Nga 1 shkurti ulet çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri. Ja kategoritë që përfitojnë
Familjet që do të konsumojnë më pak se 800 kilovat-orë energji elektrike në muaj, nga shkurti do të paguajnë më pak para’.
Dy muaj pasi u paralajmërua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, propozimi i qeverisë për të ulur çmimin e energjisë për abonentët familjarë është marrë në shqyrtim nga Enti Rregullator i Energjisë.
“Ne kemi marrë një porosi dhe prej kohësh punojmë me OSHEE-në, me KESH-in edhe me OST-në për të vlerësuar një ulje të energjisë elektrike, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025. Jemi në punë e sipër, në analizë e sipër, por jemi të sigurt që do t’ia dalim, që duke optimizuar proceset teknike dhe financiare të kompanive tona, ne të kemi mundësi që nga 1 janari t’iu ofrojmë qytetarëve shqiptarë një çmim më të mirë për energjinë elektrike”, kështu shprehej më 5 nëntor ministrja Balluku.
Vendimi që pritet të hyjë në fuqi nga 1 shkurti pritet të merret në mbledhjen e së martës së Bordit të entit Rregullator të Energjisë.
Aktualisht çmimi i energjisë për abonentët familjarë është 9.5 lekë për kilovat pa TVSH, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë.
Ulja e çmimit do të prekë vetëm kategorinë e konsumatorëve familjarë, duke përjashtuar kategoritë e tjera si bizneset, institucionet buxhetore dhe jobuxhetore. Ndryshime nuk do të ketë as për furrat e bukës.