Lajme nga Fieri

Apolonia nuk gjen trajnerin, pankina mbetet bosh, drejtuesit mendojnë drejtimin kolegjial

Apolonia nuk gjen trajnerin, pankina mbetet bosh, drejtuesit mendojnë drejtimin kolegjial
FieriSot · Foto ilustruese

Pas kontakteve të vazhdueshme gjatë javës së fundit, presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, i kishte ofruar drejtimin e pankinës një trajneri kosovar, i cili më herët kishte punuar edhe me ekipet e zinxhirit të klubit.

Megjithatë, bisedimet mes palëve nuk kanë përfunduar me marrëveshje, pasi kandidati nga Kosova nuk e ka pranuar ofertën për të marrë drejtimin e skuadrës fierake. Në këto kushte, Apolonia vijon të jetë zyrtarisht pa trajner, ndërsa drejtuesit po shqyrtojnë alternativat përpara startit të kampionatit. Sipas burimeve pranë klubit, nëse nuk do të ketë ndonjë lëvizje surprizë gjatë kësaj jave, gjithnjë e më shumë po merret në konsideratë mundësia e një drejtimi kolegjial.

Ideja është që skuadra të menaxhohet nga drejtori teknik indian Nor Alam, së bashku me trajnerin e U-19, Santiliano Dule, dhe trajnerin e U-17. Ky grupim e ka drejtuar skuadrën edhe gjatë ndeshjeve miqësore të zhvilluara në fazën përgatitore. Apolonia po përgatitet për sezonin e ri, ku do të jetë pjesë e Grupit B të Kategorisë së Dytë.

Si skuadër debutuese në këtë kategori, objektivi i klubit është i qartë, rikthimi në Kategorinë e Parë brenda sezonit të ardhshëm. Fierakët do ta nisin kampionatin ndaj Tomorit, ndërsa në garën për objektivin madhor do të kenë përballë edhe skuadra si Luftëtari, Butrinti dhe Bylis B, që pritet të jenë rivalë të fortë për kreun.

Panorama Sport