20.11.2026Moti në Fier
Fieri Sot
Gjuhët

Përkthe faqen me shërbim të jashtëm:

EnglishItalianoΕλληνικά

Pas letrës së Veliajt/ Burgjet: Operacioni për këmbën është caktuar të hënën në Spitalin Memorial të Fierit

admin · 20.11.2026 · 8 min lexim

Pas letrës publike të Erion Veliajt drejtuar Belinda Ballukut, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi për herë të parë, duke sqaruar vizitat që i janë bërë kryebashkiakut. Sipas Burgjeve, dy ortopedë e ekzaminuan Veliajn më 18 nëntor dhe rekomanduan një ndërhyrje kirurgjikale jo emergjente. Operacioni është planifikuar për të hënën, më 23 nëntor, në Spitalin Memorial të Fierit.

Burgjet sqarojnë se Veliajt i është dhënë mundësia që mjeku i zgjedhur prej tij të jetë i pranishëm gjatë përgatitjeve për operacionin më 22 nëntor, gjatë ndërhyrjes më 23 nëntor ose në të dyja ditët.

Sipas Drejtorisë, ky mjek nuk u paraqit më 18 nëntor në burgun e Fierit, ku i ishte krijuar mundësia të vizitonte Veliajn dhe të shqyrtonte dokumentacionin e tij mjekësor.

Argjendari Enklev — Telefon, Facebook dhe Instagram

Reagimi i plotë i Drejtorisë së Burgjeve

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe personelit shëndetësor për garantimin e ofrimit të kujdesit shëndetësor të nevojshëm dhe të përshtatshëm për të gjithë shtetasit që ndodhen nën kujdesin e institucioneve tona, si dhe në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, dëshirojmë të bëjmë me dije sa vijon:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se që në momentin e pranimit në IEVP Fier, shtetasi E.V. është konsultuar nga stafi shëndetësor i institucionit, ku ka referuar për një dëmtim të kavilies. Që prej këtij momenti, situata shëndetësore është ndjekur nga strukturat përkatëse, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin dhe trajtimin e saj.

Më datë 06.11.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kryesisht dhe në bashkëpunim me IEVP Fier, ka mundësuar realizimin e një konsulte mjekësore brenda ambienteve të institucionit, me mjekun specialist ortoped të Spitalit Rajonal Fier, Dr. F.K.

Gjatë konsultës dhe ekzaminimit fizik, mjeku specialist ka konstatuar: “Ngurtësi e kyçit talocrural sinister. Atrofi muskulare të anësisë interne cruris” dhe ka rekomanduar kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore: MRI talocrural sinister dhe radiografi të kavilies së majtë.

Më datë 07.11.2026, në një kohë të shkurtër nga rekomandimi i mjekut specialist, IEVP Fier ka mundësuar realizimin e ekzaminimeve të kërkuara, konkretisht MRI talocrural sinister dhe radiografi të kavilies së majtë, si dhe konsultën me mjekun specialist ortoped turk, M.I., pranë Spitalit Memorial Fier.

Bazuar në ekzaminimin radiografik, mjeku specialist ka rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, pa evidentuar në asnjë rast elemente të urgjencës për ndërhyrjen.

Më datë 09.11.2026, në IEVP Fier ka mbërritur përgjigjja e ekzaminimit MRI në gjuhën angleze, ndërsa më datë 10.11.2026, është administruar nga Spitali Memorial përgjigjja përkatëse e këtij ekzaminimi në gjuhën shqipe.

Më datë 12.11.2026, mjeku i institucionit IEVP Fier ka realizuar një konsultim me mjekun specialist ortoped të Spitalit Rajonal Fier, Dr. F.K., i cili kishte kryer ekzaminimin fillestar më datë 06.11.2026 dhe kishte rekomanduar kryerjen e MRI-së. Gjatë këtij komunikimi, mjekut specialist i janë vënë në dispozicion përgjigjja e ekzaminimit MRI dhe disku i realizuar më datë 07.11.2026.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, mjeku specialist ka përshkruar në kartelën klinike:

“Duke u nisur nga paraqitja klinike (pacienti ka 11 javë trauma talocrural sinister. Me DG. Status post fraktur medial laterali dhe të dhënat nga MRI talocrural sinister e realizuar para 5 ditëve, mendoj të realizohet dhe një konsultë dhe trajtim me profesorët tanë në SUT (Spitali Universitar i Traumës) apo në klinika të tjera.

Gjithashtu rekomandon: pacienti duhet t’i nënshtrohet fizioterapisë intensive, që do të thotë: 10 seanca pasive; 10 seanca aktive; 5 seanca koordinim i të dyjave më lart.”

Më datë 18.11.2026, në ambientet e IEVP Fier, në bashkëpunim me mjekët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mjekun e institucionit dhe përfaqësuesit e Spitalit Memorial Fier, mjekët specialistë ortopedë Dr. A.D. dhe Dr. M.I. kanë realizuar konsultimin dhe vlerësimin mjekësor të shtetasit E.V.

Pas ekzaminimit klinik dhe shqyrtimit të dokumentacionit imazherik, përfshirë radiografinë dhe rezonancën magnetike (MRI), mjekët kanë rekomanduar kryerjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale jo emergjente, duke konfirmuar mundësinë e realizimit të saj pranë Spitalit Memorial Fier.

