Aktualitet

Ervin Salianji bën deklaratën e fortë: Edi Rama të tregojë çfarë diskutoi sot me Sali Berishën në Rinas! 

Ervin Salianji bën deklaratën e fortë: Edi Rama të tregojë çfarë diskutoi sot me Sali Berishën në Rinas! 
FieriSot · Foto ilustruese

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, pretendon se sot në Aeroportin e Rinasit, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë zhvilluar një takim “kokë më kokë”.

Në një reagim të tij, Salianji ngre pikëpyetje mbi përmbajtjen e bisedës mes dy politikanëve dhe kërkon që ajo të bëhet publike.

Ai thekson se qytetarët kanë të drejtë të marrin përgjigje, veçanërisht për faktin që, sipas tij, kjo është hera e dytë që Rama dhe Berisha ndodhen njëkohësisht në pjesën VIP të aeroportit.

“Edi Rama duhet të largohet me forcën e qytetarëve të bashkuar, në sheshe dhe në rrugë. Çdo orë më shumë në pushtet është një orë më shumë shërbim ndaj kapjes së shtetit, grupeve të krimit të organizuar dhe shkatërrimit të institucioneve.

Rama nuk i njeh rregullat e demokracisë. Prandaj qytetarët duhet t’ia bëjnë të qartë se pushteti nuk është pronë personale dhe Shqipëria nuk është peng i askujt.

Por sot ka edhe një pyetje që kërkon përgjigje të qartë:

Sali Berisha ka detyrimin politik dhe moral të bëjë publike çfarë është biseduar me Edi Ramën në aeroport.

Çfarë u diskutua?

A u tërhoq Edi Rama nga dorëheqja pas kësaj bisede?

A u diskutuan garanci të ndërsjella për paprekshmërinë e njëri-tjetrit?

A pati ndonjë marrëveshje për të mbajtur Shqipërinë peng të një skeme të vjetër politike?

Janë pyetje që qytetarët kanë të drejtë t’i bëjnë dhe që kërkojnë transparencë pasi u ber hera e dyte “që rastesisht” tek pjesa VIP e aeroportit gjendet Rama dhe Berisha njekohesisht.

Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga marrëveshje të fshehta, pazare politike apo garanci personale”,- shkruan Salianji.

Kreu i qeverisë regjistroi në Rinas një deklaratë që u transmetua më pas në rrjetet e tij sociale, lidhur me arrestin shtëpiak të caktuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion ndaj ish-shefes së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Gjatë kësaj kohe mediat transmetuan mbërritjen e kreut të opozitës në sallën VIP të Aeroportit “Nënë Tereza”, në sajë të udhëtimit të tij drejt Strasburgut, momente kur shefi i Ekzekutivit ndodhej ende brenda.