Kryeministri Edi Rama ka përsëritur për të katërtën ditë radhazi ftesën për dialogme protestuesit, duke shprehur gatishmërinë për t’u takuar me ta në çdo vend dhe në çdo orë.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Rama theksoi se dialogu dhe shkëmbimi i pikëpamjeve janë rruga për të çuar përpara vendin, pavarësisht kundërshtive.
Megjithatë, ai paralajmëroi se personat që, sipas tij, kanë marrë peng kryeqytetin dhe kanë përdorur protestën e studentëve për qëllime të tjera, do të përballen me përgjegjësi ligjore dhe penale.
Kryeministri u shpreh gjithashtu se protestat nuk do të ndryshojnë rrugën evropiane të Shqipërisë, ndërsa studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.
“Përsëri e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu. Jam i gatshëm, në çdo vend, në çdo orë, me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe besojnë se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh, sado të kundërta.
Kundërshtia e dhunshme, kundërshtia me forcë, kundërshtia që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i imponohet dot domosdoshmërisht për dialog, ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike në një vend ku e kaluara nuk ka asnjë shans që të kthehet.
Dhe kush e mori peng kryeqytetin, duke eksportuar këtu terrorin e Antifës dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve, e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar, duhet ta dijë se do të përgjigjet. Do të përgjigjet ligjërisht, penalisht dhe sipas shkeljes, dëmit të bërë.
Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon. Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe do ta çojë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh”, tha Rama.



Leave a Reply