Home Lajme nga Fieri Olsi Hamataj sjell 2 milionë fidanë luleshtrydhe të certifikuar, standard i ri...

Olsi Hamataj sjell 2 milionë fidanë luleshtrydhe të certifikuar, standard i ri për bujqësinë shqiptare

1193

Në Kafaraj të Fierit ka nisur puna për sezonin e ri të kultivimit të luleshtrydheve, me pritshmëri që këtë vit sipërfaqet e mbjella të jenë ndjeshëm më të mëdha se një vit më parë.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote vizitoi fermën e Olsi Hamatajt, i cili këtë sezon ka importuar nga Spanja rreth 2 milionë fidanë luleshtrydheje, të cilët do të shpërndahen për mbjellje tek fermerët në vend.

Nga vetëm 20 hektarë të mbjella disa vite më parë, ferma e Hamatajt ka arritur tashmë të zgjerohet në mbi 200 hektarë, duke u kthyer në një model suksesi për zhvillimin bujqësor.

E gjithë zona është tashmë e njohur për prodhimin e luleshtrydhes shqiptare, falë një bashkëpunimi të ngushtë mes fermerëve dhe agronomëve. Kontrolli i rreptë i çdo faze të punës garanton një prodhim të gjurmueshëm dhe të certifikuar.

“Jemi në fazat e para të mbjelljes së fidanëve të luleshtrydhes për këtë sezon. Vit pas viti kemi një rritje të ndjeshme të kërkesës, falë besimit që kemi ndërtuar me fermerët dhe partnerët tanë. Këtë vit kemi arritur të sjellim 2 milionë fidanë të certifikuar, në bashkëpunim me kompaninë më të madhe në botë për prodhimin e fidanëve të luleshtrydhes, me qendër në Spanjë”, u shpreh Hamataj.

Ai theksoi se, për herë të parë, janë lidhur marrëveshje të drejtpërdrejta me fermerët, duke i orientuar drejt farmacive bujqësore të licencuara dhe të besueshme, me qëllim garantimin e cilësisë së lartë të prodhimit.

Zëvendëskryeministrja Balluku vlerësoi zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të luleshtrydhes në këtë zonë, duke nënvizuar se bujqësia është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Ajo theksoi se aplikimet për zhvillim bujqësor kanë përparësi në Këshillin Kombëtar të Territorit, për të lehtësuar proceset e investimeve në këtë sektor.

Ndërkohë, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kota, bëri të ditur se skemat mbështetëse do të fokusohen te bashkimi i fermerëve, i cili do të sjellë përfitime konkrete si në shitje, ashtu edhe në aksesin ndaj mekanikës bujqësore moderne.

Agronomi në terren Adriatik Muçaj theksoi se aktualisht janë në fazën e dezinfektimit të serrave dhe mbjelljes, dhe do të ndiqet hap pas hapi çdo proces deri në vjelje dhe tregtim.

Hamataj siguroi se luleshtrydhja shqiptare do të jetë e para që do të dalë në tregun europian këtë vit.

“Këtë vit kemi sjellë fidanët dy javë më herët se zakonisht, prandaj edhe prodhimi parashikohet të dalë më herët në treg. Hershmëria është avantazh shumë i madh. Synimi është të jemi ndër të parët në Europë me luleshtrydhe të freskët në treg”, u shpreh Hamataj.

Ai shtoi se klima e favorshme dhe uji i pastër i zonës, me përmbajtje të ulët kriprash, krijojnë kushte ideale për një prodhim cilësor dhe konkurrues në tregjet ndërkombëtare.

“Jemi krenarë që kemi vendosur partneritet me një kompani ekselente europiane, e cila vlerëson dhe mbështet standardet tona të larta në prodhimin bujqësor”, tha Hamataj.

Zëvendëskryeministrja Balluku, ndërkohë, solli në vëmendje edhe rëndësinë e trajtimit korrekt të origjinës së produkteve në tregun europian, duke nënvizuar se në të kaluarën ka pasur raste keqinformimi, ku produkte të dyshimta janë paraqitur si shqiptare.

“Tregu bujqësor është një treg që prek konsumatorët direkt. Jemi në një rajon me konkurrencë të lartë nga territoret fqinje. U bë një zhurmë e madhe edhe vitin që kaloi për luleshtrydhet, ku u tha se ishin prodhim shqiptar, por doli që ishin të një shteti tjetër. Aktualisht, konsumatorët janë gjithnjë e më të orientuar drejt produkteve bio, ndaj dhe është thelbësore që ato të jenë të certifikuara dhe të gjurmueshme në çdo hap të prodhimit”, u shpreh ajo.

/a.f/