21.10.2026Moti në Fier
Fieri Sot
⌕
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

Nënë Qamilja, 117-vjeçarja nga Kuçova që po bën jehonë përtej Shqipërisë

admin · 21.10.2026 · 3 min lexim

Qamile Marra, gruaja nga Kuçova që mund të jetë më e moshuara në botë, vijon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Pas intervistës së saj në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, historia e saj është bërë pjesë e një sërë artikujsh në mediat e huaja, ndërsa së fundmi vëmendje i ka kushtuar edhe BBC Global Women.

Sipas dokumenteve zyrtare, Qamile Marra, sot 117 vjeçe, ka lindur më 19 gusht 1909 dhe është dy ditë më e madhe se britanikja Ethel Caterham, e njohur nga Guinness World Records si gruaja më e moshuar në botë.

Historia e saj është e jashtëzakonshme jo vetëm për moshën, por edhe për mënyrën se si ajo e ka jetuar jetën.

E lindur në kohën e Perandorisë Osmane, Qamile Marra ka përjetuar luftëra, ndryshime të mëdha historike dhe rënien e diktaturës komuniste në Shqipëri.

Përgjatë gjithë jetës së saj, ajo ka jetuar në fshatin Ferras, pranë Kuçovës. Zgjohet herët, kujdeset për oborrin, lulet dhe pulat, pi kafen e saj dhe shëtit në pemishten pranë shtëpisë, shpesh duke mbledhur shegë.

“Jeta është e bukur, si mali i Tomorrit në lulëzim”, është shprehur ajo, duke treguar filozofinë e saj të thjeshtë për jetën.

Kur pyetet për sekretin e jetëgjatësisë, përgjigjja e saj është po aq e thjeshtë: Jeton aq sa e ka caktuar Zoti!

Sipas djalit të saj, Hysenit, 80 vjeç, e ëma gëzon shëndet të mirë dhe nuk ka përdorur kurrë ilaçe. Ai tregon se autoritetet madje kishin ndërprerë pensionin e saj kur mbushi 100 vjeç, pasi nuk besonin se ajo ishte ende gjallë. Familjes iu desh të paraqiste dokumente dhe dëshmi për të vërtetuar se Qamilja jetonte ende.

Dokumentet që disponon familja, mes tyre një certifikatë lindjeje e lëshuar në vitin 1945, një pasaportë e vitit 1978 dhe një kartë identiteti e kohëve të fundit, shënojnë të njëjtën datëlindje. Megjithatë, konfirmimi zyrtar i një moshe kaq të rrallë mbetet një proces i vështirë.

Së fundmi, qeveria shqiptare i ka akorduar një pension të posaçëm shtetëror në nder të moshës së saj.

Pesë breza të një familjeje

Qamile Marra ka sjellë në jetë shtatë fëmijë dhe ka parë të rriten pesë breza të familjes së saj.

Bashkëshorti i ka ndërruar jetë 36 vjet më parë, por ajo e kujton ende me buzëqeshje martesën e tyre, e cila, megjithëse me mblesëri, u shndërrua në një marrëdhënie mjaft të fortë.

“Kam parë të fejohen, të martohen dhe të ndërtojnë shtëpitë e jetët e tyre”, tregon ajo për familjarët. Prania e njerëzve në shtëpinë e saj është një nga gjërat që e bëjnë më të lumtur.

Pavarësisht vëmendjes dhe mundësisë për të hyrë në historinë e rekordeve botërore, ajo duket se nuk shqetësohet shumë për titujt.

Në moshën 117-vjeçare, Qamile Marra vazhdon të shijojë jetën mes familjes dhe natyrës.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *