Situata nga lumi Vjosa paraqitet kritike këtë mëngjes, pasi niveli i ujit ka arritur në 9 metra, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonat përreth.
Si pasojë e rritjes së prurjeve, dhjetëra banesa janë përfshirë nga uji, ndërsa dëmet raportohen të shumta edhe në toka bujqësore.
Një faktor që ka rënduar ndjeshëm situatën është era e fortë nga perëndimi, e cila ka ndikuar në det, duke penguar derdhjen normale të lumit Vjosa në Adriatik.
Ky fenomen ka krijuar kthim të ujit dhe rritje të menjëhershme të nivelit, duke sjellë përmbytje në zonat më të ulëta.
Në terren ndodhen strukturat e emergjencave, Mbrojtja Civile dhe forcat vendore, të cilat po monitorojnë nga afër situatën dhe po punojnë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
Po shqyrtohet edhe mundësia e evakuimeve në zonat më problematike, në rast se niveli i ujit vijon të rritet.




