28.10.2026Moti në Fier
Fieri Sot
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

Policia e Shtetit në provën e zjarrit, Skënder Hita në lartësinë e drejtimit!- Nga Vladimir Muçaj

admin · 28.10.2026 · 6 min lexim

Ditët e fundit, Tirana u përball me përplasje të dhunshme, dëmtime pronash dhe sulme ndaj institucioneve, duke e vendosur Policinë e Shtetit përballë një prej provave më të vështira të viteve të fundit.

Në këtë situatë, kur në ditët e para policia u gjend pothuajse e vetme përballë kaosit dhe një pjese të politikës që u tregua më e shpejtë në akuza sesa në përgjegjësi, efektivët duhej të mbronin qytetarët, bizneset dhe institucionet, duke ruajtur rendin në kushte të jashtëzakonshme.

Përballë kësaj sfide, reagimi i strukturës dhe drejtimi i Skënder Hitës meritojnë vlerësim të veçantë.

Profesionalizmi i një drejtuesi provohet pikërisht kur tensioni është maksimal, kur çdo vendim mund të rëndojë situatën dhe kur ruajtja e kontrollit kërkon organizim, gjakftohtësi dhe përgjegjësi.

Ajo që duhet vlerësuar është aftësia e Policisë së Shtetit për të përballuar dhunën dhe për të mos lejuar që përplasjet të marrin përmasa edhe më të rënda. Pa një reagim të organizuar, pasojat për Tiranën, bizneset dhe qytetarët mund të kishin qenë shumë më serioze. Skënder Hita, në krye të këtij institucioni, është përballur me një test të rëndësishëm drejtimi, ku vendosmëria duhej të bashkëjetonte me vetëpërmbajtjen dhe respektimin e ligjit.

Natyrisht, rastet e evidentuara të tejkalimit të kompetencave nga punonjës të policisë duhet të hetohen dhe të marrin përgjigjen ligjore, por ato nuk mund të zhvlerësojnë angazhimin e përgjithshëm të strukturës dhe të mijëra efektivëve që kanë kryer detyrën në kushte të vështira.

Përgjegjësia individuale dhe vlerësimi institucional janë dy çështje që duhen trajtuar me drejtësi dhe pa standarde të dyfishta. Në një shoqëri demokratike, protesta është e drejtë themelore, por dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj institucioneve nuk mund të justifikohen në emër të saj.

Qytetarët kanë nevojë për siguri, bizneset për mbrojtje dhe shteti për institucione që funksionojnë edhe në momentet më të vështira. Pikërisht për këtë arsye, puna e Policisë së Shtetit nuk duhet të gjykohet përmes zhurmës politike, por përmes mënyrës se si ka përmbushur detyrën në terren.

Skënder Hita dhe Policia e Shtetit meritojnë vlerësim për përballimin e kësaj situate të vështirë. Një polici profesionale është garanci për rendin dhe sigurinë e çdo qytetari. Ajo duhet të mbështetet kur kryen detyrën me përgjegjësi dhe të mbajë përgjegjësi kur shkelet ligji. Ky është standardi që forcon institucionet dhe e bën shtetin më të besueshëm.

Nuk po rrisim vetëm djemtë tanë

“Më jepni një duzinë foshnjash të shëndetshme, të formuara mirë, dhe një botë të përcaktuar nga unë për t’i rritur, dhe ju garantoj se mund ta stërvit cilëndo prej tyre që të bëhet çfarëdo lloj specialisti që unë të zgjedh: mjek, avokat, artist, tregtar i shquar, madje edhe lypës apo hajdut, pavarësisht nga talentet, prirjet, aftësitë, profesionet dhe prejardhja e paraardhësve të tyre.” — John B. Watson, Behaviorism (1930, f. 82)

Ndoshta nuk mund ta përcaktojmë tërësisht se çfarë do të bëhet një fëmijë, por mund të ndikojmë thellësisht në njeriun që ai do të bëhet. Në duart tona nuk është vetëm e ardhmja e fëmijëve tanë, por edhe mënyra se si ata do të trajtojnë njerëzit që do të kenë pranë.

Të rrisësh fëmijë nuk do të thotë vetëm t’i bësh të lumtur, t’ua plotësosh nevojat dhe t’u hapësh rrugën drejt suksesit. E rëndësishme është t’i përgatitësh të jetojnë me të tjerët, duke respektuar lirinë dhe dinjitetin e secilit.

Aq më tepër kur rrisim një djalë, nuk po rrisim vetëm fëmijën tonë. Ne po ndikojmë në jetën e grave që ai do të takojë, të fëmijëve që do të rrisë dhe të brezave që do të vijnë pas tij. Me mënyrën si e edukojmë sot, mund të ndikojmë edhe në botën e njëqind viteve të ardhshme.

Nuk mjafton të jetë i arsimuar, i suksesshëm e i zoti për veten. Ai duhet të mësojë të respektojë tjetrin edhe kur nuk mendonë njësoj, të pranojë një refuzim pa e kthyer në fyerje dhe të kuptojë se dashuria nuk është pronësi.

Djemve të mi u them shpesh se femra është për m’u dasht, por kjo nuk mjafton.Çdo djali duhet t’i ngulitet në mendje se një JO nuk është fyerje, ndarja nuk është poshtërim dhe refuzimi nuk është arsye për hakmarrje.

Askush nuk na detyrohet asgjë: as dashuri, as qëndrim, as bindje. Të jesh i fortë nuk do të thotë të kesh gjithmonë atë që dëshiron, por të respektosh lirinë e tjetrit edhe kur ajo nuk përputhet me dëshirën tënde.

Prandaj, ne si prindër nuk duhet t’i mësojmë vetëm si të fitojnë, por edhe si të humbasin pa urryer. Nuk duhet t’i lëvdojmë vetëm për forcën, por edhe për dhembshurinë. Duhet t’u mësojmë se forca nuk është ta bësh dikë të të bindet, por të dish të mos ia cenosh lirinë.

Nuk kam vajzë, por kam një përgjegjësi ndaj çdo vajze që nesër do të ecë në këtë botë përkrah djemve të mi. Dua që ajo të mos ketë nevojë të matë çdo fjalë, të kontrollojë çdo hap e të jetojë me frikën e zemërimit të dikujt tjetër.

Dua dhe përpiqem çdo ditë që djemtë e mi të bëhen burra që dinë të duan pa zotëruar, të kujdesen pa kontrolluar dhe të largohen pa shkatërruar.Unë nuk mund t’i mbroj të gjitha vajzat e botës, por mund të bëj gjithçka që djemtë e mi të mos bëhen kurrë arsyeja pse një vajzë tjetër të ketë nevojë të mbrohet.

Bota bëhet më e sigurt për vajzat jo vetëm duke u mësuar atyre si të mbrohen nga dhuna, por edhe duke rritur djem që mësojnë të mos e ushtrojnë atë.

Djem që kuptojnë se as dashuria, as refuzimi, as zemërimi nuk u japin të drejtën të cenojnë lirinë, dinjitetin apo jetën e dikujt tjetër.

Sepse një shoqëri ndryshon jo vetëm kur vajzat mësojnë të mbrohen, por sidomos kur djemtë mësojnë se askush nuk duhet të ketë frikë prej tyre.

Ndryshimi fillon edhe në mënyrën si i rrisim djemtë tanë.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *