Home Blog Page 32

‘Matematikë’ me fije grepi: Si po sfidojnë gratë e Roskovecit epokën e makinerive

0
‘Matematikë’ me fije grepi: Si po sfidojnë gratë e Roskovecit epokën e makinerive

Nga Marsela Topi

Në epokën e industrializimit të egër dhe prodhimit masiv, ku makineritë kanë zëvendësuar ndjeshmërinë e njeriut, në zemër të Roskovecit koha duket se ka ndaluar. Këtu, përkushtimi ndaj një zanati shekullor e ka ruajtur të paprekur traditën artistike. Kur gjithçka sot quhet “e vjetruar”, për gratë e kësaj zone, puna me dorë është oksigjeni i përditshmërisë. Ato nuk po thurin thjesht fije, po thurin historinë e tyre.

Për Adelina Hoxhën, jeta nuk matet me vite, por me sythe. Gjithçka nisi në një kohë tjetër, në vitet e para të shkollës, ku puna me dorë nuk ishte thjesht një hobi, por një disiplinë formuese.

“Merrem që e vogël. E kam trashëguar nga familja, por shkolla bëri punën e vet. Kishim mësuese Shqipen, ajo na e ka mësuar me aq durim. Nuk është se e mësonin të gjithë, duhej ta kishe pak brenda vetes. Unë i dashuroja format gjeometrike, ngjyrat… isha gjithmonë e para që e mbaroja modelin”,- tregon Adelina.

Adelina e sheh artin e saj si një ekuacion matematikor. Për të, shtëpia dhe puna me dorë kanë të njëjtën rregullsi: nëse gabon një numër, e gjithë struktura prishet. Por përtej matematikës, aty derdhet shpirti. Ajo na tregon se si grepi është bërë mjeti i saj për të komunikuar me fëmijët që i ka larg, dhe me botën e padukshme.

“Këtë që shihni këtu, e quajmë ‘kapëse ëndrrash’. Unë i kam dhënë një kuptim tjetër, pak mistik, okult. E kam thurur me gërmat e fëmijëve të mi. Është një yll me pesë cepa, ku unë thërras pesë fëmijët e mi. Ka edhe një figurë kukumjaçke aty… që thotë ‘Jam këtu!’. Është zëri im që i kërkon të mos harrojnë rrënjët”,- tregon ajo.

Edhe pse koha ka kaluar dhe teknikat kanë ndryshuar, Adelina mbetet besnike e “Tornados” – një punim i vështirë që kërkon përqendrim maksimal.

Ngjyrat kuq e zi dominojnë, si një lidhje e pashkëputshme me identitetin. Kur e pyet për lodhjen, ajo qesh. Për të, ky nuk është punë, është ilaç.

“Kur jemi të lodhur nga punët e rënda, sapo ulemi e kapim punëdoren, ne çlodhemi. Është terapi. Edhe nëse rri një kohë pa e praktikuar, nuk harrohet. Si mund të harrohet dashuria? Grepi është dashuri, dhe dashuria mbetet aty, në majë të gishtave”,- shprehet Adelina.

Për Ajdine Hykën, me origjinë nga Luari i Roskovecit, qëndisja nuk është thjesht një zanat, por një ditar i jetës. Në fijet e punimeve të saj është fshehur koha e vajzërisë, emocionet e përgatitjes së pajës dhe kujtimet e nënave që nuk ua ndanë kurrë gjilpërën nga dora.

“Kemi mësuar të qëndisim që të vogla. Na kanë mësuar nënat tona, kemi mësuar në shkollë, kemi punuar me shoqet gjithë kohën që bënim pajën. Edhe sot e ruajmë pajën që kemi çuar… I kemi akoma ato që kemi qëndisur. I mbajmë si kujtimin më të shtrenjtë”,- thotë Ajdineja.

Ajdineja ka arritur të kthejë në art arkitekturën dhe simbolet e zonës. Kisha e famshme e Kurjanit apo flamuri kuq e zi janë motivet që ajo qëndis me më shumë krenari. Por, përtej pasionit, ajo tregon se ky proces është edhe një terapi për shpirtin, një mënyrë për të larguar “mendimet e këqija”.

“Edhe pas martese unë kam vazhduar, sepse heq mendimet e këqija. Kjo që shihni është Kisha e Kurjanit, por kemi bërë edhe flamur për turistët… ata i pëlqejnë shumë si dhurata. Kemi hapur edhe një dyqan me ndihmën e bashkisë. Dëshira e grave është shumë e madhe, mblidhemi bashkë, por vështirësia mbetet tek shitja. Në Roskovec ka shumë artizane, konkurrenca është e fortë”,- tregon ajo.

Ndryshe nga frika se tradita po vdes, Ajdineja sheh shpresë tek brezi i ri. Ajo është shndërruar në një mësuese për vajzat e fshatit, përfshirë vajzën dhe nusen e saj, të cilat mësojnë sekretet e rruazave dhe grepit.

“Unë kam shumë qejf kur i shikoj vajzat e reja. Kam mësuar vajzën dhe nusen. Disa punime me rruaza që kanë bërë ato, unë ia kam ruajtur me shumë dashuri. Puna e dorës është e bukur mbi çdo gjë. Ky punim këtu, për shembull, tregon natën, hënën dhe yjet… i bëj të gjitha me dëshirë, me shtiza e me grep”,- thotë Ajdineja.

Për Liljana Satërin, arti nuk ka nevojë për skema të komplikuara. Ajo përfaqëson atë lloj artizaneje që krijon përmes instinktit. Pasioni i saj është aq i fortë, saqë sytë e saj “e vjedhin” modelin sapo e shohin, për t’ia kaluar më pas duarve që nuk njohin lodhje. Nga makina qepëse te biza e shtiza, Liljana është mjeshtre e të gjitha teknikave.

“E kam nisur që në moshë të vogël, në shtëpi e në shkollë. Edhe tani nuk rri dot pa punëdore… i kam shumë pasion të gjitha. Ja, kjo është një panoramë, natyrë nga fshati. Unë ngaqë i kam qejf, i mësoj modelet vetëm duke i parë. Çfarë më shikon syri, ma bën dora”,- thotë Liljana.

Në shtëpinë e Liljanës, tradita nuk është thjesht një kujtim, por një stafetë që po kalon me sukses te brezi tjetër. Vajza e saj po ndjek të njëjtat hapa, duke vërtetuar se kur një punë bëhet me vullnet, ajo kthehet në një gjuhë dashurie që flitet mes nënës dhe bijës.

“Kjo është një punë që po nuk e pate qejf, nuk e bën dot. Vajzës ia kam trashëguar. Edhe ajo është si puna ime… nuk duhet të humbasë. Duhet të kalojë brez pas brezi. Unë vajzës time, ajo të sajës e me radhë. Puna e dorës është art, dashuri, pasion e vullnet. Janë të gjitha bashkë”,- tregon ajo.

Ashtu si artizanet e tjera të Roskovecit, edhe Liljana e sheh punën e saj si një urë lidhëse me botën. Një dhuratë e punuar me dorë për një turist është një copëz e shpirtit të zonës që udhëton përtej kufijve.

Në Roskovec, tradita e punës me dorë nuk po lihet më në rrjedhën e rastësisë. Përpjekjet për ta kthyer këtë trashëgimi në një motor zhvillimi kanë marrë një formë konkrete. Nertila Pelivani, përgjegjëse për Integrimin Europian, shpjegon se si Bashkia po punon për t’u dhënë këtyre grave mjetet e nevojshme për të kaluar nga paja familjare te tregu i mirëfilltë.

“Puna me grep është pjesë e traditës së hershme të zonës sonë, që nga paja e nuses që ka qenë element identifikues. Tashmë Bashkia Roskovec ka nisur iniciativa për t’i formalizuar këto përpjekje, duke i mbështetur me ambiente dhe grante. Jemi një grup prej gati 18 grash që nuk bëjnë vetëm punë dore, por edhe produkte organike si sapunë e kreme me mbetje të vajit të ullirit”,- tregon Nertila.

Ky grup artizanesh po e personalizon artin e tij, duke e kthyer në një mjet promovimi për turizmin natyror dhe kulturor. Nuk janë thjesht punime dekorative; janë simbole të historisë së Roskovecit që flasin përmes fijeve.

“Ne po e çojmë këtë drejt promovimit të turizmit. Punimet e grave tani kanë marrë motivet nga kultura jonë: kisha e Kurjanit, kisha e Shën Gjergjit, elemente të natyrës. Pra, puna e dorës është integruar plotësisht në atë që ne tentojmë ta zhvillojmë turizmin dhe ta promovojmë Roskovecin edhe më gjerë.

“Në fund të këtij rrugëtimi nëpër fijet e traditës, kuptojmë se Roskoveci nuk po ruan thjesht një teknikë të vjetër, por një pasuri shpirtërore që refuzon të dorëzohet para harresës. Përmes pasionit të Adelinës, Ajdines dhe Liljanës, e me mbështetjen e vizionit të ri, këto “duararta” po shkruajnë një kapitull të ri: atë ku arti i vjetër i jep jetë zhvillimit të së nesërmes. Trashëgimia këtu nuk është thjesht një kujtim në arkë, është një e ardhme që po thuret çdo ditë me dashuri dhe krenari.

Shqiptarja.com

Aksident i rëndë në aksin Panaja–Novosel, humb jetën i riu

0
Aksident i rëndë në aksin Panaja–Novosel, humb jetën i riu

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar sot rreth orës 11:10 në aksin Panaja-Novosel.

Automjeti i drejtuar nga një 34-vjeçar ka humbur kontrollin dhe është përplasur me murin anësor të një banese.

