Nga Romeo Haxhiaj: Më vjen keq që sot ky rivalitet është shuar. Dikur, Fieri dhe Rajoni, siç i thoshim atëherë Patosit, e jetonin gjithë javën me emocionet e derbit.
Punëtori i Patosit ishte klubi që mirëpriti shumë futbollistë fierakë. Përkrah lojtarëve të talentuar patosarakë, ata u rritën si futbollistë, përmirësuan formën dhe u rikthyen tek ekipi i tyre mëmë, Apolonia. Mes tyre ishin Raq Kurkuri, Shaban Bala, Adrian Prifti, Astrit Delvina, Arben Mone, Romeo Haxhiaj e të tjerë.
Një respekt i veçantë për tifozerinë e mrekullueshme patosarake, dashurinë dhe respektin e së cilës i kam provuar vetë. Po aq respekt kam për atë brez futbollistësh të talentuar të Patosit, me të cilët pata fatin të luaja në vitet 1989–1991. Ishte ai grup që e çoi Alpetrolin në kupat e Europës, nën drejtimin e trajnerit legjendar, profesor Fatmir Doganit.
Respekt për brezin e futbollistëve fierakë që u formua në mesin e viteve ’80, e mbajti Apoloninë në elitë dhe i solli klubit trofe.
Mirënjohje edhe për trajnerët e shkëlqyer me të cilët pata fatin të punoja në ekipin e parë: Çapo, Papuçiu, Tegu, Majaci dhe Breca.
Respekt për tifozerinë e mrekullueshme fierake ndër vite dhe për tifozët që edhe sot i qëndrojnë besnikë Apolonisë.
Ata shohin me dhimbje se si historia dhe lavdia e klubit nëpërkëmben nga padija dhe papërgjegjshmëria e një presidenti, si edhe nga indiferenca e një bashkie.
Respekt dhe mirënjohje për fanellën e shenjtë të Apolonisë, pjesë e gjakut tonë bardhejeshil!
“Në foto, ndeshja Apolonia–Albpetroli, luajtur në Fier më 1996. Pas shpinës sime, në çastin e goditjes, është miku im i mirë, mbrojtësi i fuqishëm Ben Poçi”



Leave a Reply