Misteri i zhdukjes së 63-vjeçarit në lumin Vjosë: Kërkimet ende pa rezultat
Zhdukja e 63-vjeçarit, Engjëll Kanani nga Berati mbetet ende mister, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për gjetjen e tij.
Ai u zhduk teksa kishte dalë për peshkim së bashku me një mik në lumin Vjosa, pranë fshatit Kashisht. Që nga momenti i zhdukjes, policia dhe familjarët kanë kryer kërkime të gjera në zonë, por deri më tani nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij apo e sendeve personale, si mjetet e peshkimit, çanta apo telefoni celular.
Telefonata e fundit nga celulari i tij ndodhi rreth 24 orë pas zhdukjes, por askush nuk u përgjigj.
Familjarët dhe miku i tij, një 64-vjeçar nga Berati, e kanë telefonuar vazhdimisht, por pa sukses.
Ndërkohë, kërkimet janë zgjeruar përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa, si dhe në kanalin Vjosë-Levan-Fier.
Familjarët dhe policia po vazhdojnë kërkimet prej disa ditësh.
Sektori i krimeve në komisariatin e Fierit ka nisur gjithashtu hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas dëshmisë së mikut të tij, dy shokët kishin zgjedhur të peshkonin në vende të ndryshme pranë Kashishtit atë ditë. Ata kishin lënë një takim për t’u takuar më vonë, por 63-vjeçari nuk u paraqit. Kur ai nuk u përgjigj në telefon pas disa orësh, shoku i tij denoncoi zhdukjen në polici.
Engjëll Kanani, baba i dy fëmijëve, peshkonte prej disa vitesh në lumin Vjosa. Pavarësisht intensifikimit të kërkimeve, ai mbetet i zhdukur dhe asnjë e dhënë konkrete nuk është zbuluar ende. Kërkimet dhe hetimet po vazhdojnë.
Top Channel