Lajme nga Fieri

Zjarri në kodrat e Radostinës, shefi i Mbrojtjes Civile të Prefekturës Fier: Kemi evakuuar 7-8 familje, s’ka banesa të djegura! 2 helikopterë në terren

Zjarri në kodrat e Radostinës, shefi i Mbrojtjes Civile të Prefekturës Fier: Kemi evakuuar 7-8 familje, s’ka banesa të djegura! 2 helikopterë në terren
FieriSot · Foto ilustruese

Shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj, ka treguar se zjarret e rëna në kodrat e Radostinës, nisën fillimisht në fshatin Drizë dhe Fadis dhe u përhapën për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë malor.

Ymeraj tha se në aksionin për shuarjen e flaëkve janë angazhuar jo vetëm strukturat vendore të Bashkisë, por edhe strukturat vendore të bashkive fqinje.

Ymeraj tregoi se janë evakuuar 7-8 familje, ndërkohë që sipas tij, nuk raportohet për banesa të dëmtuara.

Ai tha gjithashtu se 2 helikopterë po ndihmojnë nga ajri për shuarjen e flakëve, teksa shtoi se në zonën e prekur nga zjarri ka jo vetëm banesa, por edhe biznese.

“Zjarri ka nisur që në mesditë, në fshatin Drizë dhe Fadis. Për shkak të erës dhe terrenit të vështirë ka marrë një përhapje edhe në zona të tjera. Ka arritur deri këtu në zonën e liqenit që i themi ne, në pyllin e Peshtanit. Ka prekur edhe masivin pyjor të zonës së mbrojtur këtej. Menjëherë me marrjen e njoftimit janë angazhuar strukturat vendore të bashkisë me 4 mjete zjarrfikëse për vënien nën kontroll të zjarreve. Duke vlerësuar situatën që paraqitej problematike, kemi angazhuar edhe kapacitete të tjera të bashkive fqinje.

Kemi bërë kërkesë menjëherë për ndërhyrje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrës dhe vënien nën kontroll të zjarreve. Në këtë perimetër zjarri ka edhe njësi ekonomike dhe zona të banuara. Kemi bërë edhe evakuimin e disa familjeve, mund të jenë diku te 7-8 familje që janë evakuuar. Aktualisht nga të dhënat paraprake nuk kemi banesa të dëmtuara, por kemi vetëm prezencë të zjarreve në oborret e banesave. Falë ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur deri tani që të mos kemi djegie të banesave.

Të gjitha forcat nga toka dhe ajri po operojnë për vënien nën kontroll të zjarreve. Aktualisht janë 2 helikopterë që po operojnë. Ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar. Ndërhyrja nga ajri ka filluar që kur vatra e zjarrit ka qenë në zona të tjera. Për shkak të frikës që kanë qytetarët, mund ta konsiderojnë si ndërhyrje të vonuar. Do të punohet me të gjitha forcat dhe kapacitetet për ta vënë zjarrin nën kontroll”, tha mes të tjerash shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj.