Fuat Boçi ka lindur në Voshtinë, Pogonjati i sotëm, më 6 mars 1931.
Për shkak të krizës ekonomike në atë zonë, familja e tij u shpërngul nga Voshtina si emigrantë, fillimisht për një periudhë të shkurtër në Gjirokastër dhe më pas, në vitin 1938, në Fier, ku familja e tij vazhdoi të jetojë.
Fuat Boçi mbeti jetim në moshën 15-vjeçare dhe u detyrua të punonte fillimisht si mekanik e më pas si portier në kinemanë e qytetit. Pikërisht aty filloi edhe rrugëtimi i tij drejt artit, i udhëhequr nga pasioni. Nga një elektricist i thjeshtë, ai u shndërrua në një artist të madh të skenës shqiptare.
Në vitin 1965 vazhdoi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, pa e ndërprerë punën dhe angazhimin në teatër.
Fuat Boçi ka marrë pjesë në rreth 160 premiera dhe ka interpretuar mbi 600 role, duke u shquar për lirinë në interpretim, karakterizimet e bukura të personazheve, sharmin, gjallërinë skenike dhe mimikën komike.
Ai përdori me mjeshtëri nuancat gjuhësore dhe krahinore, duke sjellë në skenë tipa të ndryshëm fshatarësh, ziliqarësh, dembelësh, zyrtarësh të korruptuar, pseudointelektualësh etj.
U dallua gjithashtu për aftësitë e tij imituese dhe për vokalin e përshtatshëm për interpretimin e vargjeve humoristike dhe parodive.
Përveç estradës, ai interpretoi edhe në pjesë për fëmijë, në Teatrin e Kukullave të qytetit të Fierit.
Ai u bë proverbial me rolet e tij në shumë skeçe dhe komedi të estradës, ndër të cilat spikatën:
• Beluli në monologun “Doni më për Belulin”;
• Lipe Shtogu në skeçin “Lipja prapa listës” të Pëllumb Kullës;
• Llazi në skeçin “Llazi u bë me tapi”;
• Dalipi në skeçin “Ëndrra e Dalipit”;
• Jonuz Beu në komedinë e shkurtër “O burra, se na zunë”;
si dhe në rubrikën humoristike “Përgjegjësia e sektorit”.
🎭Aktori legjendar i Fierit u bë i njohur edhe me role të tjera në teatër, si:
• Aviatori Vasja në dramën “Ne jemi qytetarë sovjetikë”;
• Zeneli në komedinë “Pas vdekjes”;
• Dajua në “Shi në plazh”;
• Sotiri në komedinë “Një gjysmë budalla”;• Babai liberal në estradën “Show e jashtëzakonshme”;
• Shvejku në “Shvejku në Vietnam”.
🔖Për figurën, veprën artistike dhe talentin e tij të spikatur, ai është nderuar ndër vite me këto vlerësime:
🏅 “Medalja e Punës”
🏅 “Medalja Naim Frashëri”
🏅 “Urdhri Naim Frashëri”, Klasi II
🏅 “Artist i Merituar”
🏅 “Qytetar Nderi i Fierit”
Ai u nda nga jeta më 21 korrik 2020.🕯 Artistët e mëdhenj nuk largohen kurrë nga skena e kujtesës.
Fuat Boçi është një prej tyre.
