Uncategorized

Ngrihet stacioni i ri zjarrfikës në Fier/ Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha: Riorganizim i shërbimit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të stacionit të ri zjarrfikës të bashkisë Fier, i cili është ndërtuar me mbështetjen financiare të qeverisë së Polonisë.

Cest la vie

Në takim ishin të pranishëm zyrtarë të lartë vendas e të huaj, ndër të cilët edhe kreu i grupit parlamentar të miqësisë Poloni-Ballkan.

Ministri Hoxha falënderoi qeverinë e Polonisë për këtë ndihmë bujare dhe siguroi punonjësit e shërbimit zjarrfikës se mbështetja e qeverisë Rama për ta, do të jetë e vazhdueshme.

Sa i përket emergjencës së zjarreve në këtë stinë të nxehtë dhe përballimin e saj, ministri Hoxha theksoi se “të gjithë jemi dëshmitarë të situatës kritike të zjarreve, veçanërisht gjatë dy muajve të fundit, qershor dhe korrik, ku forcat operacionale të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, janë përfshirë në më shumë se 1500 ndërhyrje në të gjithë territorin. Dëmet në pyje e kullota padyshim janë të konsiderueshme, por kemi mundur të sigurojmë jetën dhe pronën”.

Ministri nënvizoi gjithashtu se Shërbimi Zjarrfikës ka nevojë për punonjës të devotshëm, që janë gati të sakrifikojnë për të shpëtuar njerëzit në rrezik.

“Nuk mund të shkosh në një operacion për fikjen e zjarrit, nëse nuk ke angazhimin dhe përkushtimin për detyrën, për uniformën dhe atdheun”, nënvizoi Hoxha.

Duke folur rreth nevojave për disa ndryshime strukturore në shërbimin zjarrfikës, ministri vuri në dukje se “Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi ka sot më shumë se kurrë nevojë për një ristrukturim, për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi nevojave të qytetarëve. Për këtë arsye, Ministria e Brendshme po rishikon ligjin e këtij shërbimi, duke pasur si synim riorganizimin e shërbimit zjarrfikës, qoftë në bashki, apo bashki qendër qarku, apo në një formë tjetër”.

Stacioni i ri zjarrfikës i Fierit është një strukturë moderne që u realizua në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Shqipërisë”, i cili zbatohet nga UNDP Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe pushtetin lokal.

Projekti është financuar nga Qeveria e Polonisë në përgjigje të thirrjes së Shqipërisë për mbështetje dhe rimëkëmbje pas tërmetit të nëntorit 2019.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button