Gjatë këtij konsultimi, pacienti nuk ka shprehur kundërshtime lidhur me mundësinë e realizimit të ndërhyrjes kirurgjikale pranë këtij institucioni spitalor, duke kërkuar njëkohësisht edhe marrjen e mendimit të mjekut specialist të përzgjedhur prej tij.

Gjithashtu, gjatë konsultimit është dakordësuar mundësia e pranisë së mjekut specialist ortoped të përzgjedhur nga pacienti gjatë kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale.

Në përfundim të vizitës, pacienti ka falënderuar ekipin mjekësor për kujdesin dhe trajtimin e ofruar.

Në kuadër të dakordësimit për përfshirjen e mjekut specialist të përzgjedhur nga vetë pacienti, këtij të fundit, konkretisht mjekut A.G., i është krijuar mundësia të paraqitet më datë 18.11.2026 pranë IEVP Fier, me qëllim realizimin e një vizite mjekësore ndaj shtetasit E.V., si dhe njohjen e plotë me dokumentacionin dhe kartelën e tij shëndetësore.

Megjithatë, nga verifikimet e kryera rezulton se mjeku i përzgjedhur nga zoti Veliaj nuk është paraqitur pranë IEVP Fier në datën e sipërcituar, për të realizuar vizitën dhe shqyrtimin e dokumentacionit mjekësor.

Më datë 20.11.2026, në vijim të komunikimit dhe koordinimit me Spitalin Rajonal Memorial Fier, është konfirmuar planifikimi me prioritet i ndërhyrjes kirurgjikale, sipas rekomandimit të Shërbimit të Ortopedi-Traumatologjisë të këtij institucioni spitalor.

Nëpërmjet mjekut ortoped Dr. A.D., është përcjellë rekomandimi si më poshtë:

“Ndërhyrja kirurgjikale për pacientin z. Erion Veliaj parashikohet të kryhet ditën e hënë, datë 23.11.2026, në Spitalin Rajonal Memorial Fier. Për këtë qëllim, pacienti duhet të paraqitet në spital ditën e diel, datë 22.11.2026, për kryerjen e procedurave preoperatore (konsultat dhe analizat laboratorike).”

Në këtë kuadër, duke qenë se mjeku specialist i përzgjedhur nga pacienti nuk është paraqitur në konsultën e datës 18.11.2026, mbetet në vlerësimin e pacientit dhe të përfaqësuesve të tij mundësia e pranisë së këtij mjeku më datë 22.11.2026, gjatë kryerjes së procedurave preoperatore, dhe/ose më datë 23.11.2026, në ditën e planifikuar për ndërhyrjen kirurgjikale pranë Spitalit Rajonal Memorial Fier.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vlerëson se faktet e renditura më sipër dëshmojnë angazhimin e vazhdueshëm institucional për të garantuar konsultat, ekzaminimet, vlerësimet specialistike dhe ndjekjen e nevojshme mjekësore për shtetasin E.V.

Nuk i takon institucionit tonë të komentojë motivet e zotit Veliaj dhe as të përfshihet në polemika publike me të. Megjithatë, e konsiderojmë të nevojshme të sigurojmë familjarët e tij dhe opinionin publik se zoti Veliaj ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë të gjithë kujdesin e nevojshëm shëndetësor, me respekt të plotë për dinjitetin dhe të drejtat e tij.

Theksojmë se zoti Erion Veliaj është një ndër 4,227 personat e paraburgosur dhe të dënuar që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në sistemin penitenciar. Ofrimi dhe garantimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor për personat e privuar nga liria përbën një detyrim ligjor dhe një përgjegjësi të drejtpërdrejtë menaxheriale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në përputhje me kompetencat e saj institucionale. Në zbatim të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, kujdesi shëndetësor garantohet në radhë të parë nëpërmjet sistemit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, si dhe mekanizmave të tjerë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi. Në këtë kuadër, DPB ka përgjegjësinë të sigurojë aksesin në shërbimet shëndetësore, konsultat me mjekët specialistë, ekzaminimet dhe trajtimet e nevojshme për çdo person nën administrimin e saj, pa dallim dhe në respekt të plotë të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.

Kufizimi i lirisë, i vendosur në përputhje me ligjin, nuk nënkupton në asnjë rast kufizimin e së drejtës për kujdes shëndetësor dhe trajtim dinjitoz. Ky është një detyrim ligjor dhe njerëzor, të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vijojë ta përmbushë me përgjegjësi, për zotin Veliaj, ashtu si për çdo person tjetër që ndodhet në institucionet tona.

Lidhur me pretendimet për ushtrimin e një kontrolli në ambientet ku qëndron zoti Veliaj, sqarojmë se, pranë IEVP Fier, është zhvilluar një kontroll për verifikimin e elementeve të sigurisë në disa sektorë të institucionit, në kuadër të procedurave rutinë të punës dhe në zbatim të një planifikimi të mëparshëm. Ky kontroll ka përfshirë edhe sektorin e kujdesit shëndetësor, ku aktualisht qëndron zoti Veliaj, si pjesë e kontrolleve të ushtruara në disa dhoma të këtij sektori dhe jo vetëm në ambientin ku ai akomodohet. Theksojmë se bëhet fjalë për një procedurë standarde sigurie, të planifikuar dhe të zbatuar në përputhje me praktikat e punës së institucionit.

Si e vlerëson këtë lajm?

Hyr në llogari për të votuar · Një votë për lajm.

Komentet

    Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *