Apolonia nuk ia doli të marrë pikë në transfertën e javës së fundit ndaj Kastriotit, ku u mund minimalisht nga krutanët. Për fierakët, vazhdimësia vijon të mbetet problem, megjithëse efekti surprizë i ka shoqëruar shpesh këtë sezon, duke sjellë një ecuri me luhatje.
Pavarësisht humbjes në “Redi Maloku”, trajneri Marko Jovanoviç u shpreh i kënaqur me lojën e ekipit, duke evidentuar edhe vështirësinë e madhe të terrenit: “Në atë lloj terreni nuk luhej futboll. Skuadra u përpoq të zhvillonte lojën e saj, por shpesh lojtarët pengoheshin nga topi që ngecte në baltë dhe nuk arritëm të realizonim detyrat që kisha paracaktuar. Do të mundohemi të jemi sa më të saktë me një formacion stabël, pasi kemi pasur disa lëvizje,” u shpreh trajneri serb pas humbjes me Kastriotin.
Tani vëmendja është te sfida e radhës, ku Apolonia do të presë Korabin të shtunën në “Loni Papuçiu”. Jovanoviç nuk i ka të gjithë lojtarët në dispozicion, pasi një nga titullarët, mesfushori Benardin Kofi, mungon për shkak të plotësimit të katër kartonëve të verdhë. Gjithsesi, Apolonia ka treguar se di të fitojë edhe me mungesa, siç bëri ndaj Besës në shtëpi. Pikërisht kjo gjë kërkohet të përsëritet edhe të shtunën kundër Korabit.




