Home Blog Page 31

Aksident në Lushnjë, makina “Benz” përplaset me motoçikletën, plagoset turisti!

0
Aksident në Lushnjë, makina “Benz” përplaset me motoçikletën, plagoset turisti!

Tjetër aksident i rëndë në rrugën nacionale Lushnjë-Berat, në dalje të fshatit Fiershegan, ditën e sotme.

Një automjet tip “Benz” ka goditur nga pas një motoçikletë në të cilin udhëtonte një turist 35-vjeçar në drejtim të Beratit.

Nga përplasja e fortë, shtetasi i huaj drejtuesi motoçikletës, ka marrë dëmtime të shumta dhe ka përfunduar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku e ka transportuar ambulanca dhe është nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Policia e qarkullimit ka shkuar në vendngjarje për nisjen e veprimeve për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti, ku sipas të dhënave të para, drejtuesi i motoçikletës ka humbur kontrollin dhe është goditur nga pas nga automjetit tip ‘Benz’.

Gjithsesi do të jetë ekspertiza shkencore që do të përcaktojë shkaqet e aksidentit ku mbeti i plagosur turisti 35-vjeçar.

Aksi rrugor Lushnjë-Berat për shkak të trafikut të rënduar dhe karrexhatës me vetëm një kah lëvizjeje bën të shkaktohen aksidente të shumta deri edhe me fatalitet.

© Panorama.al

Kaos në qendër të Fierit: “Porsche” me shpejtësi përplas dy makina të parkuara

0
Kaos në qendër të Fierit: “Porsche” me shpejtësi përplas dy makina të parkuara

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pak minuta më parë në qendër të Fierit, ku drejtuesi i një mjeti tip “Porsche”, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me dy automjete të parkuara, duke i dëmtuar rëndë.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pas aksidentit drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet, madje ka hequr edhe targën e automjetit për të shmangur identifikimin.

Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e disa qytetarëve, të cilët e kanë penguar të largohej, si dhe reagimi i shpejtë i një patrulle policie që ndodhej pranë zonës, çka bëri të mundur neutralizimin dhe prangosjen e tij.

Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat po kryejnë kontrollin e automjetit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Subashi pret në takim ambasadorin e Turqisë: Fokusi te rritja e investimeve dhe Spitali Memorial

0
Subashi pret në takim ambasadorin e Turqisë: Fokusi te rritja e investimeve dhe Spitali Memorial

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Turqisë në Shqipëri, Barış Ceyhun Erciyes, ku vlerësoi investimin e Qeverisë Turke për ndërtimin e Spitalit Memorial në Fier.

Gjatë takimit, Spitali Memorial u cilësua si një histori suksesi për shërbimin ndaj qytetarëve dhe një model modern menaxhimi në sistemin shëndetësor.

Po ashtu, u diskutuan mundësitë për rritjen e investimeve të kompanive turke në Fier, me synimin për më shumë zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për qytetarët.

Ambasadori turk për Spitalin Rajonal Memorial në Fier: Është një simbol i plotë i miqësisë Turqi-Shqipëri

0
Ambasadori turk për Spitalin Rajonal Memorial në Fier: Është një simbol i plotë i miqësisë Turqi-Shqipëri

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, zhvilloi një vizitë në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë, ndërkohë deklaroi se ky spital është një simbol i miqësisë turko-shqiptare, raporton Anadolu.

Ambasadori Erciyes është takuar me drejtuesit e spitalit dhe stafin, ndërkohë është njohur nga afër me teknologjinë dhe shërbimet që ofron spitali që është hapur prej disa vitesh.

Në një deklaratë për Anadolu, duke kujtuar se spitali u ndërtua në një kohë shumë të shkurtër gjatë pandemisë në vitin 2021, ai tha se mjekët dhe profesionistët turq të kujdesit shëndetësor punojnë në spital së bashku me mjekët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor shqiptarë.

“Spitali, falë mjekëve tanë dhe falë shërbimit cilësor që ofron, është bërë një nga spitalet më të preferuara të Shqipërisë”, tha ambasadori turk.

