Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për zgjedhjet e 11 majit, të cilin e cilësoi “koalicionin më të fuqishëm në 32 vite, që përfaqëson shumicën absolute”.

Gjatë prezantimit të koalicionit, Berisha u shpreh se “kjo është një ditë shumë e veçantë në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet”.
“Ky koalicion që paraqitet sot para shqiptarëve përfaqëson jo vetëm shumicën absolute në distancë të qytetarëve shqiptarë, por përfaqëson në distancë elitën politike dhe të gjithanshme të kombit shqiptar”, tha Berisha.
Berisha theksoi se koalicioni ka në përbërje vajza dhe djem, burra dhe gra, qëndrestarë të pamposhtur, personalitete, patriotë dhe ekspertë të shquar të shkolluar në shkollat më të mira të Europës dhe botës.
“Ky koalicion ka të gjithë mendjen, të gjithë vullnetin, atdhetarinë dhe përkushtimin për të bërë Shqipërinë Madhështore. Për të bërë Shqipërinë një vend ku qytetarët e lirë të saj të mos njohin më dhimbjet e pamerituara, çnjerëzore të varfërisë ekstreme. Ku qytetarët e saj, bijtë dhe bijat e saj, të rendin pas ëndrrës së tyre më të bukur shqiptare, të ndërtojnë këtë ëndërr në Shqipëri”, shtoi ai.
Berisha shprehu bindjen se viti 2025 është viti i diasporës, e cila sipas tij “ka bërë zgjedhjen e saj të shpëtojë Shqipërinë”.
Duke folu për koalicionin, Berisha tha se “kurrë ndonjëherë para kombit dhe shqiptarëve nuk është paraqitur një koalicion i tillë me PD-në më transparente se kjo e sotmja”.
“Ky nuk është koalicioni i të panjohurave, por ky është koalicioni i transparencës, i burrave dhe grave, i djemve dhe vajzave që i njohin shqiptarët, që i vlerësojnë shqiptarët. Një koalicion që përfaqëson të gjithë interesat, shtresat, komunitetet e ndryshme të këtij kombi”, tha ai.
Sipas Berishës, koalicioni e nis garën elektorale me një epërsi të jashtëzakonshme morale.
“Prej dy muajsh, PD dhe aleatët e saj kanë bërë fushatën elektorale më të suksesshme në historinë e tyre jashtë vendit. Angazhimi i PD dhe aleatëve të saj në fushatë elektorale me shqiptarët jashtë vendit, në emigracion dhe diasporë, ka ndezur zemrat dhe shpresat e tyre. Ka provuar një entuziazëm dhe vendosmëri e paparë ndonjëherë te shqiptarët nga vitet ’90 gjer sot. Ai reagim i tyre i fuqishëm, ai entuziazëm i tyre i jashtëzakonshëm, ajo vendosmëri e tyre e madhe për të marrë pjesë në zgjedhje dhe votuar opozitën është dëshmi e një dashurie të paprekur të tyre ndaj Shqipërisë”, tha Berisha. /j.p/