Home Lajme nga vendi Kapen tre persona që tentuan të kalonin fshehur në kamion drejt Italisë,...

Kapen tre persona që tentuan të kalonin fshehur në kamion drejt Italisë, dy prej tyre në kërkim ndërkombëtar

848

Finalizohet nga Policia Kufitare, operacioni i koduar “Marine”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Fshehu në kamionin që drejtonte, 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht në Itali, arrestohet 47-vjeçari.

2 nga shtetasit e fshehur në kamion, të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, njëri prej tyre i akuzuar si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Këta 2 shtetas u vunë në pranga, ndërsa shtetasi tjetër i fshehur në kamion, i dënuar më parë në Itali, u vu në hetim.

Sekuestrohen kamioni, celularë dhe dokumente të këtyre shtetasve.

Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin policor të koduar “Marine”. Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi:

K. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi në kamionin që drejtonte u gjetën të fshehur 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.

Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se:

-shtetasi R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, i fshehur në kamion, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.

-shtetasi K. D. alias K. F. alias K. P., i fshehur në kamion, ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Ky shtetas u arrestua dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për të.

-shtetasi S. D. alias K. M. i fshehur në kamion, ka qenë i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas nisi procedimi në gjendje të lirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.