Lajme

Hapen 400 vende të reja punë në Policinë e Shtetit! Kriteret dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për pranim në strukturat e saj për 400 vende të reja pune.

Raportohet se 50% e kuotave për konkurrim do të jenë për femrat, që pas përfundimit me sukses të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, do të emërohen në strukturat e Kufirit dhe Migracionit.

Aplikantët duhet të plotësojnë disa kritere për t’u pranuar, ndërsa si edhe të duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të Policisë, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me dokumentacionin e kërkuar.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit, nëpërmjet një procesi konkurrimi të drejtë, të paanshëm, transparent, si dhe sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës, hapen aplikimet për pranim në Policinë e Shtetit, për 400 funksione të rolit bazë, të ndara sipas strukturave policore në nivel vendor (DVP, DVKM dhe struktura të veçanta), si vijon:

Në strukturat policore të qarkut Tiranë (DVP, DVKM dhe FNSH)-125

Në strukturat policore të qarkut Durrës (DVP dhe DVKM)-35

Në strukturat policore të qarkut Korçë (DVP dhe DVKM)-20

Në strukturat policore të qarkut Fier (DVP dhe FNSH)-10

Në strukturat policore të qarkut Vlorë (DVP, DVKM dhe Delta)-30

Në strukturat policore të qarkut Lezhë (DVP)-30

Në strukturat policore të qarkut Shkodër (DVP, DVKM dhe FNSH)-50

Në strukturat policore të qarkut Kukës (DVP dhe DVKM)-35

Në strukturat policore të qarkut Dibër (DVP dhe KPKM)-25

Në strukturat policore të qarkut Elbasan (DVP)-10

Në strukturat policore të qarkut Gjirokastër (DVP dhe DVKM)-20

Në strukturat policore të qarkut Berat (DVP)-10

Në numrin e kuotave për konkurrim, 50% e kuotave do të jenë për shtetaset femra të cilat pas përfundimit me sukses të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, do të emërohen në strukturat e Kufirit dhe Migracionit.

KRITERET PËR APLIKIM

Çdo shtetas qe plotëson kriteret e mëposhtme, ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të Policisë ku ai ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikimet janë të hapura deri më datë 31.07.2024.

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të jetë jo më shumë se 30 vjeç;

c) të jetë me gjatësi jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;

d) të ketë mbaruar arsimin e mesëm;

e) të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;

f) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

g) të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
h) të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;

i) të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

j) të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;

k) të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

Shtetasit qe shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, përkundrejt tarifës se aplikimit, jo më vonë se data 31.07.2024, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të Policisë, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm:

a) formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e Policisë;

b) fotokopje të kartës së identitetit;

c) diplomë të shoqëruar me listë notash që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara);

d) fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;

e) certifikatë e gjendjes gjyqësore (nxirret nga struktura policore ku kryen aplikimin);

f) certifikatë familjare (nxirret nga struktura policore ku kryen aplikimin);

g) vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;

h) vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;

i) vërtetim nga struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;

j) mandat-pagesa e tarifës së aplikimit;

FAZAT QE KALOJNË APLIKANTËT PËR PRANIM

Për pranimin në polici, aplikantët duhet të kalojnë me sukses sipas rendit zbritës fazat e mëposhtme:

a) aplikimi;

b) verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit;

c) verifikimi i besueshmërisë dhe integritetit të aplikantëve;

d) kontrolli shëndetësor;

e) testimi, i cili përfshin testin me shkrim, testin fizik, intervistën me gojë dhe testin psikologjik.

Me qellim që procesi i verifikimit të kryhet në mënyrë sa më të shpejte, por pa cenuar cilësinë e verifikimit, procesi i shqyrtimit të dokumentacionit, verifikimi i besueshmërisë së aplikantëve, si dhe marrja, administrimi dhe krahasimi i gjurmëve daktiloskopike, bëhen menjëherë për secilin aplikant, duke filluar nga momenti i dorëzimit të dokumentacionit, pa pritur përfundimin e afatit të aplikimit.

Procesit të testimit i nënshtrohet vetëm aplikantët të cilët në baze të vendimit të Komisionit të Pranimit, plotësojnë kriteret dhe janë të përshtatshëm për të vazhduar procesin e pranimit.

Aplikanti skualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo faze të tij nëse:

a. nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar;

b. nuk dorëzon në kohen e aplikimit dokumentacionin e kërkuar;

c. nuk plotëson kriteret e përcaktuara në piken 3 të këtij urdhri;

d. ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara;

e. rezulton përdorues droge;

f. rezulton të ketë varësi nga alkooli;

g. nuk kalon kontrollin shëndetësor;

h. nuk paraqitet në kohën e caktuar në një nga fazat e testimit;

i. nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të testimit.

ANKIMIMI

Çdo aplikant ka të drejtën e ankimit për çdo fazë të procesit.

Ankimimi behet nëpërmjet e-mailit, në adresën burimet.njerezore@asp.gov.al, brenda 2 ditësh nga data e njoftimit për secilën faze të procesit. Komisioni i Ankimimit njofton aplikantin brenda 5 ditësh pune në lidhje me vendimin e marrë.

Komisioni i Ankimimit ngrihet në nivel vendor pranë strukturës ku kryhet aplikimi, si dhe në nivel qendror pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

a) në nivel vendor, Komisioni përbëhet nga:

  • Zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike;
  • Shefi i Sektorit të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore;
  • Përfaqësuesi Juridik DVP-se;

b) në nivel qendror, Komisioni përbëhet nga:

  • Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
  • Drejtori i Standardeve Profesionale
  • Drejtori i Drejtorisë Juridike.

Komisionet e Ankimimit pranë drejtorive vendore të Policisë shqyrtojnë ankesat e aplikantëve për fazat e aplikimeve, verifikimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit, ndërsa të gjitha ankesat për fazat e tjera të procesit të pranimit në Policinë e Shtetit, shqyrtohen nga Komisioni i Ankimimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

KU MUND TË GJENDEN FORMULARËT PËR APLIKIM?

Formularët e aplikimit dhe vetëdeklarimit shkarkohen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit ose merren fizikisht pranë drejtorive vendore të Policisë.

Formulari i aplikimit, formulari i vetëdeklarimit, së bashku me dokumentacionin e kërkuar, dorëzohen pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

SA ZGJAT TRAJNIMI?

Aplikantët të cilët kalojnë me sukses të gjitha proceset e pranimit, shpallen fitues nëse janë të renditur brenda kuotave të shpallura për konkurrim.

Aplikantët fitues i nënshtrohen trajnimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për një periudhe 9-mujore (6 muaj trajnim teorik dhe 3 muaj praktikë pranë strukturave policore).

A ËSHTË I GARANTUAR PUNËSIMI?

Çdo aplikant i cili përfundon trajnimin pranë Kolegjit Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, emërohet menjëherë pranë strukturave policore ku ka kryer aplikimin.

Policia e Shtetit është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritokracisë.

Formularët e aplikimit shkarkohen në linkun e mëposhtëm: https://asp.gov.al/hapen-aplikimet-per-pranim-ne-policine-e-shtetit-per-400-funksione-te-rolit-baze/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
https://www.profitablecpmrate.com/m33rat8hk?key=97ac07e1ef6a52b1728c48b1aeff1dbd