Home Uncategorized Apolonia në shkrimet e Marin Barletit – Nga Ilirjan Gjika

Apolonia në shkrimet e Marin Barletit – Nga Ilirjan Gjika

5

Apolonia zë një vend të veçantë në veprat e shkrimtarit humanist Marin Barleti. Të tilla janë dy librat e tij: “Mbi rrethimin e Shkodrës’’ (Rrethimi i Shkodrës), botuar në Venecia prej Bernardi Vitalit në vitin 1504 dhe ‘’Historia e jetës dhe veprave të Skëndërbeut, princit të epirotëve’’ (Historia e Skënderbeut), botuar në Romë në vitet 1508-1510 (1). Ndërkohë duke ju referuar botimit të parë shohim se në prag të Lidhjes së Lezhës, përpara se ky qytet të caktohej si qëndra e krijimit të kësaj aleance politike dhe ushtarake, në planet e Skënderbeut ishte edhe Apolonia (2). Rreth diskutimeve për organizimin e kësaj mbledhjeje të rëndësishme, në librin e tij, ‘’Historia e Skënderbeut’’, Marin Barleti, në ligjëratë të drejtë shkruan se: “Edhe në të zgjedhurit e vendit Skënderbeu veproi me atë urtësi e maturi. Kështu, që të mos i linte me përshtypjen se kujdesej më fort për nderin e vet se të të tjerëve dhe që të mos mbetej asnjë shteg për dyshime, nuk i thirri princërit në Krujë. Por ai nuk i thirri as në Apoloni, as në Dejë, as në Zhabjak apo në ndonjë qytet tjetër të Epirit….’’ (3). Një dëshmi e tillë historike e ndërthurur edhe me provat e kërkimeve arkeologjike do të sillnin një qasje të re për ekzistencën e Apolonisë deri në shek. XV. Nga gërmimet e viteve ’70 në teatrin antik të kësaj qendre, do të gjendeshin midis objekteve të tjera edhe monedha të mesjetës së vonë të shek. XIII-XIV (4). ‘’Nga kjo që na kumton Barleti, del se Apolonia në kohën e Skënderbeut, ka qenë një qendër jo pa rëndësi. Ajo përfshihej në zotërimet e Muzakajve, që ishin nga familjet feudale shqiptare më të njohura të kësaj kohe. Si e tillë, ajo i kishte kushtet që të radhitej midis vendeve pretendente për qendrën e besëlidhjes dhe bashkimit të të gjithë bujarëve shqiptarë në luftë kundër turqve’’, shkruan në studimin e saj, “Vështrim historik mbi Apoloninë e Ilirisë”, arkeologia Aleksandra Mano (5). Ndërkohë për njohjen e thellë që Barleti kishte mbi historinë e këtij qyteti, dëshmon edhe vepra tjetër e tij: ‘’Rrethimi Shkodrës”. “Apolonia, një qytet me baza shumë të shëndosha për hir të ligjeve të tij. Në kufijt e tij ndodhet një vend i famshëm që quhet Nymfa, sikurse e dëshmon Straboni; aty ndodhet një gur që vjell zjarr e metal dhe gjithnjë shkon duke u zmadhuar. Nën atë gur janë disa burime që qitin ujë të vakët dhe, siç na e tregon Posidoni, toka aty është plot me bitum, që vlen për të mbrojtur hardhitë në insektet e dëmshme. Veç kësaj aty ka shumë popuj; sidomos kaonët janë ata që banojnë në një pjesë të madhe të atyre vendeve, sepse, si burra të fortë që janë, ata aty mbajtën gjithmonë zotërimin e vendit. Pastaj andej nga lindja, jo shumë larg prej qytetit të Apolonisë, bie rruga Egnatia, e cila për çdo mil është e shënuar më shtylla guri dhe shtrihet për njëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë stade’’, shkruan midis të tjerave në këtë libër shkrimtari i shquar humanist (6). Këto janë dy pjesë të shkurtra të shkëputura nga historia antike dhe mesjetare e Apolonisë së Ilirisë. Si burime të letërsisë së vjetër shqiptare të shek. XVI, ato dëshmojnë se në periudhën e Skënderbeut, Apolonia funksiononte jo vetëm si një qendër e banuar, por dhe si një pikë strategjike në territorin e zotërimeve të Muzakajve.

📸 Foto: Ballina e librit ‘’Historia de vita et gestis Scanderbegi, epirotarum principis’’ (Historia e jetës dhe veprave të Skëndërbeut, princit të epirotëve).

📚 Burimet
1-Mikel Prenushi, Kontributi shqiptar në Rilindjen Europiane, Sh. B ‘’8 Nëntori’’, Tiranë 1980, f. 77-79
2-Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, USHT-IHGJ, Tiranë 1967, f. 95
3-Po aty, f. 95
4-Aleksandra Mano, Teatri antik i Apolonisë, Apolonia e Ilirisë, ASH-IA, Tiranë 2006, f. 554, 560
5-Aleksandra Mano, Vështrim historik mbi Apoloninë e Ilirisë, Apolonia e Ilirisë, ASH-IA, Tiranë 2006, f. 40
6-Marin Barleti, Rrethimi i Shkodrës, Sh. B. Naim Frashëri, Tiranë 1982, f. 35