Duke i cilësuar mbresëlënëse si kushtet fizike ashtu edhe shërbimin e ofruar, Erciyes tha se qytetarët e falënderojnë Turqinë.

“Ky spital është vërtet një simbol i plotë i miqësisë Turqi-Shqipëri. Është një tregues se sa gjëra të bukura mund të bëjnë së bashku dy vendet. I falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuuan në hapjen e këtij spitali. I falënderoj shumë të gjithë ata që mundësojnë që ky spital të ofrojë një shërbim kaq të mirë, si personelin turk ashtu edhe personelin shqiptar. Jam i sigurt se këto shërbime të bukura do të vazhdojnë. Edhe ne, si Turqi, do të vazhdojmë gjithmonë mbështetjen tonë këtu” tha Erciyes.

Drejtoresha e Përgjithshme e Spitalit Rajonal Memorial në Fier, Rudina Degjoni, deklaroi se ambasadori Erciyes zgjodhi këtë ditë të veçantë për Turqinë (Ditën e Përkujtimit të Ataturkut dhe Ditën e Rinisë dhe Sportit) që të vizitojë spitalin.

“I prezantuam (ambasadorit) spitalin dhe pamë nga afër të gjitha shërbimet, inovacionet në shëndetësi që ne kemi sjellë në sistemin tonë publik, por nga ana tjetër i treguam fuqizimin e marrëdhënieve tona vëllazërore Shqipëri-Turqi.

Jemi tashmë një spital i konsoliduar pesë vjeçar këtu në rajonin e jugut që kemi ofruar shërbime shëndetësore cilësore për mbi 180 mijë qytetarë dhe janë mbi 1 milion e gjysmë shërbime të ofruara nga ekipi ynë falë bashkëpunimit të ekipit shqiptar dhe turk”, tha Degjoni.

Spitali Rajonal Memorial në Fier është ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë. Spitali u hap për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vitit 2021 dhe në kuadër të një protokolli bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë, spitali menaxhohet për një periudhë disavjeçare bashkërisht nga ekipet turke dhe shqiptare.

Spitali Memorial Rajonal në Fier ka marrë kartën e autonomisë financiare, ndërkohë është spitali i parë publik në Shqipëri që ka përfituar më parë kartën e autonomisë menaxheriale.

Ambasadori Erciyes zhvilloi gjithashtu takime të ndara edhe me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi dhe prefektin e Fierit, Anduel Xhindi.

Aksident në aksin Fier-Roskovec, lëndohet drejtuesi i motomjetit

0
Aksident në aksin Fier-Roskovec, lëndohet drejtuesi i motomjetit

Një aksident ka ndodhur pak minuta me parë ne aksin Fier- Roskovec në vendin e quajtur Kuman.

Një mjet tip “ Citroen” me drejtues shtetasin Alfred Satëri, është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin Mirjan Gergari , dhe si pasojë e goditjes së fortë drejtuesi i motomjetit ka marre lëndime në trup.

Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier në gjëndje të rëndë shëndetësore , ndërkohë që shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë ne vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e aksidentit në fjalë si dhe për të disiplinuar trafikun .

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mbledh drejtuesit e Policisë në Fier, fokus te rendi dhe lufta kundër drogës

0
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mbledh drejtuesit e Policisë në Fier, fokus te rendi dhe lufta kundër drogës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloj mëngjesin e kësaj të marte një takim të zgjeruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier me drejtuesit e strukturave policore dhe shefat e komisariateve të qarkut.

Takimi u përqendrua te zbatimi i urdhrave dhe prioriteteve të fundit të përcaktuara nga kreu i Policisë së Shtetit, të cilat po prezantohen personalisht nga Hita në çdo drejtori vendore në vend, me synimin për të rritur përgjegjshmërinë dhe efektivitetin e strukturave policore në terren.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i rendit dhe sigurisë publike, lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si edhe monitorimi ajror i territorit për evidentimin e aktiviteteve të paligjshme.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe sjelljes dhe korrektësisë së efektivëve gjatë kontrolleve në rrugë.

Drejtuesit e policisë kanë kërkuar që ndërhyrjet ndaj shkelësve të ligjit të mos mbështeten vetëm te kontrollet rutinë, por kryesisht te informacionet operative dhe inteligjenca policore.

