtë procedurë u krye në prill të këtij viti, duke shënuar një arritje për këtë spital që mbulon kryesisht nevojat e jugut të Shqipërisë.


 
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e përshkroi këtë ndërhyrje si jetëshpëtuese, duke shpjeguar se heqja e mpiksjes nga arteriet cerebrale rikthen qarkullimin normal të gjakut dhe minimizon dëmet neurologjike. Kjo arritje, sipas ministres, është e mundësuar falë “bashkëpunimit të shkëlqyer të ekipit multidisiplinar shqiptaro‑turk, përbërë nga dr. Hasan Bayındır, dr. Ümit Görgülü, dr. Klaudio Disha, dr. Kjanda Elpenoria, dr. Turhan Güler, dr. Arlinda Abazaj, dr. Mesut Karataş dhe teknikët Halil Ibrahim Özkan, Temel Acar dhe Evis Maqina.”

Trombektomia është një procedurë invazive e kryer përmes një kateteri të futur në një arterie, zakonisht në këmbë ose në krah, i cili udhëhiqet deri në tru për të hequr mpiksjen e gjakut që ka bllokuar një enë gjaku kryesore. Në këtë mënyrë rikthehet qarkullimi cerebral, duke parandaluar dëmet e parikuperueshme. Koha është thelbësore – ndërhyrja duhet të realizohet brenda gjashtë orëve nga fillimi i simptomave, megjithëse në disa raste mund të kryhet deri në 24 orë.


   
Në Spitalin Memorial, trombektomia realizohet nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga neuroradiologë interventivë, neurologë, anestezistë dhe personel i specializuar në kujdesin intensiv. Spitali është i pajisur me një angio-sallë të standardeve të larta, CT perfuzionale dhe angio-CT, që mundësojnë diagnostikim të shpejtë e të saktë. Procedurat kryhen sipas protokolleve të përbashkëta turko-shqiptare, të harmonizuara me standardet e Bashkimit Europian dhe Turqisë, duke ofruar shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.


 
Ky shërbim i avancuar është veçanërisht i rëndësishëm për Shqipërinë, ku aksesimi i trombektomisë në spitalet publike ka qenë i kufizuar. Me këtë procedurë pacientët përfitojnë rritje të ndjeshme të mundësisë për rikuperim pa pasoja të rënda, zvogëlim të vdekshmërisë dhe të paaftësisë pas insultit, si dhe një alternativë të vlefshme kur terapia trombolitike nuk jep efekt.


 
Spitali “Memorial” në Fier, i hapur në vitin 2021 me mbështetje të Turqisë, tashmë jo vetëm që gëzon autonomi menaxheriale dhe financiare, por është shndërruar në një model menaxhimi dhe shërbimi mjekësor për të gjithë vendin, duke sjellë teknologji dhe procedura që shpëtojnë jetë, siç është trombektomia.


 
 Po ashtu një ndërhyrje tjetër e avancuar neurokirurgjikale u krye për herë të parë në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit në korrik të këtij viti, duke shënuar një hap të madh për shërbimet e specializuara në jug të Shqipërisë. Procedura, e njohur si kranioplastikë, u realizua mbi një pacient 75-vjeçar, i cili kishte pësuar një goditje të rëndë në tru dhe iu desh t’i hiqej një pjesë e kafkës për të shpëtuar jetën. Pas gjashtë muajsh trajtimi dhe kujdesi të vazhdueshëm, mjekët i vendosën sërish pjesën e munguar të kafkës, duke i rikthyer funksionet normale dhe duke shmangur komplikacione të rënda.
 
Edi Rama e bëri publik lajmin asokohe përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar ndërhyrjen si dëshmi të përparimit të spitalit.
 
Ndërhyrja të tilla e vendosin Memorialin ndër institucionet publike me kapacitet për procedura të tilla në vend.
 
Në mars 2023, u bë institucioni i parë publik në Shqipëri që fitoi Kartën e Autonomisë Menaxheriale, duke siguruar administrim të decentralizuar të burimeve njerëzore dhe financiare. Në mars 2025, mori edhe Kartën e Autonomisë Financiare, duke u kthyer në një model menaxherial për sistemin shëndetësor shqiptar.
 
Spitali është ndër më të pajisurit në jug të vendit, me rezonancë magnetike (MRI) të gjeneratës së fundit, CT skaner me shumë prerje, pajisje për kirurgji minimale invazive dhe sisteme për angiografi cerebrale e vaskulare.

Burimi: Gazeta TEMA

Situata nga zjarret në vend vijon problematike, 23 vatra aktive! Zonat që ende po digjen nga flakët

0
Situata nga zjarret në vend vijon problematike, 23 vatra aktive! Zonat që ende po digjen nga flakët

Pas angazhimit të forcave të emergjencave, situata nga zjarret paraqitet e stabilizuar në shumë zona problematike.

Aktualisht janë raportuar 23 vatra zjarri aktive.

Po punohet në këto zona:

