Home Lajme nga Fieri Zoica Haxho, eleganca që i dha shpirt baletit shqiptar

Zoica Haxho, eleganca që i dha shpirt baletit shqiptar

Kujtojmë sot në ditën e lindjes, Zoica Haxho (1933–2024).

E lindur në Fier më 28 mars 1933, Zoica Haxho përfaqëson një prej figurave më të shquara të baletit shqiptar.

Talenti i saj spikati qysh në bankat e Liceut Artistik “Jordan Misja”, për të shpërthyer fuqishëm gjatë viteve të studimit në shkollën koreografike pranë “Bolshoi Teatër” në Moskë.

Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera në vitin 1956, u kthye në Shqipëri, ku u bë prima balerinë e trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit. Në premierën e parë të baletit shqiptar, me shfaqjen “Kujdesi i kotë” në vitin 1957, ajo interpretoi rolin e Lizës.

Me një aktivitet artistik mbi tre dekada, Zoica Haxho krijoi një galeri të pasur rolesh dhe personazhesh, duke mbajtur për shumë vite repertorin e trupës së baletit me numrin më të madh të shfaqjeve, të dhëna në Tiranë dhe në gjithë vendin.

Krahas interpretimit mjeshtëror në skenë, ajo ishte edhe një prej pedagogeve të para të Shkollës së Baletit, ku u shqua në përgatitjen e artistëve të rinj.

Zoica Haxho ndërroi jetë më 28 nëntor 2024 në New York.

Për merita dhe kontribute si një prej emrave më të shquar të artit tonë skenik, ajo është vlerësuar me tituj, urdhra dhe medalje të ndryshme…

Info: Muzeu Historik Fier