Takimi në Fier vjen në kuadër të një serie analizash dhe inspektimesh që drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit po zhvillojnë në qarqet e vendit për rritjen e performancës së strukturave vendore.

Digjet tregu i ri i fruta–perimeve në Lushnjë, shkaqet të paqarta!

0
Digjet tregu i ri i fruta–perimeve në Lushnjë, shkaqet të paqarta!

Janë rreth 25 tregtarë ambulantë të cilëve nuk u ka ngelur asgjë nga produktet që kishin në tezga, të cilat janë të stacionuara brenda tregut, pasi tregu ruhet me roje fizikë dhe survejohet me kamera sigurie.

Digjet pjesërisht tregu i fruta perimeve me pakicë në qytetin e Lushnjës. Zjarri ka rënë rreth orës 3.30 minuta në pjesën fundore të tregut.

Banorët e zonës kanë njoftuar zjarrfikëset dhe policinë të cilat kanë bërë të mundur izolimin e vatrës duke shmangur djegien totale të tregut pasi mbulesa e stabilimentit është plastikë.Janë rreth 25 tregtarë ambulantë të cilëve nuk u ka ngelur asgjë nga produktet që kishin në tezga, të cilat janë të stacionuara brenda tregut, pasi tregu ruhet me roje fizikë dhe survejohet me kamera sigurie.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit të cilat dyshohet se janë të qëllimshme.

Kamera e survejimit është vetëm 3 metra lart pjesës së djegur nuk ka filmuar asgjë pasi tregtarët përdorin çadra brenda tregut apo dhe mbulesa të tjera për të ruajtur mallin në ditë me reshje dhe diell.

Struktura e tregut është tepër e lartë dhe çadrat mbrojtëse lanë qenë poshtë mbulesës duke mos lejuar fiksimin e autorit apo autorëve të vënies së zjarrit.

Tregtarët e vegjël kanë pësuar dëme të mëdha për ekonomitë e tyre.

Dëm është bërë shumë. Do të na vlerësojë bashkia apo jo. Gjithë ai mall, gati 2 milionë lekë mall brenda.

Dëm më shumë s’ka ku të shkojë më. Të gjitha në tokë, gjynah me ato ushqehemi, thanë disa prej tregtareve.

Një jetë në shërbim të pacientëve, del në pension mjeku i njohur fierak Lulzim Banushaj

0
Një jetë në shërbim të pacientëve, del në pension mjeku i njohur fierak Lulzim Banushaj

Pas 42 vitesh punë, sakrificash dhe përkushtimi në shërbim të shëndetit, mjeku i njohur fierak Lulzim Banushaj ka dalë në pension, duke mbyllur një kapitull të gjatë të jetës së tij profesionale.

Ky moment i rëndësishëm u festua në një atmosferë të ngrohtë mes miqsh, kolegësh dhe bashkëpunëtorësh të mjekësisë fierake, të cilët ndanë me të emocionet e një rrugëtimi të gjatë dhe plot përkushtim.

Në mesazhin e tij, Banushaj shprehet me emocion: “Më në fund, në pension! 42 vjet punë, sakrifica e përkushtime në shërbim të shëndetit, ditë e natë, me ndjenja e emocione të pafundme.”

Edhe pse nis një etapë të re të jetës pranë familjes dhe miqve, ai thekson se nuk do të shkëputet nga profesioni dhe shërbimi ndaj shëndetit, një mision që e ka shoqëruar për më shumë se katër dekada.

Dalja në pension e tij përbën mbylljen e një karriere të vlerësuar dhe një moment të veçantë për komunitetin e mjekësisë në Fier.

Me kete rast i urojmë pension të mbarë, shëndet, qetësi dhe sa më shumë momente të bukura pranë familjes dhe njerëzve tuaj të dashur.

Faleminderit për kontributin dhe përkushtimin ndër vite!

Vladimir Marku – Dhuruesi i 132 librave për Bibliotekën e Kuçovës!

