Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se niveli i ujit në lumin Vjosë ka rënë ndjeshëm.
Pas përmbytjeve të një dite më parë, që prekën zonat përreth lumit Vjosë, Rama bëri të ditur se ka nisur edhe procesi i verifikimit të dëmeve.
“Ka filluar procesi i verifikimit të dëmeve në të gjithë zonën, ndërsa strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri dhe në shërbim të plotë të të gjithë banorëve për çdo nevojë apo emergjencë”, theksoi Rama.
Lidhur me situatën, Kreu i qeverisë ka thirrur mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, me qëllim adresimin e problematikës së përmbytjeve në mbarë vendin. Pjesë e kësaj mbledhjeje do të jenë ministritë e linjës, përgjegjëse për menaxhimin e situatës.
Prej disa ditësh, vendi është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat kanë shkaktuar problematika në disa qarqe, ku më të prekurat janë Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri dhe Vlora.
Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes urdhëroi evakuimin e disa fshatrave në qarqet Durrës, Fier dhe Vlorë.