  • Syri i Kaltër (Delvinë) – Vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në lartësitë e Malit të Sopotit. Në terren janë 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të FA me 10 automjete, 6 autoambulanca dhe 30 forca mbështetëse. Në mbështetje edhe avioni italian “Canadair”.
  • Pecë, Sirikat, Kardhikaq (Finiq) – Vatra në sipërfaqe me shkurre dhe pyje, po mbahet në vëzhgim nga strukturat vendore.
  • Kuç (Himarë) – Zjarr në sipërfaqe pyjore, në operim forcat zjarrfikëse.
  • Brataj (Selenicë) – Zjarr në shkurre dhe pyje, forcat zjarrfikëse në terren.
  • Mali me Gropa, Val (Bulqizë) – Dy vatra në zonë të mbrojtur, terren i thyer; po monitorohet nga punonjës të AdZM dhe forca vullnetare.
  • Tërnovë (Bulqizë) – Zjarr në pyje të dendura, në operacion 8 zjarrfikës, forca pyjore, bashkiake dhe FA, me mbështetje nga një helikopter.
  • Zhapokikë, Plashnik, Rezervati Balloll (Poliçan) – Zjarr me përhapje të shpejtë, dje u evakuuan 20 banorë. Në terren po operojnë zjarrfikës, punonjës të AdZM, forca ushtarake dhe 3 helikopterë (2 nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe 1 nga Çekia).
  • Velçan (Berat) – Pas angazhimit që në mesditë, me ndërhyrje nga toka dhe nga ajri, është arritur të shmanget rreziku për banesat në Velçan, Bashkia Berat. Situata po monitorohet nga pranë nga AKMC, teksa 20 efektivë shtesë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore do vazhdojnë të operojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrës.
  • Orizaj (Skrapar) – Zjarr në shkurre, pa rrezik për banesat, nën monitorim.
  • Vokopolë (Poliçan) – Vatra me intensitet të ulët, nën monitorim.
  • Mbrakull (Poliçan) – Situatë e qetë dhe nën kontroll.
  • Ibë (Tiranë) – Zjarr i vënë nën kontroll, u shmang rreziku për banesat.
  • Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Tiranë) – Vatra e vënë nën kontroll, pa rrezik për banesat.
  • Ferraj dhe Zall-Herr (Tiranë) – Vatra është vënë nën kontroll, pas një pune mjaft të vështirë për shkak të terrenit.
  • Spanesh, Kazie (Rrogozhinë) – Zjarr i izoluar, nën vëzhgim.
  • Dhuvjan, Lugar, Frashtan (Dropull) – Zjarr i vënë nën kontroll, situata e qetë.
  • Hormovë (Tepelenë) – Zjarr në lartësitë e Majës së Golikut; një vatër tjetër pranë antenave të RTSH, po mbahet nën monitorim.
  • Kullollas, Kodovjat, Ermenj (Gramsh) – Është ndërprerë përhapja drejt fshatit Nartë, pas punës së forcave. Në terren zjarrfikës, forca bashkiake, FA dhe vullnetarë.
  • Mukaj, Sojnik (Gramsh) – Zjarr në shkurre e ferra, nuk rrezikohen banesat; në terren forca zjarrfikëse, FA dhe vullnetarë.
  • Kunorë Dardhë – Laku Klyz, Rrafshi i Sakatit (Fushë Arrëz) – Situata e rënduar, zjarri po përparon në terren të vështirë drejt zonave malore. Në operacion janë mbi 150 forca bashkiake, pyjore, vullnetare dhe efektivë të FA.
  • Gërmenj (Kolonjë) – Zjarr në pyje pishe, në operim nga forcat zjarrfikëse.
  • Velës (Mirditë) – Zjarri në pyll pishe, në terren forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore dhe vullnetare, me vështirësi për shkak të dendësisë së bimësisë.

Top Channel

Lazanjë me Kungull – Receta që Duhet të Provoni

0
Lazanjë me Kungull – Receta që Duhet të Provoni

Lazanja është sinonim i shijes së pasur e të mirë.

Mund ta keni provuar me mish, salcë, kërpudha, beshamel, perime e shumë përbërës të tjerë.

Por në recetën e sotme do ju tregojmë një mënyrë të re përgatitje, lazanjen me kungull.

Ndiqni mënyrën e saktë të përgatitjes dhe shijojeni në shtëpitë tuaja.

Përbërësit
1 kungull mesatar
2 lugë gjelle vaj ulliri
1 lugë çaji kripë
Një majë luge arrë moskat
12 peta lazanje
65 gr gjalpë
120 gr qepë
3 thelpinj hudhër
65 gr miell
600 ml qumësht
65 gr djathë kaçkavall i grirë
250 gr djathë i bardhë ose mozzarella

Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të ndizni furrën në temperaturën 200 gradë.

Qëroni kungullin dhe priteni në kubikë të vegjël dhe shtrojeni në një tavë të lyer me vaj ulliri, pak kripë dhe arrë moskat.

Futen të piqet për 30 – 35 minuta duke e ulur nxehtësinë e furrës në 180 gradë.

Ndërkohë zieni petët e lazanjës duke ndjekur edhe udhëzimet që kanë zakonisht në ambalazhim për të qenë sa më të saktë.

Zierja e tyre në një tenxhere me ujë nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 minuta, derisa të fillojnë të zbuten paksa, por jo tërësisht.

Nëse janë të freskëta kërkojnë një kohë edhe më të vogël zierje.

Petët e lazanjës tuaj duhet të jenë “al dente” prandaj kini kujdes me kohën e zierjes së tyre.

Teksa bëni këtë process në një tigan shkrini gjalpin në nxehtësi mesatare, shtoni qepën e grirë hollë dhe skuqeni për 6-7 minuta.

Më pas shtoni po aty edhe hudhrat e grira duke i gatuar edhe për 1 minutë tjetër.

Duke përzier, hidhni miellin, pak kripë dhe qumështin derisa të formohet salca e zaknëshme e trashë.

Sipas dëshirës në këtë pikë mund të shtoni erëza si trumza apo të tjera.

Lëreni tiganin në zjarr për 8 -10 minuta derisa salca të trashet dhe kur ta hiqni nga zjarri shtoni djathin e grirë kaçkavall.

Tani duhet të jeni zier petët e lazanjës, thajini me kujdes dhe vendoseni në një pjatë pa u prishur.

Bëni gati një tavë pjekje katrore dhe shtroni 3 petët e para të lazanjës ndërkohë nxirrni kundullin nga furra dhe rreth 1/3 hidhjani sipër petëve.

Spërkasni të gjithë sipërfaqen me salcën e bardhë që përgatitët e në fund vendosni një shtresë me djathë të bardhë ose mozzarella.

Bëjeni këtë proces deri në tre shtresa, e derisa të gjithë përbërësit të kenë mbaruar.

Futeni tavën të piqet e mbuluar me një kapak apo me letër furre për 30 minuta, më pas hiqni kapakun dhe lëreni të piqet edhe për 30-35 minuta të tjera derisa të marrë ngjyrë të artë.

Nxirreni nga furra, lëreni të ftohet për 10 minuta e më pas priteni për ta shërbyer./AgroWeb.org

Kryengritja e Fierit e 14 gushtit 1935- Nga Ilirjan Gjika

0
Kryengritja e Fierit e 14 gushtit 1935- Nga Ilirjan Gjika

Në periudhën midis dy luftërave botërore të gjitha vendet e Ballkanit u karakterizuan nga paqëndrueshmëria politike dhe lufta për pushtet midis grupeve të ndryshme. Kështu në Greqi, ndodhi konflikti i ashpër midis republikanëve dhe monarkistëve që vazhdoi për më shumë se një dekadë. Nga ana tjetër Jugosllavia, njohu përplasjet ndëretnike midis grupit serb dhe atij kroato-slloven. Bullgaria dhe Rumania patën përballje midis të majtës dhe të djathtës.

