41 vite pas filmit të paharruar “Taulanti kërkon një motër”, rikthehet në kujtesë një nga figurat më të dashura të kinemasë për fëmijë: Sabiela Agushi, vajza që i dha jetë personazhit të Olës.
Një rol i vetëm, por i mjaftueshëm për të mbetur gjatë në zemrat e shqiptarëve.
Historia e saj nis krejt rastësisht, në kopshtin nr. 54 në Tiranë, kur ekipi i filmit kërkonte një djalë për rolin kryesor. Mes lotëve të fëmijëve të tjerë, Sabiela ishte e vetmja që shikonte me kureshtje dhe guxoi të kërkonte një provë.
Me një improvizim spontan për një laps “të kafshuar”, ajo tërhoqi menjëherë vëmendjen e regjisores Xhanfize Keko, e cila pa tek ajo pikërisht natyrshmërinë që kërkonte.
Pas përzgjedhjes në Pallatin e Pionierëve, Sabiela fitoi rolin përballë shumë fëmijëve të tjerë, duke u bërë Ola, vajza me fustanet e bukura dhe faqet e mbushura që publiku e adhuron ende sot. Xhirimet ishin plot energji, disiplinë dhe lojë. Batutat mësoheshin përmendësh me ndihmën e edukatores, ndërsa Xhanfizeja u mësonte intonacionin dhe ndjeshmërinë e rolit.
Një nga kujtimet më të gjalla mbetet skena e akullores me Donald Kokona, ku “gabimet” e qëllimshme bëheshin për të shijuar më shumë akullore, deri sa ekipi i kuptoi “hilet” e fëmijëve.
Pas filmit, rrugët e jetës e çuan larg Shqipërisë. Sabiela u largua në vitin 1999, u formua si juriste, punoi si avokate dhe u angazhua në çështje të rëndësishme për mbrojtjen e familjes.
Sot ajo jeton në Gjermani dhe ushtron profesionin si juriste në Bashkinë e Mynihut.
E martuar prej tre vitesh me partnerin e saj, me të cilin njihet prej 15 vitesh, Sabiela ka ndërtuar një jetë të re, larg skenës, por jo larg kujtimeve.




