Home Aktualitet Gara për kreun e Policisë së Shtetit, Klodiana Lala zbulon emrat “favoritë”

    Gara për kreun e Policisë së Shtetit, Klodiana Lala zbulon emrat “favoritë”

    Gazetarja Klodiana Lala,  e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, theksoi se anëtarët e Komisionit të ngritur për zgjedhjen e kreut të ri të Policisë së Shtetit, tashmë kanë përfunduar me pikëzimin e kandidatëve në garë.

    Gazetarja theksoi se lista, që është top sekret, i është përcjellë ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, i cili duhet të zgjedhë një nga emrat me më shumë pikë. Gazetarja theksoi gjithashtu se nga burimet e saj ka mësuar që kandidatët kanë treguar performancë të mirë në proces, duke shtuar se ata janë zyrtarë me karrierë.

    Ajo përmendi edhe disa emra, që sipas saj, janë më shumë favoritë për t’u emëruar në krye të Policisë së Shtetit. Lala tha se bazuar në karrierën e tyre shumë vjeçare, Skënder Hita, Lorenc Panganika dhe Tonin Vocaj janë emrat që kanë më shumë mundësi të marrin detyrën.

    Përmendi gjithashtu edhe emrin e Afrim Tafës.

    Megjithatë, sipas gazetares, kryeministri është i paparashikueshëm dhe mund të zgjedhë një emër thuajse ‘anonim’.

    “Kandidatë në garë janë përgjigje intervistë përpara anëtarëve të Komisionit, që dje janë mbledhur dhe kanë arritur dhe të bëjë pikëzmin e 14 kandidatëve dhe e kanë dorëzuar listën në duart e ministrit Lamallari. Janë zyrtarë të karrierës dhe kanë pasur secili prej tyre platforma. Nga bisedat që kam pasur me anëtarët e komisionit por edhe me vëzhgues, disa kanë patur performancë të mirë. Gara është ngushtuar dhe vërtitet në 3-4 emra. Patjetër që emrin e ri të drejtuesit e propozon ministri. Ligji lejon që të propozojë njëri nga kandidatin që ka marr pikët më të larta.

    Edhe pse lista mbahet top sekret, unë marr guximin dhe them 3-4 emra që mendoj se janë më të favorizuarit. Një prej tyre Skënder Hita, drejtor aktual i policisë së Fierit. Ka drejtuar më herët policinë e Durrësit, Dibrës, ka punuar edhe në Shkodër, kështu që është një ndër favoritet kryesore. Personi i dytë është Lorenc Panganika që është aktualisht në Akademinë e Policisë së Shtetit. Ka qenë më herët drejtor i policisë së Tiranës, në Fier. Më është dukur profili i një zyrtari policie i ftohtë dhe pa emocione dhe është një njeri që mund ta vinte në shina policinë. Një kandidat shumë potencial është Tonin Vocaj.

    Ka mbajtur poste të rëndësishme në polici, me karrierë të gjatë, ndoshta më jetëgjati nga kandidatët në polici. Ka pasur një angazhim për Afrim Tafën, drejtor i policisë së Durrësit i komanduar, por Tafën e shikoj si person që është mbështetur nga lobe të caktuara por besoj se është në këtë katërshen e parë. Sido që të jetë do të ketë sfidë të madhe përpara. Unë bëra një ndarje të atyre zyrtarëve që i kam ndjekur mbi 20 vite dhe janë më të lakuarit. Tani a mund të jetë një person anonim, ne kemi parë që zoti Rama ka bërë surpriza, psh kur ka emëruar ministra, që as nuk e ka menduar njeri që mund të vinte një mjeke nga jashtë.”, tha Lala.

    © Panorama.al