Ndërsa në Shqipëri situata paraqitej paksa ndryshe. Pas paqëndrueshmërisë politike të viteve 1920-1924 gjatë së cilës u ndërruan 12 qeveri, si dhe kryengritjes së qershorit 1924, u vendos së fundmi stabiliteti politik. Ai vijoi përgjatë viteve 1925-1939, kohë që njihet nga historia jonë si, periudha e drejtimit politik të Ahmet Zogut. Në këtë etapë për herë të parë në jetën e tij u bë edhe konsolidimi i shtetit shqiptar. Duke u bazuar te këto zhvillime, historianët theksojnë se, fillimisht si president dhe më pas si mbret, Zogu, u përpoq t’i jepte vendit rend, qetësi dhe stabilitet. Arritje të rëndësishme u bënë në shumë fusha, ku shteti shqiptar kishte: monedhën e tij, pushtet gjyqësor, legjislacion bashkëkohor, administratë efektive, arsim fillor falas, lëvizje të lirë brenda dhe jashtë vendit, etj.

Gjithashtu Shqipëria e asaj kohe kishte një orientim perëndimor ku garantohej e drejta e jetës, pronës, barazia përpara ligjit, e drejta e besimit fetar, etj. Ndërkohë ekzistonin edhe probleme të tilla si: mungesa e pluralizmit politik, demokracisë, censura mbi shtypin apo përndjekja e kundërshtarëve të regjimit. Por në aspektin ekonomik mungonin strategjitë e qeverive për zhvillimin e mirëfilltë të ekonomisë, ku disa probleme kryesore ishin ai i tokës, i prodhimit të drithërave, përhapja e fajdesë dhe një prapambetje e përgjithshme.

Këtyre problemeve i shtohej edhe ekzistenca e një opozite politike jashtë dhe brenda vendit. Ajo zhvillonte jo vetëm një propagandë ta fuqishme kundër regjimit në emigracion, por ndërmerrte herë pas here dhe veprime të armatosura. Të tilla ishin atentati ndaj Zogut në Vjenë (1931), komploti i organizatës së fshehtë të Vlorës (1931-32), kryengritja e Fierit (1935), si dhe lëvizja e Delvinës e vitit 1937. Gjithsesi të gjitha këto veprime nuk e kërcënuan seriozisht stabilitetin politik, megjithëse e rrezikuan ndjeshëm regjimin e kohës. E tillë ishte edhe Kryengritja e Fierit e 14 gushtit të vitit 1935 e cila ishte përpjekja më serioze për rrëzimin e regjimit politik.

2
Në pranverën e vitit 1934, në Tiranë, u formua “Organizata e Fshehtë” e cila ngriti degët e saj në disa qytete të vendit. Ajo përfaqësonte njerëz me formim të ndryshëm politik të cilët vinin nga shtresa të ndryshme shoqërore si: ushtarakë, ish ushtarakë, nëpunës, tregtarë, pronarë të mëdhenj tokash, intelektualë, mësues, të rinj me prirje revolucionare, etj. Të gjithë këta persona kishin bindje të ndryshme politike, të tilla si republikane, nacionaliste apo komuniste.

Një pjesë e madhe e tyre ishin njerëz që ishin prekur nga reformat shtetërore të ndërmarra nga regjimi i Zogut dhe kërkonin përmbysje të tij dhe shpalljen e republikës. ‘’Si president i republikës së re (monarkinë pjesëtarët e komplotit përgatiteshin për ta eleminuar), ishte vendosur të vihej Nuredim Vlora, përfaqësues i një prej familjeve të parisë shqiptare…’’, thekson për qëllimet e Organizatës së Fshehtë, historiania ruse Nina Smirnova (Smirnova N, 2004: 185-186).


Ndërsa, pjesa tjetër e organizatës kërkonte që pasi të merrte pushtetin t’i imponohej mbretit, që të shpallte pluralizmin politik dhe të largonte ndikimin italian nga Shqipëria. Organizata e Fshehtë drejtohej nga Ali Shefqet Shkupi, ish oficer i lartë i nxjerrë në lirim dhe kishte vendosur të realizonte një kryengritje, duke u bazuar te një grusht shteti që do të ndërmerrej nga segmente të ushtrisë, i cili do të kombinohej edhe me veprime kryengritëse të forcave civile.

Për këtë qëllim, organizata, ngriti degët e saj në disa qytete dhe krahina të vendit si: Tiranë, Durrës, Shijak, Elbasan, Peqin, Berat, Lushnje, Fier, Mallakastër dhe Skrapar. E ndërsa ajo bënte përgatitjet, strukturat e specializuara të shtetit, ranë në gjurmët e saj, gjë që e nguti organizatën ta niste kryengritjen përpara kohe (Belegu M, 1987: 82-85). Në këtë mënyrë ajo nuk e organizoi si duhet kryengritjen duke e shpërthyer atë vetëm në Fier dhe Skrapar. Por le të kthehemi tek Fieri, në të cilin funksiononte dega lokale e Organizatës së Fshehtë. Autori Mentar Belegu, te libri i tij ‘’Kryengritja Antizogiste e Fierit’’, pavarësisht trajtimit të kësaj ngjarjeje sipas një këndvështrimi të njëanshëm, karakteristikë e botimeve të periudhës së komunizmit na jep këto të dhëna.

Sipas tij, grupi i Fierit, përbëhej nga Hekuran Maneku, Mustafa Kaçaçi, Zenel Hekali, Musa Kranja, Dervish Hekali, Jashar e Namik Cakrani, Abdurrahman Zelka dhe Xhevahir Abazi (Belegu M, 1987: 72, 75). Por ndryshe nga degët e tjera të Organizatës së Fshehtë, ky grup ju vu punës, duke ngritur strukturat përkatëse dhe rekrutuar njerëzit për kryengritjen e armatosur (Emiri H, 2001: 165: 168-169). Në bazë të punës së zhvilluar dhe organizimit të mire, ai ishte i pari që nisi revoltën, duke dhënë sinjalin e kryengritjes. Për këtë qëllim e mërkura e 14 gushtit ishtë një ditë optimale, pasi në Fier zhvillohej pazari lokal dhe grumbullimi i njerëzve nuk do të binte në sy.