0
Vladimir Marku – Dhuruesi i 132 librave për Bibliotekën e Kuçovës!

Promovimi i të mirës është më me bereqet se sa përgojimi i së keqes, kam shkruar dikur. Saktësinë e kësaj thenie e vërtetova edhe para tre javësh, kur më 29 Prill, ditën e takimit përmbyllës të Konkursit të Poezisë në Kuçova Club, më erdhi mesazhi më poshtë :

“I dashur Ladi ! Ju përgëzoj për këtë aktivitet të bukur. Shpreh dëshirën për t’i dhuruar Bibliotekës së qytetit tuaj 28 tituj librash, botime dhe përkthime nga unë.”

E falënderova me gjithë shpirt dërguesin e mesazhit edhe pse libri dhe leximi sot nuk janë në ditën e tyre më të mirë, sikurse ishin në kohën e brezit tim, kohë kur leximi konsiderohej ushqim shpirtēror.

Po cili ishte dërguesi i mesazhit ?

Vladimir Marku, poet, novelist, eseist, përkthyes, përpilues fjalori dhe pedagog i gjuhës angleze, ka lindur në Durrës më 28 Tetor 1950.

Pasi u diplomua për Anglisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, punoi për një kohë të gjatë në industrinë e naftës si përkthyes dhe interpretues teknik.

Nga viti 1989 deri në vitin 1998 përfaqësoi kompani të huaja nafte dhe gazi në Shqipëri.

Nga viti 2001 dhe në vazhdim jep mësim anglisht në një qëndër private.

Libri i tij i parë, Fjalori i Naftës, dy gjuhësh dhe me 25.000 terma, pa dritën e botimit në vitin 1994, por ishte viti 2001 kur ai filloi të shkruajë dhe botojë poezi, romane, ese dhe përkthime.

Ka botuar 39 libra : romane, poezi, ese, përkthime, disa prej të cilave në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.

Vazhdon të jetë duke shkruar dhe botuar libra të tjerë dhe të udhëtojë shumë.

Në Mars 2009 mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Dubai, në Maj 2009 mori pjesë në një takim poetik në Toronto dhe në Korrik 2010 përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Medelin, Kolumbi.

Ka marrë çmimin e shkrimtarit më të lexuar në Fier, është antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Fier, dhe i Akademisë Europiane të Arteve.

E pra, kjo është cv e adashit tim, një cv për t’u pasur zili nga shumëkush. Unë jam tepër i vogël për ta sjellë Ladin ashtu siç ai e meriton, por diçka e them me bindje, mirësia dhe fisnikëria tek Ai kanë pamjen e tyre më të bukur.

Ishin 28 tituj librash, prozë e poezi, të gjitha botime të tijat në një numër prej 132 copë ajo çfarë Lad Marku i dhuroi Bibliotekës së qytetit tonë.

Duke i shprehur falënderimet më të sinqerta dhe nderimin më të madh adashit tim fisnik, uroj që të tjerë kontër të shkrimit dhe leximit të ndjekin shembullin e tij.

‘Matematikë’ me fije grepi: Si po sfidojnë gratë e Roskovecit epokën e makinerive

0
‘Matematikë’ me fije grepi: Si po sfidojnë gratë e Roskovecit epokën e makinerive

Nga Marsela Topi

Në epokën e industrializimit të egër dhe prodhimit masiv, ku makineritë kanë zëvendësuar ndjeshmërinë e njeriut, në zemër të Roskovecit koha duket se ka ndaluar. Këtu, përkushtimi ndaj një zanati shekullor e ka ruajtur të paprekur traditën artistike. Kur gjithçka sot quhet “e vjetruar”, për gratë e kësaj zone, puna me dorë është oksigjeni i përditshmërisë. Ato nuk po thurin thjesht fije, po thurin historinë e tyre.

Për Adelina Hoxhën, jeta nuk matet me vite, por me sythe. Gjithçka nisi në një kohë tjetër, në vitet e para të shkollës, ku puna me dorë nuk ishte thjesht një hobi, por një disiplinë formuese.

