Ministria e Brendshme ka publikuar listën zyrtare me kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Emrat janë bërë publikë në faqen zyrtare, ndërsa vihet re se mes aplikantëve janë dy gra.
Në garë janë dhe 4 drejtor qarqesh, Skënder Hita, Drejtor i Policisë Fier, Elidon Çela, Drejtor i Policisë Vlorë, Afrim Tafa, Drejtor i Policisë Durrës dhe Gentian Berberi, Drejtor i Policisë Shkodër.
Po ashtu është dhe Arjanit Arapi drejtor kufiri. Ndërsa nga akademia e sigurisë, konkurrojnë 6 kandidatë Alfred Çepe, Rebani Jaupi, Lorenc Panganika, Idejet Faskaj, Tonin Vocaj dhe Gentjan Shehaj.
Lista e plotë e aplikuesve: Afrim Tafa; Alfred Çepe; Arjanit Arapi; Ejona Gurbardhi; Elidon Çela; Gentian Berberi; Gentjan Shehaj; Idajet Faskaj; Lorenc Panganika; Neritan Nallbati; Pëllumb Seferi; Rebani Jaupi; Saimir Boshnjaku; Skënder Hita; Suela Sulkaj; Tonin Vocaj.
Pas vlerësimit të dosjeve me përgatitjen profesionale akademike, pastërtinë e figurës dhe pasurinë, kandidatët e vlerësuar sit ë përshtatshëm nga Komisioni i posaçëm i përbërë nga zv.ministrja e Brendshme, Silva Caka, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe kreu i AMP-së, Eduart Merkaj, do të intervistohen dhe do të vlerësohen me pikë.
Renditja në fund do ti dorëzohet ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili do t’i përcjellë kryeministrit Rama për të zgjedhur pasuesin e Ilir Prodës.
Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, për shkak se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës arritën të hyjnë në ‘zemrën’ e qytetit, në zonën e ish-Bllokut dhe goditën me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj.
Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga. Përgjithësisht kandidatët në garë janë me karriere të gjatë në këtë fushë dhe që kanë mbajtur disa poste më herët.