Nga dëshmitë që kanë lënë disa nga protagonistët pjesmarrës në këtë ngjarje, kryengritja, u drejtua nga nëntoger Musa Kranja, zëvendëskomandant i xhandarmërisë së Fierit. Ato së bashku me të dhëna të tjera të hollësishme rreth kësaj ngjarjeje të pjesmarrësve Jakov Milaj, Ramiz Omari apo Xhevahir Abazi (Arapi), i gjejmë në librin e autorit Hysen Emiri: ‘’Historia e Fierit’’, botuar në vitin 2001. Sipas tyre, në orën 14: 30, Kranja, mblodhi njerëzit e grumbulluar së bashku me 11 xhandarët e postës së Fierit dhe hapi depon ushtarake të garnizonit duke shpërndarë armët që ndodheshin aty. Sipas kujtimeve të, Ramiz Omarit, me to u armatosën civilët e ardhur nga fshatrat e Fierit dhe Mallakastrës (Emiri H, 2001: 185-186).

Më pas veprimet vijuan me arrestimin e nënprefektit Hasan Lame, i cili sapo ishte informuar dhe po përgatitej për tu nisur që të informonte Tiranën. Arrestimi i tij u bë nga Musa Kranja, në ambientet e godinës së nenprefektures (Emiri H, 2001: 168). Duke cituar Dr. Jakov Milajn, Emiri, shkruan se kryengritësit morën masat e para duke shpallur shtetrrethimin. U ndalua dalja e makinave jashtë qytetit, u ndërprenë lidhjet telefonike dhe telegrafike me qytetet e tjera. Veprime të mëtejshme për të marrë autoritetin ishin edhe mbledhja në nënprefekturë ku u krijua Komisionit Administrativ i drejtuar nga Spiro Papa. Për të drejtuar bashkine u zgjodh drejtues Ramiz Omari, kurse komandat i vendit u caktua, Hekuran Maneku, i cili krijoi patrullat që do të ruanin qetësinë dhe rendin.

Pas këtyre veprimeve filloi në sheshin përpara bashkisë mitingu.


‘’Në ballkon të bashkisë doli komisioni administrativ, Musa Kranja dhe pas tij folën Kost Çekrezi (i ardhur para dy ditësh me Musain nga Tirana), Zenel Hekali dhe të tjerë’’, thekson Jakov Milaj rreth këtij zhvillimi (Emiri H, 2001: 153-190). Kost Çekrezi njoftoi pjesmarrësit se në Tiranë pushteti i Zogut kishte rënë dhe se qeveria e re e kishte dërguar atë në Fier si përfaqësues të saj. Ndërkohë në këtë momemt mbërriti me makinën e tij gjenerali Leon De Gilardi, figura e tretë e hierarkisë ushtarake shqiptare. Gjenerali u ndodh rastësisht dhe ndaloi automobilin të shihte se ç’po ndodhte (Fischer. J. B, :255). Ai po udhëtonte nga Berati për në Fier me destinacion Apoloninë, ku ishte ftuar nga arkeologu Leon Rei, drejtues i misionit arkeologjik francez. ‘’Gjenerali ishte rrugës për në Apoloni, ku e prisja për drekë dhe unë u habita kur mora vesh lajmin e vrasjes të nesërmen në mëngjes’’.

Kështu shkruan Leon Rei në ditarin e tij për vrasjen e gjeneral Gilardit atë ditë të 14 gushtit 1935 (Rei L, 2012: 98). I shoqëruar nga shoferi, gjenerali, ndaloi përpara turmës, e cila e ekzaltuar ishte mbledhur në manifestimin ku po shpallej kryengritja dhe rrëzimi i monarkisë. Në momentin kur makina ndaloi përpara saj u shfaqën dy xhandarë: Xhevair Abazi dhe Myrteza Dajlani. Gilardi i cili ishte Inspektor i Përgjithshëm i ushtrisë replikoi shpejt me ta dhe në momentin kur nisi të dilte nga makina u vra nga Xhevahir Abazi. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë autori, Xhevahir Abazi, si dhe disa nga pjesëmarrësit në kujtimet e tyre.

‘’I bëra thirrje që të dorëzohej por ai nuk ju bind fjalës dhe më në fund më tha: ‘’Jam gjeneral Gjilardi’’. Në kohën, kur ai donte të dilte nga e majta e veturës, u godit për vdekje’’. Kështu i ka dëshmuar në gusht të vitit 1975, Xhevahir Abazi (Spathara), shkrimtarit dhe studiuesit Hysen Emiri rreth kësaj ngjarje (Emiri H, 2001: 189).

Ndërkohë që në mbrëmjen e asaj dite, kryengritësit rreth 200-250 veta, pasi pritën pa rezultat kryengritësit e Vlorës që duhet të vinin sipas planit të organizatës, marshuan drejt Lushnjes. Sipas konspiracionit ata do të takoheshin në hyrje të saj me kryengritësit e tjerë që do të vinin prej Beratit dhe Skraparit. Pasi mbërritën aty në orën 22: 00, ata u takuan vetëm me kryengritësit e Karbunarës të drejtuar nga Taullah Sinani. Së bashku, pas një ore tentuan të futeshin në Lushnje, për ndeshën në qendresën e xhandarmarisë lokale, e cila menjëherë i goditi me armë (Belegu M, 1987: 101).

Të dy palët patën një shkëmbim zjarri që nuk shkaktoi të vrarë. Të dëshpëruar nga qëndresa e forcave qeveritare kryengritësit u tërhoqën me panik duke u shpërndarë në drejtim te Fierit. Tërheqja u bë me pështjellim të plotë dhe pa qëllim rigrupimi. Sipas kujtimeve të Xhevahir Abazit (Spathara), krerët e kryengritjes u kthyen në Fier. Këtu pasi u veshën civilë u nisën drejt Karavastasë, ku gjetën një benzinatë italiane. Duke mashtruar pronarin se do të shkonin në Durrës, dolën në det të hapur dhe pas disa miljesh morën drejtimin për në Itali (Emiri H, 2001:190).

