Në një kohë kur të rinjtë shpesh paragjykohen për mungesë vizioni dhe përkushtimi, Fabjon Aliaj, 23 vjeç nga qyteti i Fierit, vjen si një shembull frymëzues që dëshmon se pasioni, empatia dhe puna e ndershme mund të ecin krah për krah!

I diplomuar në Infermieri, Fabjoni është i lidhur ngushtë me fushën e shëndetësisë, ku vazhdon të jetë aktiv pranë urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, duke dhënë kontributin e tij me seriozitet dhe përgjegjësi. Për të, kontakti me njerëzit dhe të qenit pranë tyre në momente të vështira është më shumë se një angazhim , është një thirrje e brendshme.
Përveç kësaj, Fabjon Aliaj është edhe autor i dy librave: “Shkrime Adoleshence” dhe “Çmenduria e një vere”. Në këto vepra, ai sjell një pasqyrë të ndjeshme të botës rinore, duke prekur tema që lidhen me rritjen, ndjenjat, dilemat dhe përjetimet emocionale.

Shkrimet e tij karakterizohen nga sinqeriteti dhe një stil i drejtpërdrejtë, që krijon lidhje të menjëhershme me lexuesin!
Ata që e njohin nga afër flasin për Fabjonin si për një djalë empatik, të qetë dhe komunikues, që di të dëgjojë dhe të kuptojë të tjerët. Edhe nga bisedat me qytetarë të ndryshëm, vihet re se ai lë mbresa pozitive kudo ku shkon, jo për bujë, por për mënyrën njerëzore se si sillet.
Plot ëndrra dhe synime për të ardhmen, Fabjon Aliaj përfaqëson figurën e një të riu që beson tek puna, tek mirësia dhe tek forca e fjalës së shkruar.
Rrugëtimi i tij është një dëshmi se përkushtimi dhe ndjeshmëria janë vlera që nuk dalin kurrë nga moda.
Histori si e tij meritojnë të tregohen, sepse janë dëshmi se në qytetet tona ka të rinj që çdo ditë kontribuojnë në heshtje, duke ndërtuar një të ardhme më humane dhe më të ndritur!

