Një ngjarje e rëndë është shënuar në fshatin Peshtan Bregas, Njësia Administrative Frakull, Bashkia Fier, ku një 36 – vjeçar i identifikuar si Hamza Duraj , ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në tokat bujqësore.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, si dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, mësohet se i riu kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë.
Në ato momente, mjeti bujqësor i ka kaluar sipër trupit, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme.Trupi i pajetë është gjetur nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi ai nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Fier/ Informacion paraprak
Rreth orës 14:40, në fshatin Peshtan Bregas, shtetasi H. D., 36 vjeç, duke drejtuar një mjet bujqësor (frezë), dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit, dhe mjeti bujqësor është rrëzuar duke e zënë poshtë shtetasin H. D., i cili për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.




