Pas 11 ditësh bllokimi dhe kaosi të shkaktuar si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave dhe dëmtimit të urës në zonën “Arrat e Gurrës”, do të hapet sot në mesditë për qarkullim aksi rrugor kombëtar Librazhd–Prrenjas.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije në njoftim se segmenti i bllokuar do të hapet për qarkullim në orën 12:00, përmes një devijimi provizor të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm.
Ky devijim do të shërbejë si zgjidhje e përkohshme deri në realizimin e rrugës alternative, e cila do të ndërtohet në shtratin e lumit Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.
Qarkullimi do të jetë i mundur për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë, duke respektuar ngarkesën 8.2 ton për aks.Sipas ARRSH, segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave mbajtëse.
Njoftimi i ARRSH:
Sot, datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas për të gjitha mjetet duke përfshirë edhe tonazhin e rëndë, por duke respektuar ngarkesën 8.2ton për aks.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë.



