Pas javës së pushimit në kalendar, Apolonia ka rinisur përgatitjet në funksion të ndeshjes së radhës, ku për kampionat do të presë në shtëpi skuadrën fqinje të Albpetrolit. Gjithsesi, rikthimi në fushë do të ndodhë më herët, pasi më 18 nëntor luajnë turin e dytë të Kupës, në transfertë ndaj Skënderbeut. Kampionati mbetet prioritet për Apoloninë, kështu që Kupa mbetet thjesht për t’u respektuar si kalendar.
Në kampin fierak po punohet me seriozitet për duelin me patosarakët, ku stafi teknik ka ndjekur nga afër edhe paraqitjen e fqinjëve në ndeshjen e fundit ndaj Bylis B, për të analizuar lojën dhe pikat e forta të kundërshtarit. Për trajnerin Santiliano Dule, lajmi më i mirë në prag të kësaj sfide është rikthimi i sulmuesit Klejdi Hoxha, një nga lojtarët më cilësorë të ekipit. Ai rikthehet pas kartonit të kuq të marrë ndaj Memaliajt, në një ndeshje të tensionuar që përfundoi me humbje për fierakët dhe që solli edhe ndryshimin në pankinë. Tashmë, me rikthimin e Hoxhës, Dule do ta ketë grupin të plotë dhe më shumë alternativa në fazën sulmuese. Tekniku beratas beson se skuadra ndodhet në momentin e saj më të mirë dhe kërkon që këtë gjendje ta konkretizojë me një tjetër fitore. Synimi është jo vetëm marrja e tri pikëve ndaj Albpetrolit, por edhe vazhdimi i ecurisë pozitive të nisur në dy javët e fundit.
SANTILIANO DULE:
“Kemi hyrë në javën e dytë të përgatitjeve në funksion të ndeshjes së radhës në kampionat me Albpetrolin dhe skuadra po reflekton aktualisht momentin e saj më të mirë. Objektivi për përballjen me fqinjët tanë, që do ta luajmë në shtëpi, është vetëm fitorja. Duam që këtë sukses ta vendosim në funksion të ecurisë pozitive që kemi nisur në dy javët e fundit të kampionatit. Synimi ynë është të vazhdojmë të tregojmë se ky është momenti më i mirë i Apolonisë dhe të ruajmë vazhdimësinë.
Java e pushimit na ka ndihmuar shumë për t’u përgatitur në maksimum. Një tjetër element shumë i rëndësishëm është rikthimi i Klejdi Hoxhës, i cili mbart shumë cilësi dhe përbën një motiv shtesë për të gjithë skuadrën. Duke qenë se luajmë në fushën tonë, do të bëjmë gjithçka për të merituar fitoren dhe për të përparuar në renditje”, u shpreh trajneri Dule për “Panorama Sport”.
Nën drejtimin e teknikut beratas, Apolonia duket se ka rigjetur ekuilibrat dhe besimin, ndërsa puna me lojtarët e rinj po synon të ndërtojë një skuadër më konkurruese. Sfida me Albpetrolin do të jetë një tjetër provë për të konfirmuar këtë progres.
EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL



Leave a Reply