Për pasojë të plagëve të marra, drejtuesi i mjetit është transportuar me urgjencë në spital, ku më pas ka ndërruar jetë.

Viktima është identifikuar si shtetasi Albano Hoxha.

Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit mbi drejtimin e automjetit. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Akademiku Fuga analizon gjestin e Ndrenikës: E rrallë të të mbështesë një mik kur s’ke pushtet

0
Akademiku Fuga analizon gjestin e Ndrenikës: E rrallë të të mbështesë një mik kur s’ke pushtet

Nga Artan Fuga

Puthja e Robertit!

Ka dy a tri ditë që merremi me puthje.I sulemi Robert Ndrenikës sepse vajti në sallën e gjyqit të Erion Veliajt, e puthi në ballë, nën vështrimin dashamirës të policit, iu parapriu disa “krushqëve” të tjerë, i tha edhe tiradën teatrale se ç’i kishte mbetur për të bërë burg, ja merrte ai përsipër, si Ago Ymeri i përrallës së moçme, e bënte ai për të!

Për mua ngjarja e vërtetë nuk ishte fare puthja e Robertit, por sjellja e policit zëmërmirë e babaxhan! Po kini pak durim se do ta them se përse!

Kaq u desh të vlonte kazani! Dhe unë jam mbështetës i zjarrit që e bën kazanin të vlojë nisur nga rrjetet sociale. Po të më vënë në balancën e sotme mediat profesionale apo rrjetet sociale, si teknik do të zgjidhja të parat, por si qytetar të dytat. Faleminderit teknologjisë!

Cfarë nuk i thanë aktorit që kaq shumë i ka dhënë teatrit dhe kinematografisë shqiptare! Nuk lanë biografi pa i bërë. Madje i numuruan edhe rolet që ka luajtur në kuadrin e dramës socrealiste të prefektit, nënprefektit, e të tjerëve!

E kam thënë që tekstet e gjimnazit janë bërnut! Le që tekst estetike nuk ka fare a thua se edukojmë barbarë jo shqiptarë të shekullit 21!!!

Nuk gjykohet aktori për profilin e personazhit që krijon o të uruar! Ai ekzekuton skenarin, sikurse e ka konceptuar rregjisori, autori, po deshët edhe këshilli artistik, ose edhe organizata e partisë në disa rregjime!

Aktori në skenë nuk luan veten e tij, madje as edhe atë personazh që do!

Se po qe kështu t’i sulemi edhe Carli Caplinit sepse si shumë gazmor e ka paraqitur ai Hitlerin duke luajtur dhe bërë ojna me Globin si top, a thua të ishte Messi !

Në historinë e teatrit njihen faza kur publiku evropian në shekullin e 19-të shpesh merrte dramën në teatër për ngjarje të vërtetë.

Aktorët me role negative i nxirrnin nga dera e pasme e ndërtesës sepse kishin frikë se turma që i priste jashtë i rrihte.

Ishte famshme kur erdhi kinemaja masive në Shqipëri. Kishte spektatorë që iu bërtisnin hijeve mbi ekran : O i poshtër! O tradhëtar! Ose i inkurajonin: Putheeeeee! Ose bërtisnin : Vriteeeee!

Mosdallimi midis lojës teatrale dhe realitetit është një shkarje psikologjike në fillimet e teatrit. Arti është një lojë mes së vërtetës që duket si e pavërtetë dhe së pavërtetës që duket e vërtetë!Kështu në vend të gjykojnë Robertin, gjykojnë personazhet që ai ka luajtur, hijet e tij në skenë, sikurse do të thoshte Frederik Niçja.

Sa për Robertin, ai nuk duhet në asnjë rast të ketë mendim ndryshe nga militantët, nga turma, apo nga unë. Se unë kam qenë dhe jam kundër prishjes së ndërtesës së stërkonsumuar të Teatrit Kombëtar, por ja që Roberti nuk ishte me mendjen time. Si të them unë?

Kush nuk mendon si unë, t’ja shënojmë në librin e shtëpisë!

Por sikur nuk ecën kështu opinioni publik! Përndryshe do të ishim një turmë e pështirë!

Siiiii?

Puthi Erion Veliajn?

Në sallën e gjyqit?

Ja pra ku justifikoi korrupsionin e Erionit!

Po prisni more pak!

E para Erioni ende nuk është shpallur fajtor. Në del i pafajshëm, shumë mirë!

Në i provojnë korrupsionin, të vuajë dënimin dhe shpaguajë dëmin shoqërisë! Unë nuk jam aspak fans i administrimit dhe i politikave që janë ndjekur për urbanizimin e Tiranës. I quaj të dështuara!

Por, për këtë nuk e ka fajin vetëm ai! Madje ai ka ardhur shumë vonë në këtë histori!

Sikurse jam kundër reformës së dikurshme territoriale që tani duan ta ribëjnë! E ribëjnë sepse ajo që u bë doli shterpë! Po unë që qysh në fillim thashë se ajo është e dështuar, s’më dëgjoi njeri!

Por, Roberti kur e pyetën gazetarët se çfarë mendonte për akuzat kundër Velisë, ishte krejt i kthjellët: Kam ardhur të mbështes mikun tim në një ditë fatkeqe, pak a shumë tha, nuk merrem me akuzat, nuk është puna ime!

Po ku është thënë që kur një mik, qoftë edhe sikur të ketë bërë faje, apo gabime, lëre kur ende asgjë e tillë nuk i është komunikuar, bie në burg, në paraburg, e mbyllin në kështjellë, a në kamp përqendrimi, në spital psikiatrik, a në shkollën e vagabondëve, qenka e ndaluar, amorale, e poshtër, të shkosh ta takosh!

Mos duhet të bëjmë si në kohët e parme kur të duheshe të merrje distancim nga gjyshi, apo dajat, apo xhaxhai, i dënuar, se ndryshe ikje si kovë pusi?

Unë për vete miqtë e mi që u ka ndodhur t’i izolojnë në shtëpi, apo në burg, pa u ngatërruar me punët dhe llogaritë e tyre me shtetin, i kam përshëndetur, uruar për datëlindje a gëzime të tjera, kam marrë përshëndetje prej tyre dhe u kam çuar të fala sa herë kam mundur!

C’a të keqe ka!

Mirë, mirë, më thotë moralisti, por kur i tha Ndrenika që bëj burg për ty!

Po pse vërtet mund ta bënte?

Apo mendoni se Roberti s’është krejtësisht i kthjellët?

E keni gabim!

Ai është aktor në stofin e tij psiqik të brendshëm. Teatrin e ka të shkruar nën lëkurë!

Ajo është batutë teatrale, metaforë, sado miqësi mban brenda!

Edhe ai, sikurse Erioni, e di mirë se burgun e Veliajt apo pafajësinë e tij do ta marrë vetë ky i fundit përsipër, askush tjetër!

Pse kur i themi dikujt : Ta hangasha syrin! – Vërtet duam t’ja hamë?

Po kur i themi : Vdeksha për ty!, seriozisht e kemi apo bëjmë teatër?

Vërtet të gjithë vemë në skenë për ditë lojën tonë teatrale (Goffman), por aktorë si Roberti nuk jemi të gjithë!

Madje nuk i vijmë atij në këtë pikë as te kërciri!

Për mua domethënëse ishte sjellja e policit zëmërmirë. Ai i priti të gjithë përzëmërsisht, ata që vinin të takonin të akuzuarin, e puthnin, si Roberti. Polici babaxhan madje u kujdes që t’u gjente vend të uleshin, t’i sistemonte dhe rehatonte nëpër karrige!!!

Ajo figurë më tronditi sepse ishte simbol i diçkaje që askush nuk e artikulon, as analistët, as ish shokët dhe miqtë partiakë të Erionit, as ish bashkëpuntorët e tij të afërt, shokë në bashki, madje as vetë Erioni!

Ajo mirësjellje policore, besoj në anashkalim dhe mbikalim të ligjit, mu duk se thoshte: Ky vërtet është dënuar! Partia dhe bashkia e tij, këshilltarët e tij e kanë flakur tej!

Cka e vërteton shpallja e vendit vakant në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën, ku veç kryeministrit, u përfshi edhe Presidenti. Vendim i anulluar nga Gjykata Kushtetuese. Por, është edhe joni! Ja polici sillet miqësisht, nuk ka ftohtësinë dhe distancimin cinik të ligjit!

Je yni, por në bangën e të akuzuarit!

Je i akuzuar, të kemi flakur, por je yni!Sepse mu kujtua kohët e vjetra kur kuadro të lartë të diktaturës e dinin në burg se ishin edhe të dënuar, por mbeteshin edhe të partisë!

Shtynin kohën mes dëshpërimit dhe shpresës! Yni, por në burg, në burg, por yni!Juridikisht çështja është e qartë!

Atë nuk e zgjidh fare puthja e Robertit. Fjalën do ta thotë drejtësia. Ajo drejtësi që është. Këtu, por edhe gjetiu besoj!

Pa u ngatërruar me punët e shtetit, duke e ditur se nuk mund të përfitojë ndonjë gjë tjetër nga miku i tij, përsëri Roberti iu gjet pranë atij!

Thoni çfarë të doni! Sot është e rrallë që kur këmba rrëshket, mirënjohja ose miqësia të ruhet!

S’ka shporta fiq, s’ka miq! Roberti shkoi kundër kësaj!

Pse shkoi kundër rrymës?

Është vështirë që gjithkush ta kuptojë që intelektuali që ka një jetë që jeton si i tillë, artisti në këtë rast, është i lirë, krejt i lirë!