“Merrem që e vogël. E kam trashëguar nga familja, por shkolla bëri punën e vet. Kishim mësuese Shqipen, ajo na e ka mësuar me aq durim. Nuk është se e mësonin të gjithë, duhej ta kishe pak brenda vetes. Unë i dashuroja format gjeometrike, ngjyrat… isha gjithmonë e para që e mbaroja modelin”,- tregon Adelina.

Adelina e sheh artin e saj si një ekuacion matematikor. Për të, shtëpia dhe puna me dorë kanë të njëjtën rregullsi: nëse gabon një numër, e gjithë struktura prishet. Por përtej matematikës, aty derdhet shpirti. Ajo na tregon se si grepi është bërë mjeti i saj për të komunikuar me fëmijët që i ka larg, dhe me botën e padukshme.

“Këtë që shihni këtu, e quajmë ‘kapëse ëndrrash’. Unë i kam dhënë një kuptim tjetër, pak mistik, okult. E kam thurur me gërmat e fëmijëve të mi. Është një yll me pesë cepa, ku unë thërras pesë fëmijët e mi. Ka edhe një figurë kukumjaçke aty… që thotë ‘Jam këtu!’. Është zëri im që i kërkon të mos harrojnë rrënjët”,- tregon ajo.

Edhe pse koha ka kaluar dhe teknikat kanë ndryshuar, Adelina mbetet besnike e “Tornados” – një punim i vështirë që kërkon përqendrim maksimal.

Ngjyrat kuq e zi dominojnë, si një lidhje e pashkëputshme me identitetin. Kur e pyet për lodhjen, ajo qesh. Për të, ky nuk është punë, është ilaç.

“Kur jemi të lodhur nga punët e rënda, sapo ulemi e kapim punëdoren, ne çlodhemi. Është terapi. Edhe nëse rri një kohë pa e praktikuar, nuk harrohet. Si mund të harrohet dashuria? Grepi është dashuri, dhe dashuria mbetet aty, në majë të gishtave”,- shprehet Adelina.

Për Ajdine Hykën, me origjinë nga Luari i Roskovecit, qëndisja nuk është thjesht një zanat, por një ditar i jetës. Në fijet e punimeve të saj është fshehur koha e vajzërisë, emocionet e përgatitjes së pajës dhe kujtimet e nënave që nuk ua ndanë kurrë gjilpërën nga dora.

“Kemi mësuar të qëndisim që të vogla. Na kanë mësuar nënat tona, kemi mësuar në shkollë, kemi punuar me shoqet gjithë kohën që bënim pajën. Edhe sot e ruajmë pajën që kemi çuar… I kemi akoma ato që kemi qëndisur. I mbajmë si kujtimin më të shtrenjtë”,- thotë Ajdineja.

Ajdineja ka arritur të kthejë në art arkitekturën dhe simbolet e zonës. Kisha e famshme e Kurjanit apo flamuri kuq e zi janë motivet që ajo qëndis me më shumë krenari. Por, përtej pasionit, ajo tregon se ky proces është edhe një terapi për shpirtin, një mënyrë për të larguar “mendimet e këqija”.

“Edhe pas martese unë kam vazhduar, sepse heq mendimet e këqija. Kjo që shihni është Kisha e Kurjanit, por kemi bërë edhe flamur për turistët… ata i pëlqejnë shumë si dhurata. Kemi hapur edhe një dyqan me ndihmën e bashkisë. Dëshira e grave është shumë e madhe, mblidhemi bashkë, por vështirësia mbetet tek shitja. Në Roskovec ka shumë artizane, konkurrenca është e fortë”,- tregon ajo.

Ndryshe nga frika se tradita po vdes, Ajdineja sheh shpresë tek brezi i ri. Ajo është shndërruar në një mësuese për vajzat e fshatit, përfshirë vajzën dhe nusen e saj, të cilat mësojnë sekretet e rruazave dhe grepit.

“Unë kam shumë qejf kur i shikoj vajzat e reja. Kam mësuar vajzën dhe nusen. Disa punime me rruaza që kanë bërë ato, unë ia kam ruajtur me shumë dashuri. Puna e dorës është e bukur mbi çdo gjë. Ky punim këtu, për shembull, tregon natën, hënën dhe yjet… i bëj të gjitha me dëshirë, me shtiza e me grep”,- thotë Ajdineja.

