Një magazinë, ku produkte të skaduara ushqimore përpunoheshin dhe etiketoheshin sërish me data të falsifikuara skadence për t’u hedhur në treg, është zbuluar në Vorë. Policia ka vënë në pranga administratorin e subjektit, një 38-vjeçar me inicialet F. D. dhe magazinierin, një 58-vjeçar me inicialet A. D. Po ashtu po hetohen në gjendje të lirë ortaku dhe shoferi i magazinës.
Sipas hetimeve, në këtë magazinë grumbulloheshin ushqime të skaduara nga tregjet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, dhe më pas pajiseshin me etiketa të rreme për t’u shitur pa dokumentacion tatimor.
Gjatë operacionit u sekuestruan 716 koli me produkte ushqimore të përpunuara, të skaduara në janar dhe shkurt 2025, me etiketa të falsifikuara.
Ndaj personave të përfshirë rëndojnë disa akuza të rënda, përfshirë “Falsifikimin e formularëve, Fshehjen e të ardhurave, Mospagim i taksave, Punësim i paligjshëm si dhe Tregtim i ushqimeve të rrezikshme për shëndetin apo jetën e njerëzve. Policia vijon hetimet për të zbuluar nëse skema përfshin persona të tjerë apo rrjete të shpërndarjes në treg.