Nuk pyet fare se çfarë thotë shumica. Nuk i nënshtrohet fare votimit. Aq më pak për sjelljen e tij. Madje tentohet nga ecja kundër rrymës, merr adrenalinë! Nuk e kanë pasur kot ata që e kanë përkufizuar intelektualin, ndoshta prej qindra vitesh, mijëra mbase, si dikush që i kundërvihet asaj që është e zakonshme, mesatare, e rëndomtë, që duket e natyrshme, përse jo që duket edhe morale.

Aq më shumë një aktor që profesionalisht luan me spektatorët e tij, nuk janë spektatorët që luajnë me të.

Politikisht situata është e paqartë sepse paradoksale: Erion Veliaj ndodhet midis të qënurit yni (i tyre) dhe i akuzuar!

Kjo e çfazon sjelljen e policit!

Ai lëkundet midis respektuesit të ftohtë të ligjit dhe mikpritësit dashamirës dhe zëmërmirë të miqve të të akuzuarit!

Top Channel

Luan Baçi: Nuk na vë dot njeri kushte kë do kemi kryetar

0
Luan Baçi: Nuk na vë dot njeri kushte kë do kemi kryetar

Deputeti i PD-së Luan Baçi ishte sot në Studio24, për të folur mbi situatën e Partisë Demokratike dhe opozitës.

Duke folur mbi garën për kreun e PD-së, ku Berisha kandidon i vetëm, Baçi theksoi se askush nuk i vë dot kushte demokratëve se kë duan të keën kryetar.

Sa i përket 3-4 kandidatura të mundshme për kryetar, që nuk u pranuan, Baçi shton se ata u porositën të dalin aty, por nuk dha më shumë sqarime.

Luan Baçi: Nuk do merrem me retorikën për të thënë që atje nuk ka garë. Berisha është i pakonkurrueshëm. 3-4 figura të falin por jo individë që i porosisin që të dalin aty. Sali Berisha ka vërtetuar që me vota është kryetar i partisë. Ka shumicën dërrmuese. Kushdo që garon me Berishën as 4% të votave nuk merr. Berisha është sot për sot bashkuesi i opozitës. Ka disa partia parlamentare ose jo. Por nuk janë ata që do venë kushte partisë më të madhe opozitës kë do venë kryetare. Nuk i themi ne partive të reja kë keni kryetar ose jo.

Është qejfi i tyre. Ne kemi kryetar Sali Berishën. E zgjedhim ne kryetarin. Ata nuk duan të bashkohen, le ta gjejnë vetë hallin. Kemi Kodin zgjedhor. Zoti Lapaj, ka bërë propozimin për kodin, Berisha ka pranuar atë kod zgjedhor që ka propozuar zoti Lapaj. Me prag 4%. Nëse zhduket nën 4% nuk ja vlen. Nëse tremben nga pragu nuk janë parti politike. Janë propozuar lista të hapura, koalicione parazgjedhore. Po të miratohet një kod i tillë, nuk do ketë shumë nga ata që duan të futen në parlament. nëse u leverdis për të prishur le ta prishin. Nuk janë për rotacionin.

© Panorama.al

Meta reagon nga qelia: Durim! Akuzat do të çmontohen njëra pas tjetrës

0
Meta reagon nga qelia: Durim! Akuzat do të çmontohen njëra pas tjetrës

Sipas Metës, prokurori pranoi në gjykatë se bëhet fjalë vetëm për një pagesë prej 15 mijë dollarësh për kompaninë “McKeon Group”, të cilën ai thotë se e ka deklaruar publikisht dhe para SPAK-ut prej tre vitesh.

Meta akuzoi mediat e huaja “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung” për publikimin e lajmeve të rreme, që sipas tij u përdorën për ndërtimin e akuzës dhe izolimin e tij politik për 19 muaj. Ai shtoi se edhe akuzat e tjera ndaj tij do të “çmontohen njëra pas tjetrës”.

Reagimi i Metës:

Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump.

Para gjykatës prokurori pohoi se bëhet fjalë vetëm për një pagesë të ligjshme prej 15 mijë USD për McKeon Group, pikërisht ajo që kam deklaruar publikisht, por edhe në SPAK, që para 3 vitesh, kur jam thirrur për këtë çështje.

Shikoni tani titujt e lajmeve të rreme të “Mother Jones” dhe “Kronen Zeitung”, të sponsorizuara me paratë e inceneratorëve dhe të mafias ndërkombëtare, mbi të cilat u ndërtua kallëzimi i rremë dhe akuza kryesore kundër meje, akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria.

Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës.

Rikthehet “makthi” në Vlorë, një avari e rëndë lë qytetin pa ujë

0
Rikthehet “makthi” në Vlorë, një avari e rëndë lë qytetin pa ujë

Vlora ka mbetur sërish pa ujë të pijshëm.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka njoftuar qytetarët se, për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500, të furnizimit me ujë, pranë zonës “Miramare”, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit.

Grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme, me qëllim shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë.

Kujtojmë se edhe në muajin dhjetor, Vlora mbeti disa ditë pa ujë, ndërprerje e  cila preku mijëra familje dhe biznese, duke krijuar një situatë emergjente.Top Channel

Apolonia mes rënies dhe shpresës, dy modele futbolli në Fier që nuk takohen-Nga Elton Marini

0
Apolonia mes rënies dhe shpresës, dy modele futbolli në Fier që nuk takohen-Nga Elton Marini

Futbolli shqiptar ka njohur shumë histori ngritjeje dhe rënieje, por pak prej tyre kanë një dimension kaq kontradiktor sa ai i Apolonisë së Fierit.

Madje shpesh nuk ndahet mes “të fortëve dhe të dobëtëve”, por mes modeleve që mbijetojnë nga improvizimi dhe atyre që ndërtohen mbi sistemin e zhvillimit afatgjatë.

Rasti i FK Apolonia Fier dhe Akademisë “F.C. Apollo” e tregon këtë ndarje në mënyrë të qartë. Apolonia nuk është thjesht një klub futbolli; ajo ka qenë për dekada një simbol i qytetit të Fierit dhe një inkubator talentesh për futbollin shqiptar.

Shumë lojtarë të njohur kanë dalë nga kjo skuadër, duke kontribuar më pas në nivele më të larta, brenda dhe jashtë vendit.

Por vitet e fundit, mungesa e stabilitetit financiar, ndryshimet e shpeshta në drejtim dhe mungesa e një vizioni afatgjatë kanë bërë që klubi të humbasë gradualisht identitetin e tij. Në këtë kontekst, “fundi me dhimbje” nuk është vetëm një metaforë sportive, por një realitet i prekshëm.

Rënia në performancë, largimi i tifozëve dhe humbja e besimit nga komuniteti janë shenja të një krize më të thellë. Apolonia duket sikur po largohet nga roli i saj historik, duke u kthyer në një emër që jeton më shumë në kujtime sesa në aktualitet.

Dikur një emër që frymëzonte respekt dhe prodhonte talente, sot Apolonia duket se po përjeton një fund të dhimbshëm, të karakterizuar nga vështirësi sportive, organizative dhe identiteti. Problemi nuk qëndron thjesht te humbjet në fushë. Ai është më i thellë: një mungesë vizioni afatgjatë, një administrim i paqëndrueshëm, degradimi i sektorit të të rinjve dhe një shkëputje graduale mes klubit dhe realitetit modern të futbollit profesional. Kur një skuadër me traditë zbret në nivelet më të ulëta pa një reagim serioz strukturor, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një krizë sportive, por me një dështim modeli.

Megjithatë, paralelisht me këtë realitet, ekziston një tjetër histori – ajo e investimit pasionant të familjes Papuçiu dhe Akademisë “F.C. Apollo”, për të cilën flitet pak ose aspak.

Ndërkohë që vëmendja është përqendruar te rënia e klubit Apolonia në Ligën e Dytë, një realitet tjetër prej vitesh zhvillohet në heshtje dhe me sukses.

Akademia “F.C. Apollo”, e cila teorikisht si model duhet të jetë zemra e së ardhmes së një klubi futbolli, funksionon në një dimension që nuk përputhet gjithmonë me narrativën publike. Mungesa e transparencës, informacionit dhe diskutimit publik rreth saj ngre pyetje të rëndësishme:

A po zhvillohen talentet në mënyrën e duhur? A ekziston një strategji reale për integrimin e tyre në ekipet profesioniste? A mund të funksionojë një strukturë prodhimi që është e pavarur nga një klub futbolli tradicional?

Ky “realitet paralel” krijon një kontrast të fortë. Nga njëra anë, një klub historik si KF Apolonia në rënie; nga ana tjetër, një akademi e cila, me disa grupmosha si U-14, U-15, U-16, garon në nivelin më të lartë futbollistik në vend (Kategoria Superiore), ndërsa me grupmoshat U-17 dhe U-18 ka lidhur një kontratë bashkëpunimi për të qenë pjesë efektive e garës për KF Egnatia, dhe që duhet të përfaqësojë shpresën. Heshtja rreth saj nuk është domosdoshmërisht neutrale – ajo mund të jetë tregues i mungesës së vëmendjes, përgjegjësisë ose vizionit.

Në këtë tablo të heshtur, shpesh përmendet si kundërpeshë Akademia “F.C. Apollo”, e cila paraqitet si një histori suksesi në zhvillimin e futbollit të të rinjve. Dhe në fakt, në nivel mikro, ajo mund të prodhojë elementë premtues, të cilët formohen teknikisht dhe edukohen me një qasje më moderne. Por problemi fillon pikërisht këtu: ky sukses paralel nuk duhet të mbetet i izoluar, por të ndiqet edhe nga akademia (ekipet e moshave) të KF Apolonia dhe jo të qëndrojë i shkëputur nga realiteti i ekipit të parë dhe nga një strategji e përgjithshme e klubit.

