Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive në disa zona.
Në Dajt të Tiranës, disa vatra janë rishfaqur gjatë mesditës pranë fabrikës së ujit në Selitë, ndërsa sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe vatra po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe mbështetjes ajrore të Forcave të Armatosura.
Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.
Sipas njoftimit, në Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës, zjarri është nën kontroll, ndërsa operacioni vijon me forcat e MZSH-së, Policisë Bashkiake dhe FA-së, të mbështetura nga një helikopter dhe një avion “Air Tractor”. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Koilac–Greshicë, vatra është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Abazë të Krujës, situata është stabilizuar. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla në terren të vështirë, të cilat po monitorohen dhe trajtohen nga ekipet në terren. Edhe në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat.
Në Vilëz të Kurbinit, vatra mbetet aktive dhe vijon ndërhyrja për izolimin e saj. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndaluar avancimin e flakëve dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.
Në total, operacionet për menaxhimin e situatës po zhvillohen në 7 zona/vatra zjarri në vend.
Në terren janë angazhuar 227 forca operacionale, 16 mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse, si dhe 4 mjete ajrore, konkretisht 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor”, për izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.
Përditësim mbi situatën e zjarreve | 9 gusht 2026, ora 17:00
Operacionet për menaxhimin e vatrave të zjarrit vijojnë në disa zona të vendit, me angazhimin e të paktën 227 forcave operacionale, 16 mjeteve zjarrfikëse e mbështetëse dhe 4 mjeteve ajrore – 3 helikopterë dhe 1 avion Air Tractor.
📍 Dajt, Tiranë – disa vatra janë rishfaqur gjatë mesditës pranë fabrikës së ujit Selita. Vijon ndërhyrja dhe monitorimi. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
📍 Cikallesh, Kavajë – vatra ka rënë ndjeshëm në intensitet dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe mbështetjes ajrore të FA-së.
📍 Priskë e Madhe – vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla, me 6 automjete zjarrfikëse, 1 autobot uji dhe 25 efektivë.
📍 Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër – zjarri është nën kontroll. Në operacion janë angazhuar forca të MZSH-së, Policisë Bashkiake dhe FA-së, si dhe 1 helikopter dhe 1 avion Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
📍 Koilac–Greshicë – vatra është nën kontroll. Vijon puna me 3 mjete zjarrfikëse, 20 efektivë të MZSH-së dhe 25 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
📍 Abazë, Krujë – situata është stabilizuar. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla në terren të vështirë, të cilat vijojnë të monitorohen dhe trajtohen. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
📍 Vilëz, Kurbin – vatra mbetet aktive dhe vijon të mbahet nën ndërhyrje. Rreth 50 forca janë angazhuar në terren, ndërsa ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë ka ndaluar avancimin e zjarrit dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.
🚒🚁 Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë pa ndërprerje operacionet nga toka dhe ajri për izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.
