Në Patos, përfaqësues të bashkisë organizuan pasditen e së mërkurës një dëgjesë publike me qytetarët, në kuadër të konsultimit mbi reformën e re administrative-territoriale, e cila parashikon bashkimin e kësaj bashkie me atë të Fierit.
Dëgjesa u hap me fjalën e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Armand Ahmetaj, dhe pasoi me fjalën e kryebashkiakut Fatjon Duro.
Ky i fundit renditi një sërë argumentesh pse Patosi duhet të qëndrojë bashki më vete, duke theksuar funksionalitetin financiar, ekonominë, aksesin dhe kohezionin e territorit.
“Bashkia e Patosit ka një performancë ekonomike ndër më të mirat në rang vendi. Në qarkun e Fierit renditet e para, ndërsa borxhet e saj janë zero. Nuk ka asnjë detyrim financiar. Ndërkohë, bashkia e Fierit ka një borxh të konsiderueshëm, edhe pse në raport me indeksin e përgjithshëm është i vogël, por Patosi mbetet pa asnjë borxh. Nëse do të shohim edhe pjesën më të madhe të investimeve, bashkia e Patosit renditet në qark si një nga më të mirat, edhe pse nuk është bashkia me të ardhurat më të larta. Megjithatë, në raport me të ardhurat që ka pasur për investime, renditet e para në qark dhe e treta në rang vendi. Pra, në Shqipëri, bashkia e Patosit renditet ndër më të mirat sipas të dhënave të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale. Reforma territoriale është ende në fazën e propozimeve dhe nuk ka marrë formën përfundimtare, por raporti i komisionit parlamentar, i cili është rreth katër faqe, e evidenton qartë këtë performancë,” u shpreh Duro.
Gjatë dëgjesës, ku ishin të pranishëm qytetarë, këshilltarë të këshillit bashkiak dhe grupe interesi, u shpreh njëzëri kundërshtimi ndaj bashkimit me Fierin.
Për ta, Patosi nuk është thjesht një tabelë, një indeks apo një distancë në kilometra, por histori dhe identitet.
Kryebashkiaku Duro dhe këshilli bashkiak do të vijojnë në ditët në vijim procesin e konsultimit publik edhe në njësitë administrative, duke mbledhur mendimet e qytetarëve për reformën territoriale.
/rtsh.al/

