Veterineri fierak/ Përkushtimi i një të riu që mbron sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndau sot historinë e Dejvidit, një prej specialistëve të shërbimit veterinar, i cili prej pesë vitesh kontribuon në terren për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore në zonën e Fierit.

Aktualisht, Dejvidi mbulon fermat blegtorale në 11 fshatra të njësisë administrative Levan, duke kryer një sërë detyrash thelbësore për funksionimin e sektorit.

Puna e tij përfshin matrikullimin dhe identifikimin e kafshëve, hedhjen e të dhënave në sistemin RUDA, vaksinimin dhe gjurmimin e fermave për sëmundje zoonotike.

Gjithashtu, ai lëshon certifikata për lëvizjen e kafshëve dhe monitoron librat e mjekimit në ferma, për të verifikuar përdorimin e produkteve veterinare dhe respektimin e standardeve të kërkuara.

Në rrëfimin e tij, Dejvidi thekson rëndësinë e identifikimit të kafshëve si një proces kyç në garantimin e sigurisë ushqimore.“Identifikimi është një punë e përditshme, ku përmes sistemit RUDA realizojmë matrikullimin dhe hedhjen online të të dhënave për kafshët e reja.

Një ndër detyrat kryesore mbetet regjistrimi i tyre në sistem, si një nga hallkat më të rëndësishme të sigurisë ushqimore”, shprehet ai.

Ministri Salla vlerësoi përkushtimin e specialistëve në terren, duke theksuar se puna e tyre është thelbësore për kontrollin e sëmundjeve, mbrojtjen e shëndetit publik dhe rritjen e standardeve në sektorin blegtoral në vend./a.f/

Burimi: atsh

Leave a Comment