Për Liljana Satërin, arti nuk ka nevojë për skema të komplikuara. Ajo përfaqëson atë lloj artizaneje që krijon përmes instinktit. Pasioni i saj është aq i fortë, saqë sytë e saj “e vjedhin” modelin sapo e shohin, për t’ia kaluar më pas duarve që nuk njohin lodhje. Nga makina qepëse te biza e shtiza, Liljana është mjeshtre e të gjitha teknikave.

“E kam nisur që në moshë të vogël, në shtëpi e në shkollë. Edhe tani nuk rri dot pa punëdore… i kam shumë pasion të gjitha. Ja, kjo është një panoramë, natyrë nga fshati. Unë ngaqë i kam qejf, i mësoj modelet vetëm duke i parë. Çfarë më shikon syri, ma bën dora”,- thotë Liljana.

Në shtëpinë e Liljanës, tradita nuk është thjesht një kujtim, por një stafetë që po kalon me sukses te brezi tjetër. Vajza e saj po ndjek të njëjtat hapa, duke vërtetuar se kur një punë bëhet me vullnet, ajo kthehet në një gjuhë dashurie që flitet mes nënës dhe bijës.

“Kjo është një punë që po nuk e pate qejf, nuk e bën dot. Vajzës ia kam trashëguar. Edhe ajo është si puna ime… nuk duhet të humbasë. Duhet të kalojë brez pas brezi. Unë vajzës time, ajo të sajës e me radhë. Puna e dorës është art, dashuri, pasion e vullnet. Janë të gjitha bashkë”,- tregon ajo.

Ashtu si artizanet e tjera të Roskovecit, edhe Liljana e sheh punën e saj si një urë lidhëse me botën. Një dhuratë e punuar me dorë për një turist është një copëz e shpirtit të zonës që udhëton përtej kufijve.

Në Roskovec, tradita e punës me dorë nuk po lihet më në rrjedhën e rastësisë. Përpjekjet për ta kthyer këtë trashëgimi në një motor zhvillimi kanë marrë një formë konkrete. Nertila Pelivani, përgjegjëse për Integrimin Europian, shpjegon se si Bashkia po punon për t’u dhënë këtyre grave mjetet e nevojshme për të kaluar nga paja familjare te tregu i mirëfilltë.

“Puna me grep është pjesë e traditës së hershme të zonës sonë, që nga paja e nuses që ka qenë element identifikues. Tashmë Bashkia Roskovec ka nisur iniciativa për t’i formalizuar këto përpjekje, duke i mbështetur me ambiente dhe grante. Jemi një grup prej gati 18 grash që nuk bëjnë vetëm punë dore, por edhe produkte organike si sapunë e kreme me mbetje të vajit të ullirit”,- tregon Nertila.

Ky grup artizanesh po e personalizon artin e tij, duke e kthyer në një mjet promovimi për turizmin natyror dhe kulturor. Nuk janë thjesht punime dekorative; janë simbole të historisë së Roskovecit që flasin përmes fijeve.

“Ne po e çojmë këtë drejt promovimit të turizmit. Punimet e grave tani kanë marrë motivet nga kultura jonë: kisha e Kurjanit, kisha e Shën Gjergjit, elemente të natyrës. Pra, puna e dorës është integruar plotësisht në atë që ne tentojmë ta zhvillojmë turizmin dhe ta promovojmë Roskovecin edhe më gjerë.

“Në fund të këtij rrugëtimi nëpër fijet e traditës, kuptojmë se Roskoveci nuk po ruan thjesht një teknikë të vjetër, por një pasuri shpirtërore që refuzon të dorëzohet para harresës. Përmes pasionit të Adelinës, Ajdines dhe Liljanës, e me mbështetjen e vizionit të ri, këto “duararta” po shkruajnë një kapitull të ri: atë ku arti i vjetër i jep jetë zhvillimit të së nesërmes. Trashëgimia këtu nuk është thjesht një kujtim në arkë, është një e ardhme që po thuret çdo ditë me dashuri dhe krenari.

Shqiptarja.com