Dy filozofi të ndryshme futbolli

K.F. Apolonia Fier – futbolli i rezultatit të menjëhershëm

Apolonia ka funksionuar historikisht me një logjikë tipike për shumë klube të rretheve:

synim: ngjitja në kategori më të lartëprioritet: mbijetesa sportivevendimmarrje: reaktive, jo strategjikefokus: skuadra e parë, jo sistemi

Kjo filozofi krijon cikle:

ngritje → entuziazëm → mungesë stabiliteti → rënie → rindërtim nga e para

Në këtë model, zhvillimi i qëndrueshëm është “efekt anësor”, jo objektiv.

Akademia FC Apollo – futbolli si proces zhvillimi

Në anën tjetër, Akademia FC Apollo përfaqëson një qasje krejt tjetër:prioritet: formimi i lojtaritstrukturë: akademi + metodologjiobjektiv: zhvillim, jo vetëm rezultate të menjëhershmefokus: progres teknik dhe edukim sportiv

Në këtë model, rezultati i ekipit të parë është pasojë, jo qëllim parësor.

Diferenca kryesore midis këtyre dy modeleve është: KOHA

Apolonia jeton në sezone

Akademia FC Apollo jeton në vite

Klubet si Apolonia shpesh mendojnë në cikle 1–2-vjeçare: ngjitje, mbijetesë, ndryshim trajnerësh dhe dyndje lojtarësh joshqiptarë pa bërë maksimumin për shfrytëzimin e territorit me kandidatë për lojtarë të nivelit lokal ose kombëtar.

Akademitë moderne mendojnë në cikle 5–10-vjeçare: “çfarë lojtarësh prodhojmë sot dhe çfarë skuadre kemi pas 5 vitesh?

”Struktura kundër improvizimit

K.F. Apolonia

ndryshime të shpeshta në drejtim sportivvarësi nga buxhete të paqëndrueshmemungesë vazhdimësie në filozofi lojeshpesh “rikonstruksion nga zero”

Akademia Papuçiu “F.C. Apollo”

metodologji e qëndrueshme stërvitoreidentitet teknik i qartëfokus në grupmoshandërtim gradual i lojtarëve

Problemi i Apolonisë nuk është talenti – është struktura. Fieri nuk ka pasur kurrë problem mungesën e potencialit njerëzor. Nëse e thjeshtojmë në një fjali:

Apolonia përfaqëson futbollin që lufton për të mbijetuar çdo sezon, ndërsa Akademia FC Apollo përfaqëson futbollin që ndërton për të ekzistuar çdo dekadë.

Në përfundim, historia e Apolonisë sot është një histori kontrastesh. Shihet qartë që KF Apolonia gjendet në një pikë kritike. Ose do të vazhdojë të jetë një klub i ndarë mes nostalgjisë dhe potencialit të pashfrytëzuar, ose do të detyrohet të rishpikë vetveten përmes një reformimi të thellë strukturor. Sepse futbolli modern nuk fal më as traditën, as emrin – ai kërkon sistem, vizion dhe vazhdimësi.

“Fundi me dhimbje” i ekipit të parë nuk duhet parë i ndarë nga mënyra se si menaxhohen strukturat bazë si akademia.

Nëse Akademia Papuçiu “F.C. Apollo” mbetet një realitet i padukshëm, atëherë rreziku është që edhe e ardhmja e çdo klubi futbolli të jetë po aq e pasigurt sa e tashmja.

Për të rikthyer identitetin dhe dinjitetin e Apolonisë, është e domosdoshme të ketë më shumë transparencë, bashkëpunim dhe një strategji të qartë që lidh të tashmen me të ardhmen.

PANORAMASPORT.AL

Varieteti shqiptar pushton tregjet e BE-së, mbi 600 fermerë lidhin kontrata eksporti për prodhimin në Myzeqe

0
Varieteti shqiptar pushton tregjet e BE-së, mbi 600 fermerë lidhin kontrata eksporti për prodhimin në Myzeqe

Periudha e eksporteve ka nisur vrullshëm dhe fermerët në Lushnjë po vjelin prodhimin e kontraktuar të kastravecit “Konishon”, kultivari i njohur për turshi.

Qindra hektarë nga zonat e Lushnjës, Fierit dhe Beratit po eksportohen drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Fermeri Ledian Gjoni nga Fiershegani tregon se prej tetë vitesh mbjell serat me këtë kultivar, pasi shitja është e garantuar, megjithëse mungesa e fuqisë punëtore nuk i lejon zgjerimin e sipërfaqeve.

“Me pjesën e konishonit jemi shumë të kënaqur. Unë kam gjithsej dynym”, u shpreh fermeri Ledian Gjoni.

Përhapja e këtij kultivari ka bërë që mbi 600 fermerë të lidhin kontrata eksporti me tregjet evropiane, ku aktualisht produkti shqiptar shkon në Gjermani, Spanjë, Itali, Francë dhe Austri.

