Lajme nga Fieri

Flet trajneri indian i fierakëve: Apolonia do të ngrihet, objektivin e dinë të gjithë

Flet trajneri indian i fierakëve: Apolonia do të ngrihet, objektivin e dinë të gjithë
FieriSot · Foto ilustruese

Trajneri indian i Apolonisë, Noor Alam, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka analizuar punën që po zhvillohet te skuadra fierake pas dy javëve të para të kampionatit.

Alam flet për ecurinë e ekipit, ndalesën e kampionatit dhe miqësoret e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, ndërsa thekson se objektivi kryesor mbetet rikthimi i menjëhershëm në Kategorinë e Parë. Trajneri vlerëson grupin e futbollistëve të rinj që ka në dispozicion dhe kërkon përmirësim të vazhdueshëm, duke ecur ndeshje pas ndeshjeje.

Si do ta përmblidhni ecurinë e Apolonisë në dy javët e para të kampionatit?

Jemi në fillimin e sezonit dhe, duke pasur parasysh objektivin që kemi për rikthimin e menjëhershëm në Kategorinë e Parë, kemi treguar impenjim maksimal në procesin stërvitor për ta kompletuar skuadrën në të gjitha aspektet. Sigurisht që në dy javët e para nuk kemi marrë maksimumin e mundshëm të pikëve, por kjo nuk na demoralizon. Përkundrazi, kemi analizuar në detaje gjithçka që lidhet me paraqitjet tona. Në ndeshjen e parë, ndaj Tomorit, skuadra u shfaq mirë në planin taktik, tregoi mobilizim dhe maturi dhe u shpërblye me një fitore të rëndësishme. Sfida pasardhëse me Këlcyrën ishte më e vështirë dhe na la disa mësime të vlefshme. Ndeshje të tilla janë pjesë e një kampionati të fortë dhe na shërbejnë për të rritur përvojën, përqendrimin dhe vazhdimësinë në lojën tonë.

Sa ju ndihmoi ndërprerja e kampionatit për përmirësimin e mëtejshëm të skuadrës dhe sa të vlefshme ishin miqësoret gjatë kësaj periudhe?

Ndalesa e kampionatit ishte shumë e dobishme për ne, aq më tepër për një skuadër pretendente si Apolonia. Na dha mundësinë të punojmë dhe të përmirësohemi në të gjitha aspektet. Edhe ndeshjet miqësore kanë qenë të vlefshme, pasi kemi marrë indikacione pozitive, sidomos për unifikimin e grupit, mënyrën se si kontrollomë lojën dhe rastet që krijojmë për shënim. Sigurisht, duhet të përmirësohemi më shumë, veçanërisht në fazën mbrojtëse dhe në konkretizimin e rasteve. Mendoj se puna e përditshme do të na ndihmojë të ecim përpara dhe të arrijmë përmirësimin e plotë të skuadrës.

Si e vlerësoni konkurrencën në Grupin B dhe cilët janë rivalët e drejtpërdrejtë të Apolonisë në garën për ngjitjen në të Parën?

Ne jemi të fokusuar fillimisht te performanca dhe objektivi ynë në këtë kampionat. E konsiderojmë shumë të rëndësishme që të përqendrohemi te detyrat tona dhe t’i vlerësojmë kundërshtarët javë pas jave. Duam të japim maksimumin në një grup shumë konkurrues, të kemi vazhdimësi në rezultatet pozitive dhe të qëndrojmë në pozicionet e para të renditjes. Në të njëjtën kohë, duhet të vlerësojmë nivelin real të kampionatit dhe të çdo kundërshtari. Duam të respektojmë çdo skuadër, pavarësisht emrit, sepse në grupin tonë ka shumë ekipe të përgatitura dhe futbollistë me përvojë.

Mendoni se rikthimi i Apolonisë brenda një sezoni në Kategorinë e Parë është i mundur, edhe për shkak të emrit dhe traditës së klubit?

Në këtë kampionat Apolonia është prezantuar me një skuadër që ka në përbërje shumë futbollistë të rinj dhe premtues. Grupi ka potencial, energji dhe dëshirë për të punuar. Gradualisht kemi krijuar një skuadër të bashkuar dhe kompakte, e cila do të përballet me çdo ndeshje me dinjitet dhe përkushtim, duke synuar maksimumin. Besojmë se puna që do të zhvillojmë gjatë javëve në vazhdim do të jetë sa më cilësore dhe do të na ndihmojë të kemi paraqitje të mira, të shoqëruara edhe me rezultatet që do të na mbajnë në garë. E gjithë puna që po zhvillojmë së bashku me skuadrën ka një synim të qartë: ngjitjen e Apolonisë në Kategorinë e Parë.