Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, në lidhje me përplasjet me kryeministrin Edi Rama dhe përjashtimin e saj nga PS-ja.
E ftuar në News24, Lala u shpreh se kishte pritur që Spiropali të pranonte përgjegjësitë për periudhën kur ishte pjesë e qeverisë dhe të kërkonte falje për privilegjet që kishte gëzuar gjatë ushtrimit të funksioneve të saj.
Sipas gazetares, në mungesë të një reflektimi të tillë, deklaratat e Spiropalit janë thjesht një përsëritje e denoncimeve që janë bërë ndër vite nga gazetarët.
“Prita që ish-ministrja e Jashtme, ish-kryetarja e Kuvendit, të thoshte: Jam Elisa Spiropali, ju rrëfej krimet e mia dhe bashkëpunëtorët. Kur nuk bëri mea culpa dhe nuk kërkoi falje për privilegjet që ka pasur, çdo fjalë e thënë prej saj është përsëritje e aferave që kemi denoncuar ndër vite.
Sot Spiropali po na tregon me zë e figurë ato që ne i kemi thënë kur Spiropali na thoshte sa të mira ishin institucionet dhe se ‘Skënderbeu’ dhe qeveria do të na çonin në BE. Iu prishën interesat? Që Elisa të na dalë e të na shesë moral, këtë nuk e pranoj”, u shpreh Lala.
Gazetarja u ndal te përgjegjësia e Spiropalit për zhvillimet brenda qeverisë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për gabime, por për përgjegjësi penale dhe institucionale.
“E dimë shumë mirë, kam mbi 20 vite gazetare dhe e kam memorien e fortë se si u zvarrit në majat e pushtetit. Do ta duartrokisja nëse nesër shkon në dyert e SPAK-ut dhe thotë: Këto janë krimet që i kemi kryer bashkë, jam e penduara perfekte. Ramën do ta rrëzojë vetëm hakmarrja e një gruaje.
Nuk ka gabime, ka faje dhe përgjegjësi penale dhe institucionale. Nëse flet për një sistem të kriminalizuar dhe korrupsion që, sipas saj, e ka drejtuar Balluku, ku ka qenë Spiropali? Për Ballukun nuk bëri akt politik, nuk votoi ndryshe nga socialistët. Nuk është akt politik abstenimi”, tha ajo.



Leave a Reply