“Ne kemi një eksport që është i destinuar për tregun e Bashkimit Evropian. Funksionon me kontrata me fermerët. Kemi mbi 130 fshatra të cilët i mbulojmë. Në zonën e Lushnjës, Fierit dhe Beratit. Kemi mbi 600 fermerë që i kemi të kontraktuar me çmim të rregullt”, tha agronomi Josif Prifti.

“Vit pas viti ne shikojmë një interes të shtuar të fermerëve për mbjelljen e konishonit. Kjo duket nga sipërfaqja që është shtuar dhe numri i fshatrave, ka arritur në 130 fshatra që kanë mbjellë konishon”, theksoi eksportuesi Eno Jegeni.

Shqipëria është kthyer në eksportuesen kryesore të këtij kultivari në rajon. Në vitin 2025 u eksportuan 6500 tonë, ndërsa gjatë vitit 2026 pritet të kalohen 8500 tonë, teksa mbi 70 fabrika në Bashkimin Evropian përpunojnë produktin myzeqar./rtsh.al/

Prokuroria e Fierit zhvillon analizën vjetore të punës, përgjatë një viti ulet numri i masave të sigurimit “arrest me burg” në 40%

0
Prokuroria e Fierit zhvillon analizën vjetore të punës, përgjatë një viti ulet numri i masave të sigurimit “arrest me burg” në 40%

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier zhvilloi në datë 11.05.2026 analizën vjetore për veprimtarinë e saj gjatë vitit 2025. 

Në analizë morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, z.Olsian Çela, Zv.Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Erind Gërmenji, Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Genti Xholi, Zv.Kryetari i Gjykatës, z. Noel Veizi, Drejtuesi i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Erion Ahmeti, Kryetari i Dhomës së Avokatisë Fier, Z. Ermal Hamataj, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera në nivel vendor dhe qendror. 

Gjatë diskutimit mbi performancën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë vitit 2025, u vunë në dukje arritje të rëndësishme që lidhen me hetimin me sukses të veprave penale kundër jetës dhe shëndetit, zbatimin me sukses të ligjit “Antimafia”, duke u bërë sekuestrime dhe konfiskime në vlera të konsiderueshme, uljen e numrit të kërkesave për caktimin e masës së sigurimit “arresti në burg”, duke shkuar në 40% të numrit të përgjithshëm të kërkesave për caktimin e masave të sigurimit, nën mesataren e vendit; përfundimi i më shumë çështjeve se sa janë mbartur për vitin pasardhës, ku numrin më të madh e zëna ato të dërguara për gjykim; si dhe respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të personave nën hetim e të subjekteve të tjerë procedurale.

Në arritjet e mësipërme rol të rëndësishëm ka pasur bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera hetimore, të cilave ligji u njeh atributet e policisë gjyqësore. 

Megjithatë, u evidentuan problematika që lidhen me procedime penale të mbartura prej shumë vitesh, hetimet që lidhen me veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, ambientet e punës, si dhe rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore. 

Prioritetet kryesore ngelen:

•    Forcimi i luftës kundër kriminalitetit, përmes hetimit me përparësi të veprave penale kundër pasurisë, ato në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit, abuzimit me detyrën të nëpunësve shtetërorë, krimet e rënda, veprat penale kunder jetës, shëndetit, kundër rendit dhe sigurisë publike, krimet seksuale, veçanërisht ndaj të miturve, trafiqet e paligjshme, krimet në fushën e mjedisit, krimet në familje, krimet kundër narkotikëve, krimet kibernetike dhe çdo lloj forme tjetër krimi që konsiderohet shqetësuese për komunitetin ku ushtrojmë detyrën.

•    Shtimi i aplikimit të masave ndaj pasurisë me burim kriminal, në pëputhje me kushet dhe kriteret e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe ligjit nr. 10192/2009, i ndryshuar.

•    Garantimi i respektimit të të drejtave dhe garancive procedurale të subjekteve të përfshirë në një çështje penale, si dhe me fokus mbrojtjen e të drejtave të viktimës së veprës penale.

•    Rritja e funksionit drejtues dhe kontrollues të prokurorit në hetimet paraprake të kryera nga policia gjyqësore. Kjo edhe nëpërmjet ndërgjegjësimit të policisë gjyqësore për rolin dhe veprimet e tyre në një procedim penal.

•    Rritja e numrit të procedimeve penale të regjistruara kryesisht, me iniciativë të prokurorëve.

Aksident në Fier, mbetet i plagosur drejtuesi i motorit

0
Aksident në Fier, mbetet i plagosur drejtuesi i motorit

Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në unazën jugore të qytetit të Fierit, ku një motomjet është përplasur me një automjet tip “Peugeot”.

Si pasojë e përplasjes, ka mbetur i plagosur drejtuesi i motomjetit, i cili është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal Fier për të marrë ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.