Ndërsa Tafil Boletini i cili të nesërmen e kryengritjes në datën 15 gusht 1935 nisi detyrën e nënprefektit në Lushnje, në librin e tij ‘’Kujtime’’, tregon për Musa Kranjën dhe Kostë Çekrezin se: ‘’Pasi hypin, me kobure në dorë, dashtë e pa dashtë, e detyrojnë kapitenin me u nisë për Itali’’ (Boletini T, 2003: 412).

Grupi që u arratis përbëhej nga Musa Kranja, Kost Çekrezi dhe Zenel Hekali, të shoqëruar edhe nga Arshi Shehu, dhe Xhevahir Arapi. Në Karavasta ata hipën në motobarkën italiane ‘’Due Fratelli’’, të drejtuar nga kapiteni Ranjo Nikolo dhe nëpërmjet saj mbërritën në Bari (Belegu:118).

Këtu ata pasi qëndruan për tre muaj u liruan duke marrë statusin e emigrantit politik.
Ndërkohë lajmi kishte mbërritur në kryeqytet dhe qeveria mori masa të shpejta ushtarake. Menjëherë u nisën kundër kryengritësve dy batalione nga Tirana dhe Elbasani. Me të mbërritur në Lushnje, trupat ushtarake, panë se gjendja ishte e qetë ndaj morën drejtimin duke marshuar drejt Fierit, ku ishte qendra e rrebelimit. Aty, këto forca mbërritën në mëngjesin e datës 15 gusht pa hasur asnjë lloj rezistence (Fischer J. Bernd, 2004: 255).

Ndërsa qëndra tjetër e kryengritjes do të ishte Skrapari, protagonisti kryesor i drejtimit të së cilës u bë Riza Cerova. Pas 11 vjetësh emigracioni politik (1924-1935) ai do të kthehej në Shqipëri në 6 prill 1935 (Nishova M, 1971: 90-91). Autoritetet e Ministrisë së Brendëshme e lejuan Riza Cerovën të vendosej fillimisht në Elbasan dhe më pas në Tiranë, ku shumë shpejt do të binte në kontakt me krerët e Organizatës së Fshehtë. Fillimisht u planifikua që ai do të kryente disa funksione drejtuese por i përgjuar nga autoritetet, Cerova, do të largohej për të drejtuar këtë lëvizje në Skrapar.

Këtu, grupi i ‘’Organizatë së Fshehtë’’ përbëhej nga Riza Vala, Pasho Hysi, Tahir Grepcka, Ramiz Spathara, etj. Përveç agjitacionit dhe propogandës ai u mor edhe me anën organizative të kryengritjes së ardhshme. Për të qënë sa më pranë njerëzve dhe terrenit, në javën e fundit të muajit korrik, Riza Cerova, u zhvendos nga Tirana për në Skrapar i shoqëruar nga bashkëluftëtari i tij Myrto Cerova (Belegu M, 1982: 107). Ndërsa autori Mane Nishova na jep një tjetër datë tjetër të lëvizjes së tij. ‘’Pas 41 ditëve që ishte kthyer nga emigracioni, duke u mbajtur gjithmonë nën survejim, më datën 22 maj, Riza Cerova, u nis për në familjen e tij në Skrapar’’, shkruan ai në monografinë ‘’Riza Cerova’’ (Nishova M, 1971: 92).

Në bazë të planit të grupit të Skraparit dhe të miratuar edhe nga qëndra e organizatës në Tiranë, kryengritësit nën drejtimin e Riza Cerovës do të sulmonin Beratin, të cilin do ta merrnin nën kontroll. Një gjë e tillë do të bëhej e mundur në bashkëpunim me grupin që vepronte në këtë qytet dhe që drejtohej nga Seid Vrioni. Pas marrjes së Beratit, këto forca do të avanconin drejt Lushnjes, për të vijuar më pas marrshimin drejt Tiranës (Belegu M, 1982: 108-109). Një hap tjetër i këtij plani ishte që, forcat kryengritëse, të mos sulmonin fillimisht qëndrën e nënprefekturës, Çorovodën. Fillimisht ato do ti afroheshin në fshehtësi Beratit për të mos ngjalluar dyshime të cilat do të sillnin reagimin e forcave qeveritare. Pas marrjes së Beratit, që ishte dhe qëndra e prefekturës, do të niste sulmi në Çorovodë, nga forcat nën drejtimin e Pasho Hysit (Belegu M, 1982: 108).

Në bazë të kësaj skeme nisën veprimet kryengritëse, ku Riza Cerova, mblodhi një grup të armatosur prej 70 personash, ku bënin pjesë edhe Myrto Cerova, Ramiz Spathara, Riza Vala, Hudai Cerova, Tahir Hasani, Ali Cerova, etj. Në mbrëmjen e 13 gushtit 1935, kryengritësit, u nisën në drejtim të Beratit duke përshkuar itinerarin Spatharë-Vëndreshë-Therepel-Ustinjë-Valë-Plirëz. Ndërkohë që autoritetet në Çorovodë ndryshe planifikimit të Riza Cerovës nisën të vepronin duke njoftuar Ministrinë e Brendëshme (Belegu M: 109-110). Nënprefekti I. Dibra njoftonte Zyrën Sekrete për atentatet që do të zhvilloheshin në Tiranë nga grupi i grupi i skraparlinjve që shërbenin në xhandarmëri dhe lëvizjet e Riza Cerovës, shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, në librin e tij ‘’Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005’’. Biles në çetën e Riza Cerovës, Zyra Sekrete, kishte infiltruar informatorin E. Mollasi, i cili raportonte në lidhje me të.

Ndërsa më pas, Prefekti Beratit Qazim Bodinaku, do të kërkonte anulimin e thirrjes në gjyq të këtij personi, i cili duke rrezikuar jetën kishte dhënë informacione të sakta (Dervishi K, 2006: 350, 355). Në zbatim të planin të saj, çeta e Skraparit, në mbrëmjen e 14 gushtit 1935 u vendos në fshehtësi në periferi të Beratit. Këtu, Riza Cerova, do të mësonte se grupi Organizatës së Fshehtë ishte tërhequr nga kryengritja dhe se grupi i Fierit ishte thyer në Lushnje. Në këto kushte, ai, vendosi të tërhiqej dhe e shpërndau grupin kryengritës. Së bashku me shtatë bashkëluftëtarët më të besuar vendosën të arratiseshin në Jugosllavi nëpërmjet Malit të Thatë. Duke u tërhequr në brendësi të vendit, grupi i tij u ndoq nga tre detashmente të forcave të xhandarmërisë të nisura nga Berati dhe Skrapari, që drejtoheshin nga Veiz Xhindi, Jako Kumani dhe Kamber Prishta (Nishova M, 1971: 100).

Ndërsa një grup tjetër i nisur nga Pogradeci dhe që drejtohej nga Gjon Destanishta u përpoq t’i priste rrugën (Belegu M, 1982: 110-111). Për ti shpëtuar ndjekjes grupi i Riza Cerovës ndoqi itinerarin: mali i Tomorrit-Kulmak-Zaloshnjë-Mazrekë (Opar)-Krosnishtë (Gorë)-Marjan (Gorë). Pavarësisht kësaj përpjekjet me armë e shoqëruan kudo. Në përballjen e fundit, Riza Cerova do të vdiste nga plagët e marra në orët e para të mëngjesit të 25 gushtit, në pyllin e Marianit në Pogradec. Këtu ai do të shkruante edhe një letër të fundit dërguar familjes (Belegu M, 1982: 110-111).

Të njëjtin fat patën edhe shokët e tij Myrto Cerova dhe Ramiz Spathara që do të vriteshin disa muaj më vonë, pikërisht në 10 tetor 1935. Ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë si Riza Vala, Shuaip Hyseni dhe Tahir Hasani do të kapeshin nga forcat qeveritare menjëherë pas vrasjes së tij (Belegu M, 1982: 112-113).

Vdekja e tij u pasqyrua në dy qëndrime të ndryshme nga shtypi proqeveritar në Shqipëri dhe nga ai që botonte emigracionit politik jashtë. Edhe media europiane shkroi për këtë ngjarje ku së bashku me përshkrimin e saj qarkulloi edhe fotografia e Riza Cerovës së vrarë.

3


Sapo batalionet e ushtrisë u futën në qytetin e Fierit, komanda e tyre shpalli gjendjen e shtetrrethimit, duke marre nën kontroll të gjitha pikat e rëndësishme. U shpërnda komisioni i përkohshëm adminisrativ dhe filluan arrestimet. Gjithashtu nisi veprimtarinë e saj gjykata e posaçme politike e krijuar enkas për këtë rast me dekret mbretëror. Kryetari i trupit gjykues ishte Ali Rizai, komandant i operacionit. Anëtarë të tjerë tëtij ishin: major Hamza Kuçi, kapiten Zef Prenushi dhe gjyqtarët Petro Martini dhe Sadri Faslliu. Prokuror ishte Kiço Bisha, prokuror i pëhershëm i Gjykates së Posaçme (Gazeta Besa: 18 gusht 1935).

Gjykimi u bë nën një regjim terrrori dhe mbi të burgosurit u ushtruan edhe torturat të ndryshme. ‘’Bashkia, shtëpitë e Qemal Vrionit ato ditë ishin salla gjyqi dhe natën salla torturash, zyra e post telegrafit, dyqanet e Idris Bulos, zyra e gjindarmërisë e rrethit dhe ajo e postkomandës, shkolla “Plotore” e Fierit në Bishanak, hoteli i Ramis Omarit e të tjerë lokale, ishin burgje dhe salla torturash’’, shkruan në kujtimet e tij vite më vonë Xhelal Staravecka, ish pjesmarrës në këtë kryengritje (Staravecka Xh, 2012).

Seanca e parë gjyqësore u zhvillua në ambientet e nënprefekrurës dhe dënoi grupin e parë që përbëhej nga 21 xhandarë, pjesmarrës në këtë kryengritje. Nga këta, 11 prej tyre u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan ndërsa të tjerët e pësuan me afate të ndryshme burgimi. Më pas gjyqi i zhvendosi gjykimet në shtëpinë e Qemal Bej Vrionit, i cili ishte një nga të arestuarit. Gjykimet e tjera kishin të bënin me civilët që kishin marrë pjesë në kryengritje (Emiri H, 2001: 178-179).

Në gjyqin e Fierit dolën 539 vetë, nga të cilët 17 ishin të arratisur politikë të cilët u gjykuan në mungesë. Përveç ekzekutimit të njëmbëdhjetë xhandarëve, me vdekje u dënuan edhe 41 të tjerë, të cilët në prag të ekzekutimit si rezultat i presionit ndërkombëtar, ju ndërrua dënimi në burgim të përjetshëm. Prej këtyre vetëm Hekuran Maneku ekzekutua në Fier me varje në 23 shtator 1935 (Belegu M, 1987: 136).

Midis personave të dënuar figuronin edhe anëtarët e disa familjeve të dëgjuara dhe me influencës siç ishin familjet: Vrioni, Dibra dhe Vlora. Ndaj këtyre personave gjykata nxori prova të dorës se dytë. Këto prova dëshmonin për një pakënaqësi të përgjithshme ndaj mbretit, qeverisë dhe disa personave të veshur me pushtet si, ministrit të brendshëm Musa Juka, ministrit të luftës Xhemal Aranitasit dhe adjutantit të Zogut, Abdurrahman Krosit (Fischer, J. Bernd, 2004: 256).

Gjyqit Politik të Fierit ju nënshtura në gjykim përveç grupeve të tjera edhe ai i Skraparit. Gjykimi për pjesëmarrësit në çetën e Riza Cerovës nisi në 9 gusht 1935 (Dervishi K, 2006: 357, 359). Për ta u dhanë masa të ndryshme dënimesh.


Gjyqi përfundoi në 17 shtator pasi punoi me intensitet për një muaj rresht, duke lënë në Fier një klimë terrrori, e cila arriti kulmin në datën 23 shtator me ekzekutimin e Hekuran Manekut. Ai ishte një nga pjesëmarrësit aktiv në kryengritje dhe u akuzua për vrasjen e Gilardit. Për arësye të torturave të tmerrshme dhe qëndrimit burrëror që mbajti, Maneku, tentoi të vetvrasjen duke shpuar barkun me një gozhdë që gjeti në murin e birucës. Duke qenë se nuk ju dha kujdesi shëndëtësor plaga ju infektua.

Mjeku e vizitoi vetëm në momentet e fundit dhe deklaroi se gjendja e tij ishte e pashpresë. Për ti shpëtuar diskreditimin në shtypin e huaj për torturat e përdoruara, regjimi, vendosi ekzekutimin e tij (Emiri H. 2001: 178-180).

Por dënimet e ashpra të gjyqit politik të Fierit goditën imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Do të ishin edhe torturat e përdorura mbi pjesëmarrësit që sollën një reagim të madh, duke nisur nga shtypi i huaj, organizatat ndërkombëtare e deri te Lidhja e Kombeve. Kështu, një ditë përpara mbylljes së gjyqit në 16 shtator 1935, Shoqëria Juridike Internacionale, dërgoi në Tiranë avokaten francize, Stodel. Ndërsa pothuajse të gjitha gazetat më të njohura të shtypit të huaj si, Times, Daily Telegraph, Le Petit Parisien, Le Figaro, Journal de Geneve, Pravda, Kathimerini, Vreme, etj, shkruan artikuj reth kësaj ngjarjeje (Belegu M, 1987: 144, 147, 149).

Autorë të ndryshëm theksojnë se problemit të keqtrajtimeve me të burgosurit e Gjyqit të Fierit i kushtoi një seancë të posaçme edhe Lidhja e Kombeve. Biles rreth kësaj çështjeje, gazetari dhe publicisti Tajar Zavalani, në librin ‘’Histori e Shqipnis’’, midis të tjerave shkruante se: ‘’Drama juridike e Fierit pat një jehonë të papritur në Europë. Lidhja për të Drejtat e Njeriut në Paris dhe organizata të tjera liberale protestuan pranë qeveris së Tiranës. Këshilli i Lidhjes së Kombeve, qi ishte mbledhë në atë kohë në Gjenevë, bani presion mbi delegacionin shqiptar qi të mos ekzekutohej ky masakrim i legalizum’’ (Zavalani T, 1998: 290).

Gjithsesi presioni ndëkombëtar e detyroi mbretin Zog, që vetëm dy muaj më pas pikërisht për përvjetorin e pavarësisë, në 28 Nëntor 1935, të shpallte një amnisti e cila i falte një pjesë të të dënuarve. Më pas ajo do të pasohej në 30 dhjetor nga një amnisti e dytë, ku një pjesë tjetër e të dënuarve u liruan. Ndërsa me dy amnistitë e tjera të viteve 1936 dhe 1937 u falën edhe të dënuari e fundit (Dervishi K, 2006: 359-360).
Kryengritja e Fierit, ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër mbretit Zog.

Kjo lëvizje e tronditi seriozisht regjimin, gjë, që u pa në zhvillimet e seancave të gjyqit politik të Fierit apo në shkrimet e gazetës proqeveritare ‘’Besa’’. Ajo u shoqërua me rrëzimin e qeverisë konservatore të kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe zëvendësimin e saj, me qeverine e re liberale e të moderuar të Mehdi Frashërit. Ndërkohë që rreth kryengritjes, aludohej se në të kishte ‘’dorë’’ edhe shërbimi i inteligjencës italiane. Natyrisht që italianët kishin dijeni për Organizatën e Fshehtë dhe kryengritjen, por ata nuk ndërhynë fillimisht në zhvillimet e saj.

Në këtë kohë atyre nuk u interesonte zëvendësimi i regjimit të Zogut por vënia e tij në një situatë të vështirë, pikërisht në momentin e krizës së marrëdhënieve dypalëshe. Por në verën e vitit 1935, Italia, ishte e zënë me përgatitjet ushtarake të fushatës për pushtimin e Abisinisë në Afrikë. Kështu, Italia, agjentura e të cilës ushtronte një aktivitet të gjerë në Shqipëri, konstatoi faktin se në Organizatën e Fshehtë, nisi të dominonte fryma nacionaliste dhe antitaliane. Kështu ajo i këshilloi njerëzit e saj që ta braktisnin kryengritjen, biles edhe ta sabotonin atë në pikënisjen e saj. Kjo ishte një nga arsyet e dështimit të Kryengritjes së Fierit.

Në këtë drejtim një shkak tjetër ishte se, Organizata e Fshehtë, gaboi në vlerësimin e situatës politike në vend, duke krijuar idenë se me fillimin e revoltës, regjimi, do të rrëzohej artificialisht. Interesant është edhe fati i mëtejshëm i pjesëmarrësve dhe protagonistëve të kësaj lëvizjeje. Do të ishin ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ato që do të përcaktonin të ardhmen e tyre. Kështu, një pjesë ju bashkua rezistencës antifashiste, disa prej të cilëve ranë dëshmorë në luftë.

Të tjerë, bashkëpunuan me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Ndërkohë një pjesë tjetër u detyruan që pas lufte të emigronin, të zhvisheshin nga pasuria apo të burgoseshin. Ndërsa, të rrallë ishin ata që u bënë pjesë e elitës së periudhës së komunizmit.

Aksident në Lushnjë, ‘Audi’ nxjerr jashtë rruge minifurgonin, një person i plagosur!

0
Aksident në Lushnjë, ‘Audi’ nxjerr jashtë rruge minifurgonin, një person i plagosur!

Dy automjete janë përplasur rreth orës 15 -30 në segmentin rrugor Lushnje Berat pranë Karbunarës. Mjeti tip Audi tentoi të dilte nga ana tjetër e rrugës dhe në atë moment kishte hyrë në parakalim mjeti tip minifurgon.

Nga përplasja minifurgon ka përfunduar në anën tjetër të rrugës dhe një person ka shkuar të marri ndihmën e parë në spitalin e Lushnjes. Policia e qarkullimit rrugor po dokumenton ngjarjen ndërsa po disiplinon edhe trafikun.

Fatmirësisht nga ky aksident ka vetëm dëme materials dhe që sipas policisë së qarkullimit ka ndodhur për shkak të mos zbatimit të kodit rrugor nga të dy mjetet.

Platforma “Hapësira ime publike”: Fieri mes qyteteve me më shumë raportime për shkelje

0
Platforma “Hapësira ime publike”: Fieri mes qyteteve me më shumë raportime për shkelje

Zaptimi i trotuareve, ndërtimet pa leje dhe parkimet private të paligjshme rezultojnë të jenë 3 shqetësimet kryesore të qytetarëve.

