Home Sport Kualifikimi në “play-off”-in e Botërorit 2026, Lojtarët e Kombëtares: Rrugëtim i jashtëzakonshëm

Kualifikimi në “play-off”-in e Botërorit 2026, Lojtarët e Kombëtares: Rrugëtim i jashtëzakonshëm

Shqipëria u kualifikua në play off-in e Botërorit 2026 pas fitores 0-1 ndaj Andorrës, një rezultat historik që u shoqërua me emocion dhe entuziazëm nga lojtarët kuqezi.

Na ndiqni në Instagram

Katër prej protagonistëve, Juljan Shehu, Myrto Uzuni, Nedim Bajrami dhe Kristjan Asllani, folën pas ndeshjes, duke ndarë emocionet dhe analizën e tyre për duelin vendimtar.

Shehu: Arritja më e madhe në historinë e futbollit shqiptar

Mesfushori që dhuroi asistin vendimtar për golin e Asllanit, Juljan Shehu u shpreh se skuadra kishte bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm.

“E kemi merituar këtë kualifikim. Kemi bërë ndeshje të bukura dhe duhet ta shijojmë. Kjo është arritja më e madhe në historinë e futbollit shqiptar”, deklaroi Shehu, duke theksuar presionin dhe vendosmërinë që skuadra tregoi deri në fund.

Uzuni: Do të jepja gjithçka për këtë fanellë

Sulmuesi kuqezi, Myrto Uzuni, u shpreh tejet i lumtur për arritjen historike.

“Është një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Unë e ndjej shumë këtë fanellë dhe sakrifikoj kudo për ekipin”, tha Uzuni, duke vlerësuar frymën e grupit dhe punën e bërë gjatë gjithë rrugëtimit.

Bajrami: Lojtarët nga stoli bënë diferencën

Mesfushori i Rangers, Nedim Bajrami foli për rëndësinë e kontributit nga pankina, duke theksuar se futbolli është moment dhe çdo minutë vlen.

“Bëmë një ndeshje shumë të mirë. Çunat që u futën në pjesën e dytë bënë diferencën. Edhe nga stoli mund të ndryshosh ndeshjen”, u shpreh Bajrami, i cili shtoi se ndryshimi i skemës në 4-2-3-1 rezultoi vendimtar.

Asllani: E dinim që ishte finale, golin e ndjeva shumë

Herori i mbrëmjes, autori i golit të fitores, Kristjan Asllani tregoi se pjesa e parë kishte qenë e komplikuar për shkak të skemës së Andorrës, ndërsa lojtarët e aktivizuar në pjesën e dytë e ndryshuan ndeshjen.

“E ndjeva shumë golin, u gëzuan të gjithë shqiptarët. Ishte një finale për ne. Në pjesën e dytë na ndihmuan shumë lojtarët nga stoli”, tha Asllani, duke shtuar se trajneri i komplimentoi për paraqitjen.

Fitorja 0-1 ndaj Andorrës i dhuroi Shqipërisë një kualifikim historik në play off-in e Botërorit 2026, duke ndezur entuziazmin e tifozëve dhe duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të kombëtares së drejtuar nga Sylvinho.

/gj.m/

Burimi: atsh