Report Tv ka bërë një bilanc të denoncimeve të platformën “Hapësira ime publike”, krijimin e të cilës Kryeministri Edi Rama e njoftoi 5 ditë më parë, për të marrë raportime nga shkeljet në territor.

Në total rezultojnë 4501 denoncime, prej të cilave janë zgjidhur deri tani vetëm 486 ose gati 1 në 11 nga rastet e raportuara nga qytetarët. Për pjesën tjetër denoncimet janë në proces shqyrtimi nga autoritetet.

Tirana zë 50% të denoncimeve në rang vendi, ose 2246 shkelje të raportuara.

Gjysma e tyre, ose 1146 denoncime, shkojnë për zënie të trotuareve ose hapësirave publike.

318 raportime për parkimet e paligjshme private dhe 292 raste të ndërtimeve pa leje apo në shkelje të lejes. Në Tiranë shqetësuese mbetet ndotja fizike e akustike me 172 denoncime. 227 qytetarë kanë denoncuar për shkelje të tjera në dëm të pronës publike.

Durrësi është qyteti i dytë me denoncimet më të mëdha, me 417 raste në total, prej të cilave kampion mban sërish zënia e trotuareve me 206 raportime.

71 për ndërtimet pa leje dhe 67 për parkime private të paligjshme. Edhe në Durrës ndotja fizike e akustike është shqetësuese.

Vlora si një nga qytetet më në zhvillim për shkak të turizmit, regjistron 236 denoncime. Edhe këtu zaptimi i trotuareve dhe hapësirave komunitare mbetet shqetësimi kryesor me 101 raportime, për të vijuar me ndërtimet pa leje në 45 raste, parkimet dhe ndotja akustike.

Edhe qytetarët e Elbasanit ndjejnë të njëjtin shqetësim, zaptimi i trotuareve në 65 raste nga 172 në total. 34 denoncime për ndërtime pa leje dhe 27 për parkimet.

157 denoncime kanë ardhur nga qytetarët e Shkodrës, dhe 129 nga të Fierit. Edhe në këto dy qytete shqetësimi kryesor mbeten trotuaret.

Më pak denoncime vijnë nga Berati, Lezha, Gjirokastra, Korça, Kukësi dhe Dibra por edhe këtu zaptimi i trotuareve zë vendin e parë.

Qytetarët duhet të plotësojnë një formular, me përshkrimin e ngjarjes apo shkeljes së pretenduar, të saktësojnë vendndodhjen dhe të ngarkojnë foto ose video nga hapësira e zaptuar. 

Denoncuesi mund të vetëidentifikohet përmes portalit e-Albania, ose të qëndrojë në anonimat.

Në rast të mosreagimit nga ana e autoriteteve brenda 24 orëve, qytetarëve u jepet mundësia e ankimit përmes një tjetër formulari.

Erion Braçe thirrje qytetarëve: Lëreni duhanin këto ditë, mos bëni zgarrë jashtë por hani te soba me korrent

0
Erion Braçe thirrje qytetarëve: Lëreni duhanin këto ditë, mos bëni zgarrë jashtë por hani te soba me korrent

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në këto ditë përvëluese gushti, ku zjarret po përpijnë gjithçka që po u del para.

Përmes një video sensibilizuese, socialisti u është drejtuar të gjithë qytetarët që të “harrojnë shpresën” këto ditë dhe të kujdesen me qëllim parandalimin e tragjedive si ajo e Gramshit apo Delvinës ku prej orësh të tëra tanimë flakët janë duke u përhapur me shpejtësi duke djegur banesa, kullota e bagëtitë e banorëve.

“Drama e Delvinës, edhe e Gramshit, Finiqit gjithashtu duhet të na bëjë të mendojmë për ato që janë gjëra të vogla dhe të thjeshta që mund të na shpëtojnë. Veçanërisht populli i fshatit, por të nxehtin e zjarreve.

Mos ndiz zjarr për asnjë arsye, mos ndiz zjarr qoftë në oborrin e shtëpisë tënde, qoftë edhe jashtë saj, atje ku është fshati i tërë atje ku është ekonomia e fshatit, atje ku është ambienti, lëri mbetjet e baçes tënde, lërë duhanin, lëre duhanin këto ditë, mos e hidh cigaren atje ku bari është i tharë, mos thyej një shishe dhe ta lësh atje ku bari i thatë mund të marrë zjarr në këto kushte ku nxehtësia është e tmerrshme.

Mos bëj zgarrë, mos bëj zgarrë në 40 gradë, mund të hash edhe brenda shtëpisë tënde mbi sobën me korrent, Pra janë gjëra të thjeshta, harroje shkrepsen këto ditë”, thotë Braçe.

Kjo thirrje e socialistit vjen në kohë aspak të lehtë për vendin tonë. Aktualisht në Shqipëri vijojnë të jenë aktive 37 vatra zjarri, ku situata alarmante paraqitet në Delvinë dhe në Gramsh.

Mundësi për të rinjtë: Shkolla Profesionale “Rakip Kryeziu” hap regjistrimet deri më 30 shtator

0
Mundësi për të rinjtë: Shkolla Profesionale “Rakip Kryeziu” hap regjistrimet deri më 30 shtator

 Të rinjtë kanë mundësinë të angazhohen dhe të kontribuojnë në sektorin bujqësor përmes dijeve dhe aftësive që fitojnë në arsimin profesional duke siguruar jo vetëm punësimin e tyre, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot shembullin e shkollës Profesionale “Rakip Kryeziu” në Fier, e cila ofron programe studimi në Bujqësi, Veterinari, Teknologji Ushqimore, Ekonomi-Biznes, Shërbime Sociale dhe Shëndetësore si dhe Shërbime të Mjeteve të Transportit.

Ministrja Denaj fton të rinjtë që të zgjedhin shkollën profesionale bujqësore, aty ku formohen profesionistët e rinj të bujqësisë shqiptare.

Afati i aplikimit është deri më 30 shtator.

Të interesuarit mund të aplikojnë lehtësisht në e-Albania në shërbimin “Regjistrim në klasë të dhjetë”.

Ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë, arrestohen dy autorët

0
Ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë, arrestohen dy autorët

Dy persona që ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit.

Autori i zjarrvënies në Lushnjë gjithashtu pengoi zjarrfikësit, gjatë punës për shuarjen e zjarrit.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.
Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.